Mikea 4:1-7
Mikea 4:1-7 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
«Në ditët që do të vijnë, mali i shtëpisë së ZOTIT do të ngrihet mbi majat e maleve, do të lartësohet përmbi kodra e popujt atje do të vërshojnë. Shumë kombe do të shkojnë e do të thonë: ejani të shkojmë te mali i ZOTIT, te shtëpia e Perëndisë së Jakobit. Ai do të na mësojë rrugët e tij, që të ecim udhëve të tij, se prej Sionit do të dalë ligji, prej Jerusalemit fjala e ZOTIT. Ai do të bëjë gjyq mes shumë popujve, do të japë vendime që larg për kombe të fuqishme. E ata, shpatat do t'i farkëtojnë për plugje, heshtat e tyre për drapërinj. Kombet s'do ta nxjerrin shpatën kundër njëri-tjetrit, për luftë nuk do të stërviten më. Secili do të ulet nën hardhinë e vet, nën fik, e s'do të ketë frikë, se ZOTI i ushtrive foli me gojën e vet. Çdo popull ndjek perëndinë e tij, ndërsa ne ndjekim ZOTIN, Perëndinë tonë, përjetë e përgjithmonë. Atë ditë, kumton ZOTI, do t'i mbledh të çalët e të zbuarit. Edhe ata që ndëshkova, tok do t'i mbledh. Me të çalët do të përftoj tepricën, të zbuarit do t'i bëj komb të fuqishëm e ZOTI, në malin Sion, do të mbretërojë mes tyre, tani e përjetë.
Mikea 4:1-7 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por në kohët e fundit do të ndodhë që mali i shtëpisë së Zotit do të vendoset në majën e maleve dhe do ngrihet përmbi kodrat, dhe aty do të vijnë popujt. Do të vijnë shumë kombe dhe do të thonë: "Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit dhe në shtëpinë e Perëndisë të Jakobit; ai do të na mësojë rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij". Sepse nga Sioni do të dalë ligji dhe nga Jeruzalemi fjala e Zotit. Ai do të jetë gjyqtari midis shumë popujve dhe do të jetë arbitri midis shumë kombeve të fuqishme dhe të largëta. Me shpatat e tyre do të farkëtojnë plore dhe me ushtat e tyre drapërinj; një komb nuk do ta ngrejë më shpatën kundër tjetrit dhe nuk do të stërviten për luftë. Do të ulet secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t'i trembë më, sepse goja e Zotit të ushtrive foli. Ndërsa tërë popujt ecin secili në emër të zotit të vet, ne do të ecim në emër të Zotit, Perëndisë tonë, përjetë. "Atë ditë", thotë Zoti, "unë do të mbledh çalamanët, do të mbledh të dëbuarit dhe ata që kisha dëshpëruar. Nga çalamanët do të bëj një mbetje dhe nga të dëbuarit një komb të fuqishëm. Kështu Zoti do të mbretërojë mbi ta në malin e Sionit, qysh atëherë e përgjithnjë.