Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 24:1-51 - Compare All Versions

Mateu 24:1-51 AL1 (Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK))

Kur Jezui doli nga tempulli e po largohej, erdhën dishepujt e i treguan ndërtesat e tempullit. Jezui u tha: «I shikoni të gjitha këto? Me të vërtetë po ju them se nuk do të mbesë gur mbi gur pa u rrëzuar». Kur Jezui po rrinte në malin e Ullinjve, erdhën dishepujt e i thanë veçmas: «Na thuaj, kur do të ndodhin këto dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e fundit të botës?». Jezui u tha: «Hapni sytë se mos ju mashtron njeri, se do të vijnë shumë veta në emrin tim e do të thonë: “Unë jam Krishti” e do të mashtrojnë shumë njerëz. Do të dëgjoni për luftra e lajme luftrash, por mos u tronditni. Këto duhet të ndodhin, por ky nuk do të jetë ende fundi. Një komb do të ngrihet kundër një kombi e një mbretëri kundër një mbretërie. Do të ketë zi buke e tërmete në disa vende, por ky do të jetë fillimi i dhimbjeve të lindjes. Do t'ju dorëzojnë në mundime e do t'ju vrasin dhe të gjitha kombet do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim. Do të ketë nga ata që do të rrëzohen, do të tradhtojnë e do të urrejnë njëri-tjetrin. Do të dalin shumë profetë të rremë e do të mashtrojnë shumë njerëz. Meqë do të përhapet paudhësia, do të ftohet dashuria e shumë vetëve. Por kush qëndron deri në fund, do të shpëtohet. Ky ungjill i mbretërisë do të shpallet në të gjithë botën si dëshmi për të gjitha kombet dhe atëherë do të vijë fundi». «Kur të shihni tmerrin e shkretimit në vendin e shenjtë, për të cilin ka folur profeti Daniel, “kush lexon le ta kuptojë”, atëherë ata që janë në Jude le të arratisen maleve. Ai që do të ndodhet mbi çati, të mos zbresë e të mos hyjë brenda për të marrë gjë nga shtëpia e tij! Ai që do të jetë në arë, të mos kthehet prapa për të marrë gunën! Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëkojnë fëmijë në ato ditë! Lutuni që arratia juaj të mos ndodhë në dimër apo të shtunën. Atëherë do të bjerë një mjerim aq i madh, sa nuk është parë nga fillimi i botës e deri tani dhe të tillë mjerim nuk do të ketë më kurrë. Po të mos shkurtoheshin ato ditë, nuk do të shpëtonte asnjeri, por për hir të të zgjedhurve ato ditë do të shkurtohen. Nëse dikush ju thotë: “Ja ku është Krishti!” ose: “Ja, është këtu!”, mos i besoni. Do të dalin krishtë të rremë e profetë të rremë, që do të bëjnë shenja të mëdha e mrekulli, që mundësisht të mashtrojnë edhe të zgjedhurit, por, ja, unë ju paralajmërova. Prandaj, nëse ju thonë: “Ja, është në shkretëtirë!”, mos shkoni atje. Po të thonë: “Ja, është fshehur në qilar!”, mos u besoni. Biri i njeriut do të vijë si vetëtima që vetëtin nga lindja në perëndim. Ku është kërma, mblidhen edhe skifterët». «Fill pas pikëllimit të atyre ditëve, dielli do të errësohet e hëna nuk do të japë dritë. Yjet do të bien nga qielli e pushtetet qiellore do të tranden. Atëherë do të shfaqet në qiell shenja e Birit të njeriut dhe të gjitha fiset e tokës do të mbajnë zi e do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me pushtet e me lavdi të madhe. Do të buçasë trumbeta e madhe dhe ai do të dërgojë engjëjt e tij në të katër anët e tokës për të mbledhur të zgjedhurit, nga njëri skaj në skajin tjetër të botës». «Mësoni nga shëmbëlltyra e fikut. Sapo dega e tij bëhet e njomë e nxjerr gjethe, ju e dini se po afrohet vera. Kështu edhe ju kur t'i shihni të gjitha këto gjëra, ta dini se fundi është afër, te dera. Me të vërtetë po ju them se kjo brezni nuk do të kalojë pa ndodhur të gjitha këto gjëra. Qielli e toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë». «Askush nuk e di atë ditë apo atë orë. As engjëjt e qiejve, as Biri, por vetëm Ati. Siç ishte në ditët e Noeut, kështu do të jetë edhe ardhja e Birit të njeriut. Ashtu sikurse gjatë atyre ditëve përpara përmbytjes njerëzit hanin e pinin, martoheshin e martonin, deri në ditën kur Noeu hyri në arkë, dhe nuk dinin gjë derisa erdhi përmbytja e i zhduku, kështu do të jetë edhe ardhja e Birit të njeriut. Atëherë, prej dy vetave që do të gjenden në arë, njëri do të merret e tjetri do të lihet. Prej dy grave që do të jenë te mulliri për të bluar, njëra do të merret e tjetra do të lihet. Prandaj rrini zgjuar, se nuk e dini në ç'ditë vjen Zoti. Po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç'orë të natës do të vinte vjedhësi, do të rrinte zgjuar e nuk do të lejonte t'i vidhej shtëpia. Prandaj jini gati, se Biri i njeriut do të vijë në një orë që nuk e prisni». «Cili është ai shërbëtor besnik e i mençur, të cilin i zoti e ka vënë mbi shërbëtorët e tjerë për t'u dhënë ushqimin në kohën e duhur? Lum ai shërbëtor që kur të vijë i zoti, do ta gjejë duke vepruar kështu. Me të vërtetë po ju them se këtij shërbëtori do t'ia besojë të gjitha pasuritë e veta. Por, nëse ai shërbëtor i mbrapshtë thotë me vete: “Zotëria im po vonohet” dhe fillon të rrahë shërbëtorët e tjerë e ha e pi me të dehurit, atëherë i zoti i këtij shërbëtori do të vijë ditën që ai nuk e pret e në orën që ai nuk e di, do ta dënojë ashpër e do ta hedhë atje ku dënohen hipokritët. Aty do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh».

Mateu 24:1-51 ALBB (Bibla Shqip 1994)

Tani kur Jezusi doli nga tempulli dhe po largohej, dishepujt e tij iu afruan për t'i treguar ndërtesat e tempullit. Por Jezusi u tha atyre: ''A nuk i shikoni ju të gjitha këto? Në të vërtetë po ju them se këtu nuk do të mbetet asnjë gur mbi gur që nuk do të rrënohet''. Pastaj, kur ai u ul të rrinte në malin e Ullinjve, dishepujt e vet iu afruan mënjanë dhe i thanë: ''Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra? Dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e mbarimit të botës?''. Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha atyre: ''Ruhuni se mos ju mashtron ndokush! Sepse shumë do të vijnë në emrin tim, duke thënë: "Unë jam Krishti" dhe do të mashtrojnë shumë njerëz. Atëherë do të dëgjoni të flitet për lufta dhe për ushtima luftash; ruhuni të mos shqetësoheni, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin, por ende mbarimi nuk do të ketë ardhur. Do të ngrihet, pra, popull kundër populli dhe mbretëri kundër mbretërie; do të ketë zi buke, murtajë dhe tërmete në vende të ndryshme. Por të gjitha këto gjëra do të jenë vetëm fillimi i dhembjeve të lindjes. Atëherë do t'ju dorëzojnë në mundime dhe do t'ju vrasin; dhe të gjithë kombet do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim. Atëherë shumë do të skandalizohen, do ta tradhtojnë njëri-tjetrin dhe do të urrejnë njëri-tjetrin. Dhe do të dalin shumë profetë të rremë, dhe do të mashtrojnë shumë njerëz. Dhe, duke qenë se paudhësia do të shumohet, shumëkujt do t'i ftohet dashuria; por ai që do të ngulmojë deri në fund do të shpëtohet. Dhe ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në gjithë botën si një dëshmi për gjithë kombet, dhe atëherë do të vijë mbarimi''. ''Kur të shihni, pra, neverinë e shkretimit, që është parathënë nga profeti Daniel, që ka zënë vend në vendin e shenjtë (kush lexon le ta kuptojë), atëherë ata që janë në Jude, le të ikin ndër male. Kush ndodhet mbi tarracën e shtëpisë, të mos zbresë për të marrë diçka