Mateu 25:31-46
Mateu 25:31-46 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
«Kur Biri i njeriut të vijë në lavdinë e tij bashkë me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e tij të lavdishëm. Të gjitha kombet do të mblidhen para tij dhe ai do t'i ndajë njërin nga tjetri, siç ndan bariu delet nga dhitë. Delet do t'i vërë në të djathtë, ndërsa dhitë në të majtë. Pastaj mbreti do t'u thotë atyre që janë në të djathtën e tij: “Ejani, o të bekuarit e Atit tim, trashëgojeni mbretërinë e përgatitur për ju që nga krijimi i botës, sepse pata uri e më dhatë për të ngrënë, pata etje e më dhatë për të pirë, isha i huaj e më pritët, isha i zhveshur e më veshët, isha i sëmurë dhe erdhët të më shihni, isha në burg dhe erdhët tek unë”. Atëherë të drejtët do t'i përgjigjen: “Zot, kur të pamë të uritur e të dhamë për të ngrënë? Ose të pamë të etur e të dhamë për të pirë? Dhe kur të pamë të huaj e të pritëm apo të zhveshur e të veshëm? Kur të pamë të sëmurë ose në burg dhe erdhëm te ti?”. Mbreti do t'u përgjigjet: “Me të vërtetë po ju them se sa herë e keni bërë këtë gjë për njërin nga këta vëllezërit e mi më të vegjël, ma keni bërë mua”. Pastaj do t'u thotë atyre që janë në të majtën e tij: “Largohuni prej meje, o të mallkuar, në zjarrin e amshuar që është përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij, sepse pata uri e nuk më dhatë për të ngrënë, pata etje e nuk më dhatë për të pirë, isha i huaj e nuk më pritët, isha i zhveshur e nuk më veshët, isha i sëmurë dhe në burg e nuk erdhët të më shihni”. Atëherë edhe ata do të përgjigjen: “O Zot, kur të pamë të uritur, të etur, të huaj, të zhveshur, të sëmurë apo në burg e nuk të shërbyem?”. Ai do t'u thotë: “Me të vërtetë po ju them se sa herë që nuk e keni bërë këtë për ndonjërin nga vëllezërit e mi më të vegjël, nuk ma keni bërë as mua”. Këta do të shkojnë në dënimin e amshuar, ndërsa të drejtët në jetën e amshuar».
Mateu 25:31-46 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
''Dhe kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij, bashkë me të gjithë engjëjt e shenjtë, atëherë do të ulet mbi fronin e lavdisë së vet. Dhe të gjithë kombet do të mblidhen para tij; dhe ai do ta ndajë njërin nga tjetri ashtu si i ndan bariu delet nga cjeptë. Dhe delet do t'i vërë në të djathtën e tij dhe cjeptë në të majtën. Atëherë Mbreti do t'u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: "Ejani, të bekuar të Atit tim; merrni në trashëgim mbretërinë që u bë gati për ju që nga krijimi i botës. Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët, isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit, isha në burg dhe erdhët tek unë". Atëherë të drejtët do t'i përgjigjen duke thënë: "Zot, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë; ose të etur dhe të dhamë për të pirë? Dhe kur të pamë të huaj dhe të pritëm ose të zhveshur dhe të veshëm? Dhe kur të pamë të lënguar ose në burg dhe erdhëm te ti?". Dhe Mbreti duke iu përgjigjur do t'u thotë: "Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua. Pastaj ai do t'u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtë: "Largohuni nga unë, të mallkuar, në zjarr të përjetshëm, të përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij. Sepse pata uri dhe nuk më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe nuk më dhatë për të pirë, isha i huaj dhe nuk më pritët, i zhveshur dhe nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg dhe nuk erdhët të më shihni". Atëherë edhe ata do t'i përgjigjen duke thënë: "Zot, kur të pamë të uritur ose të etur, ose të huaj, ose të zhveshur, ose të lëngatë ose në burg dhe nuk të shërbyem?". Atëherë ai do t'u përgjigjet atyre duke thënë: "Në të vërtetë ju them: sa herë nuk ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre më të vegjëlve, këtë nuk ma bëtë as edhe mua". Dhe ata do të shkojnë në mundim të përjetshëm, dhe të drejtët në jetën e përjetshme''.