Mateu 27:27-44
Mateu 27:27-44 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Atëherë ushtarët e qeveritarit e futën Jezuin në pretorium dhe mblodhën tek ai tërë kohortën. E zhveshën dhe e mbështollën me një petk të kuq. Pastaj thurën një kurorë me gjemba e ia vunë në kokë. Në dorë i dhanë një kallam dhe, duke rënë në gjunjë para tij, talleshin me të e i thoshin: «Tungjatjeta, o mbreti i judenjve!». E pështynë, morën një kallam dhe e godisnin në kokë. Pasi e tallën, ia hoqën petkun, e veshën me rrobat e veta dhe e çuan për ta kryqëzuar. Kur dolën përjashta, ndeshën një njeri nga Kirena, që quhej Simon, të cilin e detyruan të mbartte kryqin e Jezuit. Kur arritën te një vend që quhet Golgota, që do të thotë «Vendi i Kafkës», i dhanë të pijë verë me një përzierje të hidhur, por kur e provoi, Jezui nuk deshi ta pijë. Pasi e kryqëzuan, hodhën short për të ndarë rrobat e tij. Pastaj u ulën e po e ruanin. Mbi kokë i vunë shkrimin me shkakun e dënimit: «Ky është Jezui, mbreti i judenjve». Bashkë me të kryqëzuan edhe dy kusarë, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë. Kalimtarët e fyenin, tundnin kokën e thoshin: «Ti që do ta shkatërroje tempullin e do ta ndërtoje për tri ditë, shpëto veten nëse je Biri i Perëndisë e zbrit nga kryqi!». Edhe kryepriftërinjtë me shkruesit dhe pleqtë e tallnin e thoshin: «Të tjerët i shpëtoi, ndërsa veten nuk e shpëtuaka dot. Ky që qenka mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi e atëherë do t'i besojmë. Ky ka besuar në Perëndinë e ka thënë se është Biri i Perëndisë! Atëherë le ta shpëtojë Perëndia nëse e do». Edhe kusarët që ishin kryqëzuar bashkë me të e përqeshnin në të njëjtën mënyrë.
Mateu 27:27-44 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atëherë ushtarët e guvernatorit, mbasi e çuan Jezusin në pretoriumin e guvernatorit, mblodhën rreth tij gjithë kohortën. Dhe, pasi e zhveshën, i hodhën mbi trup një mantel të kuq. Dhe i thurën një kurorë me ferra, ia vunë mbi krye dhe i dhanë një kallam në dorën e djathtë; dhe, duke u gjunjëzuar përpara tij, e përqeshnin duke thënë: ''Tungjatjeta, o mbret i judenjve!''. Pastaj e pështynë, ia morën kallamin dhe me të i binin në kokë. Dhe, mbasi e përqeshën, ia hoqën mantelin dhe e veshën me rrobat e tij; dhe e çuan për ta kryqëzuar. Dhe duke dalë, takuan një njeri nga Kirena, që quhej Simon, të cilin e detyruan ta mbartë kryqin e Jezusit. Dhe, kur arritën në vendin që quhej Golgota, domethënë "Vendi i kafkës", i dhanë të pijë uthull të përzier me vrer; por ai, mbasi e provoi, nuk deshi ta pinte. Mbasi e kryqëzuan, i ndanë me short rrobat e tij, që të përmbushej ç'ishte thënë nga profeti: ''I ndanë ndërmjet tyre rrobat e mia dhe hodhën short mbi tunikën time''. Pastaj u ulën dhe e ruanin. Përmbi krye të tij, i vunë gjithashtu motivacionin e shkruar të dënimit të tij: ''KY ËSHTË JEZUSI, MBRETI I JUDENJVE''. Atëherë u kryqëzuan bashkë me të dy cuba, njëri në të djathtën dhe tjetri në të majtën. Dhe ata që kalonin andej e fyenin duke tundur kokën, dhe duke thënë: ''Ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton për tri ditë, shpëto vetveten; në qoftë se je Biri i Perëndisë, zbrit nga kryqi!''. Po ashtu, edhe krerët e priftërinjve, bashkë me skribët dhe me pleqtë, duke e tallur, i thoshin: ''Ai i shpëtoi të tjerët dhe nuk mund të shpëtojë vetveten; në qoftë se është mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi dhe ne do të besojmë në të; ai ka besuar në Perëndinë; le ta lirojë tani në qoftë se e do me të vërtetë, sepse ka thënë: "Unë jam Biri i Perëndisë"''. Po ashtu e fyenin edhe cubat që ishin kryqëzuar me të.