Mateu 8:1-12
Mateu 8:1-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kur Jezui zbriti nga mali, turma të mëdha i shkuan pas. Dhe ja, një i lebrosur iu afrua, i ra në gjunjë e i tha: «O Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh». Jezui shtriu dorën, e preku e i tha: «Dua. Pastrohu!». Dhe ai u pastrua menjëherë nga lebra. Jezui i tha: «Mos i trego njeriu, por shko paraqitu te prifti e kushto dhuratën që ka urdhëruar Moisiu. Kjo do t'u shërbejë si dëshmi». Kur Jezui hyri në Kafarnaum, iu afrua një kryeqindës e iu lut: «O Zot, shërbëtori im dergjet në shtëpi i paralizuar e po vuan shumë». Jezui i tha: «Do të vij ta shëroj». Kryeqindësi i tha: «O Zot, unë nuk jam i denjë të hysh nën çatinë time, por thuaj vetëm një fjalë e shërbëtori im do të shërohet. Sepse edhe unë jam nën urdhrat e eprorëve të mi dhe kam nën vete ushtarë. Kur i them njërit “shko”, ai shkon dhe kur i them tjetrit “eja”, ai vjen. Kur i them shërbëtorit tim “bëje këtë”, ai e bën». Kur dëgjoi këto fjalë, Jezui u mrekullua e u tha atyre që po e ndiqnin: «Me të vërtetë po ju them, se nuk e kam gjetur një besim kaq të madh tek asnjeri në Izrael. Prandaj po ju them se shumë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi e do të ulen në tryezë me Abrahamin, Isakun e Jakobin në mbretërinë e qiejve, ndërsa bijtë e mbretërisë do të hidhen përjashta në errësirë, ku do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh».
Mateu 8:1-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Tani kur Jezusi zbriti nga mali, turma të mëdha e ndiqnin. Dhe ja, një lebros erdhi dhe e adhuroi, duke thënë: ''O Zot, po të duash, ti mund të më shërosh''. Jezusi e shtriu dorën, e preku dhe i tha: ''Po, unë dua, shërohu''. Dhe në atë çast u shërua nga lebra e tij. Atëherë Jezusi i tha: ''Ruhu se ia tregon kujt; por shko, paraqitu te prifti, bëj flijimin që ka urdhëruar Moisiu, me qëllim që kjo të jetë dëshmi për ta''. Kur Jezusi hyri në Kapernaum i erdhi një centurion duke iu lutur, dhe duke thënë: ''O Zot, shërbëtori im rri shtrirë në shtëpi i paralizuar dhe po vuan shumë''. Dhe Jezusi i tha: ''Do të vij dhe do ta shëroj''. Centurioni duke u përgjigjur i tha: ''Zot, unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën strehën time; por thuaj vetëm një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet. Sepse unë jam një njeri nën urdhrin e të tjerëve, dhe i kam ushtarët nën vete; dhe, po t'i them dikujt: "Shko", ai shkon; dhe po t'i them një tjetri: "Eja", ai vjen; dhe po t'i them shërbëtorit tim: "Bëje këtë", ai e bën''. Dhe Jezusi, kur i dëgjoi këto gjëra, u mrekullua dhe u tha atyre që e ndiqnin: ''Në të vërtetë po ju them, se askund në Izrael nuk e gjeta një besim aq të madh. Unë po ju them se shumë do të vijnë nga lindja dhe nga perëndimi dhe do të ulen në tryezë me Abrahamin, me Isakun dhe me Jakobin, në mbretërinë e qiejve, por bijtë e mbretërisë do të flaken në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllimi dhëmbëve''.