Mateu 27:38-54 - Compare All Versions
Mateu 27:38-54 AL1 (Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK))
Bashkë me të kryqëzuan edhe dy kusarë, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë. Kalimtarët e fyenin, tundnin kokën e thoshin: «Ti që do ta shkatërroje tempullin e do ta ndërtoje për tri ditë, shpëto veten nëse je Biri i Perëndisë e zbrit nga kryqi!». Edhe kryepriftërinjtë me shkruesit dhe pleqtë e tallnin e thoshin: «Të tjerët i shpëtoi, ndërsa veten nuk e shpëtuaka dot. Ky që qenka mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi e atëherë do t'i besojmë. Ky ka besuar në Perëndinë e ka thënë se është Biri i Perëndisë! Atëherë le ta shpëtojë Perëndia nëse e do». Edhe kusarët që ishin kryqëzuar bashkë me të e përqeshnin në të njëjtën mënyrë. Që nga mesdita e deri në orën tre pasdite u bë errësirë në gjithë tokën. Rreth orës tre pasdite Jezui thirri me zë të lartë: « Eli, Eli, lema sabakthani ?» që do të thotë: « Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise ?». Disa nga ata që ishin aty kur e dëgjuan, thanë: «Ky po thërret Elinë». Njëri prej tyre vrapoi, mori një sfungjer, e ngjeu në uthull, e vuri në një kallam e ia dha për ta pirë. Të tjerët thoshin: «Prisni të shohim nëse do të vijë Elia për ta shpëtuar». Jezui thirri përsëri me zë të lartë e dha shpirt. Atëherë veli i tempullit u gris më dysh nga lart deri poshtë, toka u drodh e shkëmbinjtë u çanë. Edhe varret u hapën e shumë trupa të shenjtësh që kishin vdekur u ngjallën dhe, pasi dolën nga varret pas ngjalljes së tij, shkuan në qytetin e shenjtë e iu shfaqën shumë njerëzve. Kryeqindësi dhe të tjerët që ishin me të për të ruajtur Jezuin, kur panë tërmetin dhe gjithçka që ndodhi, u frikësuan shumë e thanë: «Me të vërtetë ky qenka Biri i Perëndisë».
Mateu 27:38-54 ALBB (Bibla Shqip 1994)
Atëherë u kryqëzuan bashkë me të dy cuba, njëri në të djathtën dhe tjetri në të majtën. Dhe ata që kalonin andej e fyenin duke tundur kokën, dhe duke thënë: ''Ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton për tri ditë, shpëto vetveten; në qoftë se je Biri i Perëndisë, zbrit nga kryqi!''. Po ashtu, edhe krerët e priftërinjve, bashkë me skribët dhe me pleqtë, duke e tallur, i thoshin: ''Ai i shpëtoi të tjerët dhe nuk mund të shpëtojë vetveten; në qoftë se është mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi dhe ne do të besojmë në të; ai ka besuar në Perëndinë; le ta lirojë tani në qoftë se e do me të vërtetë, sepse ka thënë: "Unë jam Biri i Perëndisë"''. Po ashtu e fyenin edhe cubat që ishin kryqëzuar me të. Që nga ora gjashtë deri në orën nëntë errësira e mbuloi gjithë vendin. Rreth orës nëntë, Jezusi bërtiti me zë të lartë duke thënë: ''Eli, Eli, lama sabakthani?''. Domethënë: ''Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?''. Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thanë: ''Ky po thërret Elian''. Dhe në atë çast një nga ata vrapoi, mori një sfungjer, e zhyti në uthull dhe, mbasi e vuri në majë të një kallami, ia dha për ta pirë. Por të tjerët thoshin: ''Lëre, të shohim në se do të vijë Elia për ta shpëtuar''. Dhe Jezusi bërtiti edhe një herë me zë të lartë dhe dha frymë. Dhe ja, veli i tempullit u shqye në dy pjesë, nga maja e deri në fund; toka u drodh dhe shkëmbinjtë u çanë; varret u hapën dhe shumë trupa të të shenjtëve që flinin u ringjallën; dhe, të dalë nga varret mbas ringjalljes së Jezusit, hynë në qytetin e shenjtë dhe iu shfaqën shumëkujt. Tani centurioni dhe ata që bashkë me të ruanin Jezusin, kur panë tërmetin dhe ngjarjet e tjera, u trembën shumë dhe thanë: ''Me të vërtetë ky ishte Biri i Perëndisë!''.