Mateu 27:1-14
Mateu 27:1-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Në mëngjes herët të gjithë kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit vendosën së bashku ta dënonin Jezuin me vdekje. Pasi e lidhën, e morën e ia dorëzuan Pilatit, qeveritarit. Kur pa Juda, ai që e tradhtoi, se Jezuin e dënuan, u pendua, ia ktheu kryepriftit e pleqve tridhjetë monedhat e argjendta e u tha: «Kam mëkatuar se tradhtova gjakun e pafajshëm». Ata i thanë: «E ç'na duhet neve! Kjo është punë për ty». Pasi i hodhi monedhat e argjendta në tempull, u largua dhe shkoi e vari veten. Kryepriftërinjtë morën monedhat e argjendta e thanë: «Nuk është e lejueshme t'i vëmë këto para në thesarin e tempullit, sepse janë para gjaku». Atëherë vendosën të blinin me to arën e një poçari për ta bërë varrezë të huajsh. Për këtë arsye ajo arë është quajtur deri më sot «Ara e Gjakut». Kështu u përmbush çfarë qe thënë nga profeti Jeremi: i morën tridhjetë monedhat e argjendta, çmimi që kishin dhënë bijtë e Izraelit, e blenë me to Arën e Poçarit, siç më kishte urdhëruar Zoti. Jezui qëndronte para qeveritarit dhe ai e pyeti: «A je ti mbreti i judenjve?». Jezui i tha: «Ti vetë po e thua». Por, kur e padisnin kryepriftërinjtë dhe pleqtë, nuk jepte asnjë përgjigje. Atëherë Pilati i tha: «A nuk dëgjon sa gjëra po dëshmojnë kundër teje?». Por Jezui nuk iu përgjigj asnjë padie, gjë që e çuditi shumë qeveritarin.
Mateu 27:1-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kur erdhi mëngjesi, të gjithë krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit bënin këshill kundër Jezusit për ta vrarë. Dhe, mbasi e lidhën, e çuan dhe e dorëzuan në duart e Ponc Pilatit, guvernatorit. Atëherë Juda, që e kishte tradhtuar, kur pa se e dënuan Jezusin, u pendua dhe ua ktheu krerëve të priftërinjve dhe pleqve të tridhjetë siklat prej argjendi, duke thënë: ''Mëkatova duke tradhtuar gjakun e pafaj''. Por ata thanë: ''Po ne ç'na duhet? Punë për ty!''. Dhe ai, mbasi i hodhi siklat prej argjendi në tempull, u largua dhe shkoi e u var në litar. Por krerët e priftërinjve i mblodhën këta denarë dhe thanë: ''Nuk është e ligjshme t'i vëmë në thesarin e tempullit, sepse është çmim gjaku''. Dhe, mbasi bënin këshill, me këtë denar blenë arën e poçarit për varreza të të huajve. Prandaj këtë arë e quajtën deri ditën e sotme: "Ara e gjakut". Atëherë u përmbush ç'ishte thënë nga profeti Jeremia që thotë: ''Dhe i morën të tridhjetë monedhat prej argjendi, çmimin e atij që e çmuan, siç kishin çmuar bijtë e Izraelit; dhe i shpenzuan për arën e poçarit, ashtu si më urdhëroi Zoti''. Dhe Jezusi qëndroi para guvernatorit; dhe qeveritari e pyeti duke thënë: ''A je ti mbreti i judenjve?''. Dhe Jezusi i tha: ''Ti po thua!''. Pastaj krerët e priftërinjve dhe pleqtë e akuzuan, por ai nuk u përgjigjej fare. Atëherë Pilati i tha: ''A nuk po dëgjon sa gjëra po dëshmojnë kundër teje?''. Por ai nuk iu përgjigj në asnjë fjalë, kështu që guvernatori u çudit shumë.