Mateu 23:1-12
Mateu 23:1-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Atëherë Jezui u tha turmave e dishepujve: «Shkruesit e farisenjtë janë ulur në katerdrën e Moisiut. Bëni e zbatoni gjithçka që ju thonë ata, por mos veproni sipas veprave të tyre, se nuk veprojnë siç thonë. Lidhin barrë të rënda që mbahen me vështirësi e ua vënë njerëzve mbi shpatulla, por vetë nuk duan t'i lëvizin as me gisht. Të gjitha veprat i bëjnë për t'u dukur para njerëzve. Thekët i mbajnë të gjera e cepat e petkut të gjata. U pëlqen të kenë vendin e nderit nëpër festa dhe vendet e para nëpër sinagoga. Duan që njerëzit t'i përshëndesin nëpër sheshe e t'i thërrasin “mësues”. Por ju mos lejoni t'ju thërrasin mësues, sepse një është mësuesi juaj dhe ju jeni të gjithë vëllezër. Mos quani askënd mbi tokë atë, se Ati juaj është një: ai që është në qiell. Mos lejoni t'ju thërrasin prijës, se e keni një prijës, Krishtin. Kush është më i madhi ndër ju, të jetë shërbëtori juaj. Kush lartëson veten, përulet dhe kush përul veten, lartësohet».
Mateu 23:1-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atëherë Jezusi u foli turmave dhe dishepujve të vet, duke thënë: ''Skribët dhe farisenjtë ulen mbi katedrën e Moisiut. Zbatoni, pra, dhe bëni gjithçka t'ju thonë të zbatoni; por mos bëni si bëjnë ata, sepse thonë, por nuk e bëjnë. Por lidhin barrë të rënda që barten me vështirësi, dhe ua vënë mbi kurrizin e njerëzve; Por ata nuk duan të luajnë vetë as me gisht. Por të gjitha veprat e tyre i bëjnë për t'u dukur nga njerëzit; i zgjerojnë filateritë e tyre dhe i zgjatin thekët e rrobave të tyre. Duan kryet e vendit në gosti dhe vendet e para në sinagoga, si edhe përshëndetjet në sheshe dhe të quhen rabi, rabi nga njerëzit. Por ju mos lejoni që t'ju quajnë rabi, sepse vetëm një është mësuesi juaj: Krishti, dhe ju të gjithë jeni vëllezër. Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd atë tuaj, sepse vetëm një është Ati juaj, ai që është në qiej. As mos lejoni që t'ju quajnë udhëheqës, sepse vetëm një është udhëheqësi juaj: Krishti. Dhe më i madhi prej jush le të jetë shërbëtori juaj. Sepse kush do të lartësojë veten, do të poshtërohet; dhe kush do të përulë veten, do të lartësohet.