Mateu 22:1-9
Mateu 22:1-9 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jezui filloi t'u fliste përsëri me shëmbëlltyra: «Mbretëria e qiejve i ngjan mbretit që bëri dasmë për të birin. Ai dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur ata që ishin ftuar në dasmë, por këta nuk donin të vinin. Përsëri dërgoi shërbëtorë të tjerë e u tha: “U thoni të ftuarve se gostia është gati. Demat e bagëtitë e majme i kam therur dhe gjithçka është përgatitur. Ejani në dasmë”. Por këta nuk u vunë vesh e shkuan kush në arën e vet e kush për punët e veta, ndërsa të ftuarit e tjerë i kapën shërbëtorët, i rrahën dhe i vranë. Mbreti u zemërua dhe dërgoi ushtarët e vet, që i vranë ata vrasës dhe i vunë zjarrin qytetit të tyre. Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: “Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë, prandaj dilni nëpër udhëkryqe e ftoni në dasmë këdo që të gjeni”.
Mateu 22:1-9 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe Jezusi, nisi përsëri t'u flasë atyre me shëmbëlltyra, duke thënë: ''Mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti, i cili përgatiti dasmën e të birit. Dhe dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur të ftuarit në dasmë, por ata nuk deshën të vijnë. Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: "U thoni të ftuarve: Ja unë e kam shtruar drekën time, viçat e mi dhe bagëtia ime e majmur janë therur dhe gjithçka është gati; ejani në dasmë". Por ata, pa e përfillur, shkuan: dikush në arën e vet e dikush në punët e veta. Dhe të tjerët, mbasi kapën shërbëtorët e tij, i shanë dhe i vranë. Mbreti atëherë, kur dëgjoi këtë, u zemërua dhe dërgoi ushtritë e veta për të shfarosur ata gjakësorë dhe dogji qytetin e tyre. Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: "Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë. Shkoni, pra, në udhëkryqe dhe ftoni në dasmë këdo që të gjeni."