Mateu 26:26-44
Mateu 26:26-44 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ndërsa po hanin, Jezui mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu, ua dha dishepujve e tha: «Merrni, hani, ky është trupi im». Mori edhe kupën e pasi tha lutjen e falënderimit, ua dha atyre e tha: «Pini të gjithë prej kësaj. Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes që derdhet për shumë njerëz për faljen e mëkateve. Unë po ju them se nuk do të pi më nga ky fryt i hardhisë, deri ditën që do ta pi të re së bashku me ju në mbretërinë e Atit tim». Si kënduan himne, shkuan në malin e Ullinjve. Pastaj Jezui u tha: «Në këtë natë unë do t'u bëhem pengesë të gjithëve ju, sepse është shkruar: do të godas bariun dhe delet e tufës do të shpërndahen. Por kur të ngjallem, do të shkoj përpara jush në Galile». Pjetri i tha: «Edhe nëse të gjithë do të bien, unë nuk do të bie kurrë». Jezui i tha: «Me të vërtetë po të them se po këtë natë, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë». Pjetri i tha: «Edhe nëse duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj». Kështu thanë të gjithë dishepujt. Pastaj Jezui shkoi bashkë me dishepujt në një vend që quhet Gjetsemani e u tha: «Rrini këtu, se unë po shkoj më tej për t'u lutur». Ai mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut e filloi të ndiente trishtim e ankth. Atëherë u tha: «Shpirti im është i trishtuar deri në vdekje. Qëndroni këtu e rrini zgjuar me mua». Pasi shkoi pak më tej, ra me fytyrë përdhe e u lut: «Ati im, po të jetë e mundur, largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë u bëftë jo si dua unë, por si do ti». Pastaj Jezui erdhi te dishepujt dhe i gjeti duke fjetur. Atëherë i tha Pjetrit: «Nuk mundët të rrinit zgjuar me mua as edhe një orë? Rrini zgjuar e lutuni që të mos bini në tundim, se shpirti është i gatshëm, por trupi është i dobët». Jezui shkoi për të dytën herë e u lut: «Ati im, nëse kjo kupë nuk mund të hiqet pa e pirë unë, atëherë u bëftë vullneti yt!». Kur u kthye, i gjeti përsëri duke fjetur, se u ishin rënduar sytë. Pasi u largua përsëri, shkoi e u lut për të tretën herë me të njëjtat fjalë.
Mateu 26:26-44 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, e bekoi, e theu, dhe ua dha dishepujve dhe tha: ''Merrni, hani; ky është trupi im''. Pastaj mori kupën, dhe falënderoi, dhe ua dha atyre duke thënë: ''Pini prej tij të gjithë, sepse ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë për faljen e mëkateve. Dhe unë po ju them, se që tani e tutje unë nuk do të pi më nga ky fryt i hardhisë, deri në atë ditë kur, bashkë me ju, do ta pi të re në mbretërinë e Atit tim''. Dhe, mbasi kënduan himnin, dolën jashtë te Mali i Ullinjve. Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Këtë natë të gjithë ju do të skandalizoheni për shkakun tim, sepse është shkruar: "Do të godas bariun dhe delet e kopesë do të shpërndahen". Por, mbasi të jem ngjallur, do të shkoj përpara jush në Galile''. Atëherë Pjetri duke u përgjigjur i tha: ''Edhe sikur të gjithë të skandalizohen për shkakun tënd, unë nuk do të skandalizohem kurrë!''. Jezusi i tha: ''Në të vërtetë po të them se pikërisht këtë natë, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë''. Pjetri i tha: ''Edhe sikur të duhej të vdisja bashkë me ty, nuk do të të mohoj kurrsesi''. Po atë thanë edhe të gjithë dishepujt. Atëherë Jezusi shkoi bashkë me ta në një vend, që quhej Gjetsemani, dhe u tha dishepujve: ''Uluni këtu, ndërsa unë po shkoi aty të lutem''. Dhe mori me vete Pjetrin dhe të dy djemtë e Zebedeut, dhe filloi të ndiejë trishtim dhe ankth të madh. Atëherë ai u tha atyre: ''Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar bashkë me mua''. Dhe, si shkoi pak përpara, ra me fytyrë për tokë dhe lutej duke thënë: ''Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti''. Pastaj u kthye te dishepujt dhe i gjeti që flinin, dhe i tha Pjetrit: ''Po si, nuk mundët të vigjëloni me mua të paktën për një orë? Rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos bini në tundim; sepse fryma është gati, por mishi është i dobët''. U largua përsëri për herë të dytë dhe u lut duke thënë: ''Ati im, në qoftë se nuk është e mundur që kjo kupë të largohet prej meje pa u pirë prej meje, u bëftë vullneti yt!''. Pastaj u kthye dhe i gjeti përsëri që flinin, sepse sytë u ishin rënduar. Dhe, mbasi i la ata, u largua përsëri dhe u lut për të tretën herë, duke thënë të njëjtat fjalë.