Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 27:1-26

Mateu 27:1-26 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Në mëngjes herët të gjithë kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit vendosën së bashku ta dënonin Jezuin me vdekje. Pasi e lidhën, e morën e ia dorëzuan Pilatit, qeveritarit. Kur pa Juda, ai që e tradhtoi, se Jezuin e dënuan, u pendua, ia ktheu kryepriftit e pleqve tridhjetë monedhat e argjendta e u tha: «Kam mëkatuar se tradhtova gjakun e pafajshëm». Ata i thanë: «E ç'na duhet neve! Kjo është punë për ty». Pasi i hodhi monedhat e argjendta në tempull, u largua dhe shkoi e vari veten. Kryepriftërinjtë morën monedhat e argjendta e thanë: «Nuk është e lejueshme t'i vëmë këto para në thesarin e tempullit, sepse janë para gjaku». Atëherë vendosën të blinin me to arën e një poçari për ta bërë varrezë të huajsh. Për këtë arsye ajo arë është quajtur deri më sot «Ara e Gjakut». Kështu u përmbush çfarë qe thënë nga profeti Jeremi: i morën tridhjetë monedhat e argjendta, çmimi që kishin dhënë bijtë e Izraelit, e blenë me to Arën e Poçarit, siç më kishte urdhëruar Zoti. Jezui qëndronte para qeveritarit dhe ai e pyeti: «A je ti mbreti i judenjve?». Jezui i tha: «Ti vetë po e thua». Por, kur e padisnin kryepriftërinjtë dhe pleqtë, nuk jepte asnjë përgjigje. Atëherë Pilati i tha: «A nuk dëgjon sa gjëra po dëshmojnë kundër teje?». Por Jezui nuk iu përgjigj asnjë padie, gjë që e çuditi shumë qeveritarin. Për çdo festë Pashke qeveritari e kishte bërë zakon të lironte një të burgosur sipas kërkesës së turmës. Në atë kohë kishin në burg një të burgosur shumë të njohur që quhej Jezu Baraba. Kur u mblodh turma, Pilati u tha: «Cilin doni t'ju liroj, Jezu Barabën apo Jezuin që quhet Krisht?». Sepse e dinte se Jezuin e kishin dorëzuar nga smira. Ndërsa Pilati ishte i ulur në fronin e gjykatësit, e shoqja i çoi fjalë: «Mos u ngatërro me atë njeri të drejtë, sepse sot kam vuajtur shumë në ëndërr për shkak të tij». Por kryepriftërinjtë e pleqtë ia mbushën mendjen turmës që të kërkonin Barabën e të vrisnin Jezuin. Qeveritari u tha përsëri: «Cilin nga të dy doni t'ju liroj?». Ata iu përgjigjën: «Barabën!». Pilati i pyeti: «Atëherë çfarë të bëj me Jezuin që quhet Krisht?». Të gjithë i thanë: «Të kryqëzohet!». Ai u tha: «Përse, ç'të keqe ka bërë?». Por ata thirrën edhe më fort: «Të kryqëzohet!». Kur Pilati e pa se nuk po arrinte asgjë, por përkundrazi, po fillonte rrëmuja, mori ujë, lau duart para turmës e tha: «Unë nuk kam faj për gjakun e këtij njeriu. Është puna juaj!». I gjithë populli u përgjigj: «Gjaku i tij rëntë mbi ne e mbi fëmijët tanë!». Atëherë Pilati liroi Barabën, ndërsa Jezuin, pasi e fshikulluan, e dorëzoi që ta kryqëzonin.

Mateu 27:1-26 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Kur erdhi mëngjesi, të gjithë krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit bënin këshill kundër Jezusit për ta vrarë. Dhe, mbasi e lidhën, e çuan dhe e dorëzuan në duart e Ponc Pilatit, guvernatorit. Atëherë Juda, që e kishte tradhtuar, kur pa se e dënuan Jezusin, u pendua dhe ua ktheu krerëve të priftërinjve dhe pleqve të tridhjetë siklat prej argjendi, duke thënë: ''Mëkatova duke tradhtuar gjakun e pafaj''. Por ata thanë: ''Po ne ç'na duhet? Punë për ty!''. Dhe ai, mbasi i hodhi siklat prej argjendi në tempull, u largua dhe shkoi e u var në litar. Por krerët e priftërinjve i mblodhën këta denarë dhe thanë: ''Nuk është e ligjshme t'i vëmë në thesarin e tempullit, sepse është çmim gjaku''. Dhe, mbasi bënin këshill, me këtë denar blenë arën e poçarit për varreza të të huajve. Prandaj këtë arë e quajtën deri ditën e sotme: "Ara e gjakut". Atëherë u përmbush ç'ishte thënë nga profeti Jeremia që thotë: ''Dhe i morën të tridhjetë monedhat prej argjendi, çmimin e atij që e çmuan, siç kishin çmuar bijtë e Izraelit; dhe i shpenzuan për arën e poçarit, ashtu si më urdhëroi Zoti''. Dhe Jezusi qëndroi para guvernatorit; dhe qeveritari e pyeti duke thënë: ''A je ti mbreti i judenjve?''. Dhe Jezusi i tha: ''Ti po thua!''. Pastaj krerët e priftërinjve dhe pleqtë e akuzuan, por ai nuk u përgjigjej fare. Atëherë Pilati i tha: ''A nuk po dëgjon sa gjëra po dëshmojnë kundër teje?''. Por ai nuk iu përgjigj në asnjë fjalë, kështu që guvernatori u çudit shumë. Tani me rastin e festave guvernatori e kishte zakon t'i lironte popullit një të burgosur, atë që populli kërkonte. Kishin në ato kohë një të burgosur me nam, me emër Baraba. Kur u mblodhën njerëzit, Pilati i pyeti ata: ''Kë doni t'ju liroj, Baraban apo Jezusin, që quhet Krisht?''. Sepse ai e dinte mirë se atë ia kishin dorëzuar nga smira. Dhe ndërsa ai po rrinte në gjykatë, gruaja e tij i çoi fjalë: ''Mos u përziej aspak me çështjen e atij të drejti, sepse sot kam vuajtur shumë në ëndërr për shkak të tij''. Por krerët e priftërinjve dhe pleqtë ia mbushën mendjen turmës që të kërkonte Baraban, dhe Jezusi të vritej. Dhe guvernatori duke vazhduar u tha atyre: ''Cilin nga të dy doni që t'ju liroj?''. Ata thanë: ''Baraban!''. Pilati u tha atyre: ''Ç'të bëj, pra, me Jezusin, që quhet Krisht?''. Të gjithë i thanë: ''Të kryqëzohet!''. Por guvernatori tha: ''Po ç'të keqe ka bërë?''. Mirëpo ata po bërtisnin edhe më fort: ''Të kryqëzohet!''. Atëherë Pilati, duke parë se nuk po arrinte gjë, madje se trazimi po shtohej gjithnjë e më shumë, mori ujë dhe i lau duart para turmës, duke thënë: ''Unë jam i pafaj për gjakun e këtij të drejti; mendojeni ju''. Dhe gjithë populli duke u përgjigjur tha: ''Le të jetë gjaku i tij mbi ne dhe mbi fëmijët tanë!''. Atëherë ai ua liroi atyre Baraban; dhe mbasi e fshikulloi Jezusin, ua dorëzoi, që të kryqëzohet.