Mateu 5:21-47
Mateu 5:21-47 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
«Keni dëgjuar se të parëve u qe thënë: mos vrit. Ai që vret, do të dalë në gjyq. Por unë po ju them: kushdo që zemërohet kundër vëllait të vet, do të dalë në gjyq, por kush i thotë vëllait të vet “i pamend”, do të përgjigjet para sinedrit, dhe nëse i thotë “i marrë”, do të përgjigjet në Gehenën e zjarrit. Nëse, kur sjell dhuratën e blatimit në altar, kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, lëre dhuratën aty para altarit, shko e pajtohu më parë me vëllanë tënd, pastaj kthehu e kushtoje dhuratën tënde. Shpejto të merresh vesh me kundërshtarin tënd ndërsa je ende rrugës me të, që ai mos të të dorëzojë te gjykatësi, gjykatësi te roja e të përfundosh në burg. Me të vërtetë po të them se nuk do të dalësh që andej pa paguar deri edhe qindarkën e fundit». «Keni dëgjuar se është thënë: mos bëj tradhti bashkëshortore. Por unë po ju them: kushdo që e shikon një grua me dëshirim, ka bërë tashmë tradhti bashkëshortore me të në zemrën e vet. Nëse syri yt i djathtë të bëhet pengesë, nxirre e hidhe larg teje, se është më mirë për ty të humbasësh njërën nga gjymtyrët, sesa të të hidhet i tërë trupi në Gehenë. Dhe, nëse dora jote e djathtë të bëhet pengesë, prije e hidhe larg teje, se është më mirë për ty të humbasësh vetëm njërën nga gjymtyrët, sesa të të shkojë i tërë trupi në Gehenë». «Është thënë edhe: kushdo që e ndan gruan, duhet t'i japë asaj fletëndarjen. Por unë po ju them: kushdo që e ndan gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, e shtyn atë në tradhti bashkëshortore dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, bën tradhti bashkëshortore». «Keni dëgjuar edhe se u qe thënë të parëve: mos bëj betim të rremë, por bëj atë për të cilën je betuar para Zotit. Ndërsa unë po ju them: mos u betoni kurrë. As për qiellin, se është froni i Perëndisë, as për tokën, se është shtroja e këmbëve të tij, as për Jerusalemin, se është qyteti i mbretit të madh. Mos u beto as për kokën tënde, se as edhe një fije floku nuk mund ta bësh të bardhë a të zezë. Kur të flisni, thoni “po” kur është “po” dhe “jo” kur është “jo”. Çfarë thuhet më shumë, vjen nga i ligu». «Keni dëgjuar se është thënë: sy për sy e dhëmb për dhëmb. Por unë po ju them: mos hyr në luftë me të ligun! Përkundrazi, nëse dikush të jep një shuplakë në faqen e djathtë, ktheji edhe tjetrën. Nëse dikush do që të të hedhë në gjyq për të të marrë tunikën, jepi edhe gunën. Nëse të kërkon të ecësh një milje, bëj me të dy milje. Jepi atij që të kërkon e mos ia kthe shpinën atij që të kërkon hua». «Keni dëgjuar se është thënë: duaje të afërtin, por urreje armikun tënd. Por unë po ju them: duajini armiqtë tuaj e lutuni për ata që ju përndjekin, që të bëheni bij të Atit tuaj që është në qiej, sepse ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët dhe të bjerë shiu mbi të drejtët e mbi të padrejtët. Sepse, nëse doni vetëm ata që ju duan, ç'shpërblim do të keni? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit? Dhe nëse përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, ç'gjë të veçantë bëni? A nuk bëjnë kështu edhe popujt e kombeve?
Mateu 5:21-47 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ju keni dëgjuar se u qe thënë të lashtëve: "Mos vrisni"; dhe: "Kushdo që vret do t'i nënshtrohet gjyqit"; por unë po ju them: "Kushdo që zemërohet pa shkak kundër vëllait të tij, do t'i nënshtrohet gjyqit; dhe kush i thotë vëllait të vet: "Rraka", do t'i nënshtrohet sinedrit; dhe kush do t'i thotë: "Budalla", do t'i nënshtrohet zjarrit të Gehenës. Nëse ti, pra, po paraqet ofertën tënde te altari, dhe atje kujtohesh se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre atje ofertën tënde para altarit dhe shko pajtohu më parë me vëllanë tënd; pastaj kthehu dhe paraqite ofertën tënde. Bëj një marrëveshje miqësore me kundërshtarin tënd, sa je në një rrugë me të, që kundërshtari yt të mos të dorëzojë te gjykatësi dhe gjykatësi të të dorëzojë te rojtari dhe ti të futesh në burg. Në të vërtetë të them se nuk do të dalësh prej andej pa e paguar edhe qindarkën e fundit. Ju keni dëgjuar se të lashtëve u qe thënë: "Mos shkel kurorën". Por unë po ju them se kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet. Në qoftë se syri yt i djathtë të çon në mëkat, hiqe dhe flake larg teje, sepse është më mirë për ty që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehena gjithë trupi yt; dhe në qoftë se dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje dhe hidhe larg teje, sepse është më mirë që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehena gjithë trupi yt. Qe thënë gjithashtu: "Kush e lë gruan e tij, le t'i japë letrën e ndarjes". Por unë po ju them: Kushdo që e përzë gruan e tij, me përjashtim të rastit të kurvërisë, e bën atë të shkelë kurorën; dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, shkel kurorën. Keni dëgjuar gjithashtu se të lashtëve u qe thënë: "Mos bëj betim të rremë; por plotëso premtimet për të cilat je betuar para Zotit". Por unë po ju them: "Mos u betoni fare, as për qiellin, sepse është froni i Perëndisë, as për tokën, sepse është stol i këmbëve të tij, as për Jeruzalemin, sepse është qyteti i Mbretit të madh. Mos u beto as për kokën tënde, sepse nuk ke fuqi të zbardhësh ose të nxish qoftë edhe një fije floku; Por fjala jote të jetë: Po, po; jo, jo; gjithçka më tepër vjen nga i ligu. Ju keni dëgjuar se qe thënë: "Sy për sy dhe dhëmb për dhëmb". Por unë po ju them: Mos i rezisto të ligut; madje, në qoftë se dikush të qëllon mbi faqen e djathtë, ktheja dhe tjetrën, dhe në qoftë se dikush do të të nxjerrë në gjyq për të të marrë tunikën, jepi edhe mantelin. Dhe në qoftë se dikush të detyron të ecësh një milje, ti bëji dy me të. Jepi atij që të kërkon, dhe mos refuzo t'i japësh atij që të kërkon hua. Ju keni dëgjuar se qe thënë: "Duaje të afërmin tënd dhe urreje armikun tënd". Por unë po ju them: "Duajini armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin, për të qenë bij të Atit tuaj, që është në qiej, sepse ai bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët. Sepse, po të doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi do të keni? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit? Dhe nëse përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit?