Mateu 23:1-22
Mateu 23:1-22 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Atëherë Jezui u tha turmave e dishepujve: «Shkruesit e farisenjtë janë ulur në katerdrën e Moisiut. Bëni e zbatoni gjithçka që ju thonë ata, por mos veproni sipas veprave të tyre, se nuk veprojnë siç thonë. Lidhin barrë të rënda që mbahen me vështirësi e ua vënë njerëzve mbi shpatulla, por vetë nuk duan t'i lëvizin as me gisht. Të gjitha veprat i bëjnë për t'u dukur para njerëzve. Thekët i mbajnë të gjera e cepat e petkut të gjata. U pëlqen të kenë vendin e nderit nëpër festa dhe vendet e para nëpër sinagoga. Duan që njerëzit t'i përshëndesin nëpër sheshe e t'i thërrasin “mësues”. Por ju mos lejoni t'ju thërrasin mësues, sepse një është mësuesi juaj dhe ju jeni të gjithë vëllezër. Mos quani askënd mbi tokë atë, se Ati juaj është një: ai që është në qiell. Mos lejoni t'ju thërrasin prijës, se e keni një prijës, Krishtin. Kush është më i madhi ndër ju, të jetë shërbëtori juaj. Kush lartëson veten, përulet dhe kush përul veten, lartësohet». «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë, që u mbyllni njerëzve mbretërinë e qiellit! As vetë nuk hyni brenda e as lejoni të hyjnë ata që duan». «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë, që përshkoni detin e tokën për të kthyer një njeri në besim dhe më pas e bëni bir të Gehenës dy herë më shumë se veten tuaj!». «Mjerë ju, o udhërrëfyes të verbër, që thoni: “Nëse dikush betohet për tempullin, s'ka gjë, por nëse betohet për arin e tempullit, është i detyruar ta mbajë betimin”. Të marrë e të verbër! Çfarë është më i rëndësishëm, ari apo tempulli që e shenjtëron arin? Ju thoni: “Nëse dikush betohet për altarin, s'ka gjë, por nëse betohet për dhuratën që gjendet mbi altar, është i detyruar të mbajë betimin”. Të verbër! Çfarë është më e rëndësishme, dhurata apo altari që e shenjtëron dhuratën? Sepse kush betohet për altarin, betohet për të dhe për gjithçka që gjendet mbi altar. Kush betohet për tempullin, betohet për të dhe për atë që banon në tempull. Kush betohet për qiellin, betohet për fronin e Perëndisë dhe për atë që rri ulur mbi fron».
Mateu 23:1-22 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atëherë Jezusi u foli turmave dhe dishepujve të vet, duke thënë: ''Skribët dhe farisenjtë ulen mbi katedrën e Moisiut. Zbatoni, pra, dhe bëni gjithçka t'ju thonë të zbatoni; por mos bëni si bëjnë ata, sepse thonë, por nuk e bëjnë. Por lidhin barrë të rënda që barten me vështirësi, dhe ua vënë mbi kurrizin e njerëzve; Por ata nuk duan të luajnë vetë as me gisht. Por të gjitha veprat e tyre i bëjnë për t'u dukur nga njerëzit; i zgjerojnë filateritë e tyre dhe i zgjatin thekët e rrobave të tyre. Duan kryet e vendit në gosti dhe vendet e para në sinagoga, si edhe përshëndetjet në sheshe dhe të quhen rabi, rabi nga njerëzit. Por ju mos lejoni që t'ju quajnë rabi, sepse vetëm një është mësuesi juaj: Krishti, dhe ju të gjithë jeni vëllezër. Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd atë tuaj, sepse vetëm një është Ati juaj, ai që është në qiej. As mos lejoni që t'ju quajnë udhëheqës, sepse vetëm një është udhëheqësi juaj: Krishti. Dhe më i madhi prej jush le të jetë shërbëtori juaj. Sepse kush do të lartësojë veten, do të poshtërohet; dhe kush do të përulë veten, do të lartësohet. Por mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse mbyllni mbretërinë e qiejve para njerëzve; sepse as ju nuk hyni, as nuk i lini të hyjnë ata që janë për të hyrë. Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse gllabëroni shtëpitë e të vejave dhe për sy e faqe bëni lutje të gjata; për këtë arsye ju do të pësoni një dënim më të rreptë. Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse përshkoni detin dhe dheun për të bërë një proselit, dhe kur ndokush bëhet i tillë, e bëni bir të Gehenas dhe dy herë më të keq se ju! Mjerë ju, udhëheqës të verbër, që thoni: "Në qoftë se dikush betohet për tempullin, kjo s'është gjë; por në qoftë se betohet për arin e tempullit, është i detyruar". Të marrë dhe të verbër! Sepse cili është më i madh: ari apo tempulli që e shenjtëron arin? Dhe në qoftë se dikush betohet për altarin, s'është gjë; por në qoftë se betohet për ofertën që është mbi të, është i detyruar". Të marrë dhe të verbër! Sepse cila është më e madhe, oferta apo altari që e shenjtëron ofertën? Ai, pra, që betohet për altarin, betohet për të dhe për çdo gjë që është përmbi të! Ai që betohet për tempullin, betohet për të dhe për atë që banon atje. Dhe ai që betohet për qiellin, betohet për fronin e Perëndisë dhe për atë që është ulur mbi të.