në shtëpinë e vet; dhe kush është ndër ara, të mos kthehet për të marrë mantelin e tij. Por mjerë gratë shtatzëna dhe ato që do t'u japin gji fëmijëve në ato ditë! Dhe lutuni që ikja juaj të mos ndodhë në dimër, as të shtunën, sepse atëherë do të ketë një mundim aq të madh, sa nuk ka ndodhur kurrë që nga krijimi i botës e deri më sot, dhe as nuk do të ketë më kurrë! Dhe, po të mos shkurtoheshin ato ditë, asnjë mish nuk do të shpëtonte; por për shkak të të zgjedhurve, ato ditë do të shkurtohen. Atëherë, në qoftë se dikush do t'ju thotë: "Ja, Krishti është këtu", ose "Është atje", mos i besoni. Sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë, dhe do të bëjnë shenja të mëdha dhe mrekulli të tilla aq sa t'i mashtrojnë, po të ishte e mundur, edhe të zgjedhurit. Ja, unë ju paralajmërova. Pra, në qoftë se ju thonë: "Ja, është në shkretëtirë", mos shkoni atje: "Ja, është në dhomat e fshehta", mos u besoni. Sepse, si vetëtima që del nga lindja dhe flakëron deri në perëndim, kështu do të jetë ardhja e Birit të njeriut. Sepse ku të ketë kërma, aty do të mblidhen shqiponjat''. ''Tani, fill pas pikëllimit të atyre ditëve, dielli do të erret dhe hëna nuk do të japë dritën e vet, yjet do të bien nga qielli dhe fuqitë e qiejve do të tronditen. Dhe atëherë do të duket në qiell shenja e Birit të njeriut; dhe të gjitha kombet e dheut do të mbajnë zi dhe do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe. Ai do t'i dërgojë engjëjt e vet me tinguj të fuqishëm borie; dhe ata do t'i mbledhin të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, nga një skaj i qiellit te tjetri. Tani mësoni nga fiku këtë shëmbëlltyrë: kur tashmë degët e tij njomësohen dhe nxjerrin gjethet, ta dini se vera është afër. Kështu edhe ju, kur t'i shihni të gjitha këto gjëra, ta dini se ai është afër, madje te dera. Në të vërtetë po ju them se ky brez nuk do të kalojë, pa u realizuar të gjitha këto. Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë. Tani sa për atë ditë dhe për atë orë, askush s'e di, as engjëjt e qiejve, por vetëm Ati im. Por, ashtu si qe në ditët e Noeut, kështu do të jetë edhe në ardhjen e Birit të njeriut. Sepse, ashtu si në ditët përpara përmbytjes, njerëzit hanin dhe pinin, martoheshin dhe martonin, derisa Noeu hyri në arkë; dhe nuk kuptuan asgjë, derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë; kështu do të ndodhë në ardhjen e Birit të njeriut. Atëherë dy do të jenë në arë, një do të merret dhe tjetri do të lihet. dy gra do të bluajnë në mulli, një do të merret dhe tjetra do të lihet. Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini në cilën orë do të vijë Zoti juaj. Por dijeni këtë, se ta dinte i zoti i shtëpisë në çfarë orë të natës do të vijë vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të lejonte t'i shpërthehej shtëpia. Prandaj edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk mendoni''. ''Cili është, pra, ai shërbëtor besnik dhe i mençur, që zotëria e tij e caktoi përmbi shtëpiarët e vet, për t'u dhënë atyre ushqimin në kohën e duhur? Lum ai shërbëtor që, kur të kthehet zotëria e tij, e gjen duke bërë kështu. Në të vërtetë po ju them se ai do t'ia besojë administrimin e gjithë pasurisë së vet. Por, në qoftë se ky shërbëtor i mbrapshtë, thotë në zemër të vet: "Zotëria im vonon të vijë", dhe fillon t'i rrahë shokët e vet dhe të hajë e të pijë me pijanecët; zotëria e këtij shërbëtori do të vijë në atë ditë kur ai nuk e pret dhe në atë orë kur ai nuk e di; do ta ndëshkojë rëndë dhe do t'i rezervojë fatin e hipokritëve. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh''.