Mateu 27:26-31
Mateu 27:26-31 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Atëherë Pilati liroi Barabën, ndërsa Jezuin, pasi e fshikulluan, e dorëzoi që ta kryqëzonin. Atëherë ushtarët e qeveritarit e futën Jezuin në pretorium dhe mblodhën tek ai tërë kohortën. E zhveshën dhe e mbështollën me një petk të kuq. Pastaj thurën një kurorë me gjemba e ia vunë në kokë. Në dorë i dhanë një kallam dhe, duke rënë në gjunjë para tij, talleshin me të e i thoshin: «Tungjatjeta, o mbreti i judenjve!». E pështynë, morën një kallam dhe e godisnin në kokë. Pasi e tallën, ia hoqën petkun, e veshën me rrobat e veta dhe e çuan për ta kryqëzuar.
Mateu 27:26-31 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atëherë ai ua liroi atyre Baraban; dhe mbasi e fshikulloi Jezusin, ua dorëzoi, që të kryqëzohet. Atëherë ushtarët e guvernatorit, mbasi e çuan Jezusin në pretoriumin e guvernatorit, mblodhën rreth tij gjithë kohortën. Dhe, pasi e zhveshën, i hodhën mbi trup një mantel të kuq. Dhe i thurën një kurorë me ferra, ia vunë mbi krye dhe i dhanë një kallam në dorën e djathtë; dhe, duke u gjunjëzuar përpara tij, e përqeshnin duke thënë: ''Tungjatjeta, o mbret i judenjve!''. Pastaj e pështynë, ia morën kallamin dhe me të i binin në kokë. Dhe, mbasi e përqeshën, ia hoqën mantelin dhe e veshën me rrobat e tij; dhe e çuan për ta kryqëzuar.