Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 20:17-34

Mateu 20:17-34 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Kur po shkonte në Jerusalem, Jezui mori mënjanë dymbëdhjetë dishepujt dhe gjatë rrugës u tha: «Ja, ne po shkojmë në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t'u dorëzohet kryepriftërinjve e shkruesve. Ata do ta dënojnë me vdekje, do t'ua dorëzojnë kombeve që ta tallin, ta fshikullojnë e ta kryqëzojnë, por ditën e tretë ai do të ngjallet». Atëherë erdhi te Jezui nëna e bijve të Zebedeut bashkë me djemtë e saj, i ra në gjunjë dhe i kërkoi diçka. Jezui i tha: «Çfarë dëshiron?». Ajo i tha: «Urdhëro që këta dy djemtë e mi të ulen njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde, në mbretërinë tënde». Por Jezui iu përgjigj: «Ju nuk dini çfarë kërkoni. A mund ta pini ju kupën që do të pi unë?». Ata iu përgjigjën: «Mundemi». Jezui u tha: «Kupën time do ta pini, por që të uleni në të djathtën e në të majtën time nuk më takon mua ta vendos, sepse vendet u takojnë atyre që ua ka bërë gati Ati im». Kur e dëgjuan këtë gjë, dhjetë të tjerët u zemëruan me dy vëllezërit. Por Jezui i thirri pranë vetes e u tha: «Ju e dini se krerët e kombeve sundojnë mbi ta dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë pushtet mbi ta. Me ju nuk duhet të ndodhë kështu, por nëse dikush nga ju dëshiron të bëhet i madh, le të bëhet shërbëtori juaj dhe nëse dikush dëshiron të jetë i pari, le të jetë shërbëtori juaj, sikurse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t'i shërbejnë, por për të shërbyer e për të dhënë jetën e vet si shpengim për shumë njerëz». Kur po dilnin nga Jerikoja, Jezuin po e ndiqte një turmë e madhe. Dy të verbër që rrinin ulur në anë të rrugës, kur dëgjuan se po kalonte Jezui, bërtitën: «Ki mëshirë për ne, o Zot, Biri i Davidit!». Turma i qortoi që të heshtnin, por ata bërtitën edhe më fort: «Ki mëshirë për ne, o Zot, Biri i Davidit!». Jezui ndaloi, i thirri e u tha: «Çfarë doni të bëj për ju?». Ata i thanë: «Zot, duam të na hapen sytë!». Jezui ndjeu dhembshuri për ta e u preku sytë. Atyre iu kthye menjëherë shikimi e shkuan pas tij.

Mateu 20:17-34 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj, kur Jezusi po ngjitej në Jeruzalem, i mori mënjanë të dymbëdhjetë dishepujt gjatë rrugës dhe u tha atyre: ''Ja, ne ngjitemi në Jeruzalem dhe Biri i njeriut do t'u dorëzohet krerëve të priftërinjve dhe skribëve, dhe ata do ta dënojnë me vdekje. Do t'ua dorëzojnë pastaj në duart e paganëve që ta tallin, ta fshikullojnë dhe ta kryqëzojnë; por ai ditën e tretë do të ringjallet''. Atëherë nëna e bijve të Zebedeut iu afrua bashkë me bijtë e vet, ra përmbys para tij dhe i kërkoi diçka. Dhe ai i tha: ''Çfarë do?''. Ajo u përgjigj: ''Urdhëro që këta dy bijtë e mi të ulen njeri në të djathtën dhe tjetri në të majtën në mbretërinë tënde''. Dhe Jezusi, duke u përgjigjur tha: ''Ju nuk dini çfarë kërkoni; a mund ta pini ju kupën që unë do të pi dhe të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë do të pagëzohem? Ata i thanë: ''Po, mundemi''. Atëherë ai u tha atyre: ''Ju me të vërtetë do ta pini kupën time dhe do të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë do të pagëzohem; por nuk është në dorën time që të uleni në të djathtën time ose në të majtën time, por u është rezervuar atyre, të cilëve u është përgatitur nga Ati im''. Kur i dëgjuan këto fjalë, të dhjetët të tjerët u indinjuan kundër të dy vëllezërve. Dhe Jezusi i thirri ata pranë vetes dhe u tha: ''Ju e dini se të parët e kombeve i sundojnë ato dhe të mëdhenjtë përdorin pushtet mbi ato, por midis jush kështu nuk do të ndodhë; madje secili prej jush që do të dojë të bëhet i madh, qoftë shërbëtori juaj; dhe kushdo prej jush që do të dojë të jetë i pari, qoftë skllavi juaj. Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t'i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve. Kur po dilnin nga Jeriko, një turmë e madhe e ndoqi. Dhe ja, dy të verbër që uleshin gjatë rrugës, kur dëgjuan se po kalonte Jezusi, filluan të bërtasin duke thënë: ''Ki mëshirë për ne, Zot, Biri i Davidit''. Por turma i qortoi që të heshtnin; por ata bërtisnin edhe më fort duke thënë: ''Ki mëshirë për ne, Zot, Biri i Davidit!''. Atëherë Jezusi ndaloi, i thirri dhe tha: ''Çfarë doni të bëj për ju?''. Ata i thanë: ''Zot, të na hapen sytë!''. Dhe Jezusi pati mëshirë për ta dhe ua preku sytë e tyre; dhe në atë çast u erdhi drita e syve dhe ata e ndiqnin.