Mateu 21:23-32
Mateu 21:23-32 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jezui kishte hyrë në tempull e po mësonte njerëzit kur kryepriftërinjtë e pleqtë shkuan tek ai dhe e pyetën: «Me ç'pushtet i bën këto gjëra? Kush ta ka dhënë këtë pushtet?». Jezui u tha: «Edhe unë kam një pyetje për ju. Nëse më përgjigjeni, atëherë edhe unë do t'ju tregoj me ç'pushtet i bëj këto gjëra. Prej nga vinte pagëzimi i Gjonit? Prej qiellit apo prej njerëzve?». Atëherë ata i thanë njëri-tjetrit: «Po të themi “prej qiellit”, do të na thotë: “Pse nuk i besuat atij?”. Po të themi “prej njerëzve”, kemi frikë nga turma, se të gjithë e mbajnë Gjonin për profet». Prandaj i thanë Jezuit: «Nuk e dimë». Dhe Jezui u tha: «As unë nuk ju them se me ç'pushtet i bëj këto gjëra». «Më thoni, si e mendoni këtë gjë: një njeri kishte dy djem. Shkoi tek i pari e i tha: “Bir, shko e puno në vresht sot”. Ai iu përgjigj: “Nuk dua”. Por më vonë u pendua e shkoi. Shkoi te djali tjetër e i tha të njëjtën gjë. Ai iu përgjigj: “Po, imzot”, por nuk shkoi. Cili nga të dy bëri vullnetin e të atit?». Ata iu përgjigjën: «I pari». Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them: tagrambledhësit e laviret do të shkojnë përpara jush në mbretërinë e Perëndisë. Gjoni erdhi te ju në udhën e drejtësisë e ju nuk i besuat, por tagrambledhësit e laviret i besuan. Ndërsa ju, edhe pasi e patë këtë gjë, nuk ndërruat mendje e nuk besuat».
Mateu 21:23-32 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kur hyri në tempull, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit iu afruan, ndërsa i mësonte, dhe i thanë: ''Me ç'pushtet i bën ti këto gjëra? Dhe kush ta ka dhënë këtë pushtet?''. Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Edhe unë do t'ju bëj një pyetje, dhe në qoftë se ju do të më përgjigjeshit, unë gjithashtu do t'ju them me ç'pushtet i kryej këto gjëra. Pagëzimi i Gjonit nga erdhi? Nga qielli apo nga njerëzit?''. Dhe ata arsyetonin midis tyre duke thënë: ''Po t'i themi nga qielli, do të na thotë: "Përse atëherë nuk i besuat?". Në qoftë se i themi nga njerëzit, kemi frikë nga turma, sepse të gjithë e konsiderojnë Gjonin profet''. Dhe iu përgjigjën Jezusit duke thënë: ''Nuk e dimë''. Atëherë ai u tha atyre: ''As unë nuk do t'ju them me ç'pushtet i bëj këto gjëra". ''Ç'mendoni? Një njeri kishte dy bij dhe duke iu drejtuar të parit tha: "Bir, shko sot të punosh në vreshtin tim"; por ai u përgjigj dhe tha: "Nuk dua"; por më vonë, i penduar, shkoi. Pastaj iu kthye të dytit dhe i tha të njëjtën gjë. Dhe ai u përgjigj dhe tha: "Po, imzot, do ta bëj", por nuk shkoi. Cili nga të dy e kreu vullnetin e të atit?''. Ata i thanë: ''I pari''. Jezusi u tha atyre: ''Në të vërtetë ju them se tagrambledhësit dhe prostitutat hyjnë para jush në mbretërinë e qiejve. Sepse Gjoni erdhi tek ju në rrugën e drejtësisë, dhe iu nuk i besuat, ndërsa tagrambledhësit dhe prostitutat i besuan; as mbasi i keni parë këto gjëra, nuk u penduat për t'i besuar''.