Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 21:33-44

Mateu 21:33-44 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

«Dëgjoni një shëmbëlltyrë tjetër: i zoti i një shtëpie mbolli një vresht, e rrethoi me gardh, hapi një gropë për të shtrydhur rrushin dhe ngriti një kullë. Vreshtin ua dha me qira disa vreshtarëve dhe u largua në një vend të huaj. Kur afroi koha e të vjelave, dërgoi shërbëtorët e vet te vreshtarët që të merrnin pjesën e tij të prodhimit. Por vreshtarët i kapën shërbëtorët dhe njërin e rrahën, tjetrin e vranë dhe një tjetër e vranë me gurë. U dërgoi edhe shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët, por vreshtarët bënë të njëjtën gjë me ta. Pastaj dërgoi të birin duke thënë: “Për tim bir do të kenë respekt”. Por kur panë të birin, vreshtarët i thanë njëri-tjetrit: “Ky është trashëgimtari. Ejani ta vrasim e t'i marrim trashëgiminë”. Atëherë e kapën, e nxorën jashtë vreshtit dhe e vranë. Kur të vijë i zoti i vreshtit, çfarë do t'u bëjë këtyre vreshtarëve?». Ata i thanë: «Do t'i vrasë pa mëshirë vreshtarët e këqij dhe vreshtin do t'ua japë vreshtarëve të tjerë që do t'ia japin të vjelat në kohën e duhur». Jezui u tha: «A nuk keni lexuar kurrë në Shkrime: guri që ndërtuesit e hodhën tej, u bë guri i qoshes. Kjo është vepra e Zotit dhe është e mrekullueshme në sytë tanë ». Prandaj po ju them: «Mbretëria e Perëndisë do t'ju hiqet juve e do t'i jepet një kombi që do të japë fryte në të. Kushdo që bie mbi këtë gur do të copëtohet dhe, nëse ai gur bie mbi ndonjërin, do ta thërrmojë».

Mateu 21:33-44 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

''Dëgjoni një shëmbëlltyrë tjetër: Ishte një pronar shtëpie, i cili mbolli një vresht, e rrethoi me gardh, gërmoi një vend ku të shtrydhte rrushin, ndërtoi një kullë dhe, mbasi ua besoi disa vreshtarëve, u nis në një vend të huaj. Dhe kur erdhi koha e të vjelave, ai dërgoi shërbëtorët e vet te vreshtarët, për të marrë frutat e tij, por vreshtarët i kapën shërbëtorët e tij, njërin e rrahën, një tjetër e vranë dhe një tjetër e vranë me gurë. Përsëri, ai dërgoi shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët, dhe këta vreshtarët i trajtuan në të njëjtën mënyrë. Më në fund ai i dërgoi atyre birin e vet duke thënë: "Për djalin tim do të kenë respekt!". Por vreshtarët, kur e panë të birin, i thanë njëri-tjetrit: "Ky është trashëgimtari; ejani, ta vrasim dhe marrim si pronë trashëgiminë e tij". Dhe e kapën, e nxorën jashtë nga vreshti dhe e vranë. Tani, kur të vijë i zoti i vreshtit, çfarë do t'u bëjë këtyre vreshtarëve?''. Ata i thanë: ''Ai do t'i vrasë keqas ata faqezinj dhe do t'ua besojë vreshtin vreshtarëve të tjerë, të cilët do t'i japin prodhimet në kohën e vet''. Jezusi u tha atyre: ''A nuk keni lexuar kurrë në Shkrimet: "Guri, që ndërtuesit e nxorën të papërdorshëm, u bë guri i qoshes. Kjo është vepër e Zotit, dhe është e mrekullueshme në sytë tonë"? Prandaj unë po ju them se juve do t'ju hiqet mbretëria e Perëndisë dhe do t'i jepet një kombi që do ta bëjë të japë fryt. Dhe ai që do të bjerë mbi këtë gur do të bëhet copë-copë; dhe ai mbi të cilin do të bjerë ai do të jetë i thërrmuar''.