Mateu 24:1-14
Mateu 24:1-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kur Jezui doli nga tempulli e po largohej, erdhën dishepujt e i treguan ndërtesat e tempullit. Jezui u tha: «I shikoni të gjitha këto? Me të vërtetë po ju them se nuk do të mbesë gur mbi gur pa u rrëzuar». Kur Jezui po rrinte në malin e Ullinjve, erdhën dishepujt e i thanë veçmas: «Na thuaj, kur do të ndodhin këto dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e fundit të botës?». Jezui u tha: «Hapni sytë se mos ju mashtron njeri, se do të vijnë shumë veta në emrin tim e do të thonë: “Unë jam Krishti” e do të mashtrojnë shumë njerëz. Do të dëgjoni për luftra e lajme luftrash, por mos u tronditni. Këto duhet të ndodhin, por ky nuk do të jetë ende fundi. Një komb do të ngrihet kundër një kombi e një mbretëri kundër një mbretërie. Do të ketë zi buke e tërmete në disa vende, por ky do të jetë fillimi i dhimbjeve të lindjes. Do t'ju dorëzojnë në mundime e do t'ju vrasin dhe të gjitha kombet do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim. Do të ketë nga ata që do të rrëzohen, do të tradhtojnë e do të urrejnë njëri-tjetrin. Do të dalin shumë profetë të rremë e do të mashtrojnë shumë njerëz. Meqë do të përhapet paudhësia, do të ftohet dashuria e shumë vetëve. Por kush qëndron deri në fund, do të shpëtohet. Ky ungjill i mbretërisë do të shpallet në të gjithë botën si dëshmi për të gjitha kombet dhe atëherë do të vijë fundi».
Mateu 24:1-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Tani kur Jezusi doli nga tempulli dhe po largohej, dishepujt e tij iu afruan për t'i treguar ndërtesat e tempullit. Por Jezusi u tha atyre: ''A nuk i shikoni ju të gjitha këto? Në të vërtetë po ju them se këtu nuk do të mbetet asnjë gur mbi gur që nuk do të rrënohet''. Pastaj, kur ai u ul të rrinte në malin e Ullinjve, dishepujt e vet iu afruan mënjanë dhe i thanë: ''Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra? Dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e mbarimit të botës?''. Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha atyre: ''Ruhuni se mos ju mashtron ndokush! Sepse shumë do të vijnë në emrin tim, duke thënë: "Unë jam Krishti" dhe do të mashtrojnë shumë njerëz. Atëherë do të dëgjoni të flitet për lufta dhe për ushtima luftash; ruhuni të mos shqetësoheni, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin, por ende mbarimi nuk do të ketë ardhur. Do të ngrihet, pra, popull kundër populli dhe mbretëri kundër mbretërie; do të ketë zi buke, murtajë dhe tërmete në vende të ndryshme. Por të gjitha këto gjëra do të jenë vetëm fillimi i dhembjeve të lindjes. Atëherë do t'ju dorëzojnë në mundime dhe do t'ju vrasin; dhe të gjithë kombet do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim. Atëherë shumë do të skandalizohen, do ta tradhtojnë njëri-tjetrin dhe do të urrejnë njëri-tjetrin. Dhe do të dalin shumë profetë të rremë, dhe do të mashtrojnë shumë njerëz. Dhe, duke qenë se paudhësia do të shumohet, shumëkujt do t'i ftohet dashuria; por ai që do të ngulmojë deri në fund do të shpëtohet. Dhe ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në gjithë botën si një dëshmi për gjithë kombet, dhe atëherë do të vijë mbarimi''.