Mateu 18:1-9
Mateu 18:1-9 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Atëherë dishepujt erdhën te Jezui dhe e pyetën: «Kush është më i madhi në mbretërinë e qiejve?». Jezui thirri një fëmijë, e vuri mes tyre e tha: «Me të vërtetë po ju them se, nëse nuk ktheheni e nuk bëheni si fëmijë, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve. Kush përulet si ky fëmijë, ai është më i madhi në mbretërinë e qiejve. Kush pranon në emrin tim një fëmijë si ky, më pranon mua». «Nëse dikush i bëhet pengesë njërit prej këtyre të vegjëlve që besojnë në mua, për atë do të ishte më mirë të lidhte në qafë një mokër e të mbytej thellë në det. Mjerë bota për gjërat që bëhen pengesë! Pengesat duhet të vijnë, por mjerë ai njeri që i shkakton ato! Nëse dora apo këmba jote të bëhet pengesë, prije e hidhe tej. Është më mirë të hysh i gjymtuar ose i çalë në jetën e vërtetë, sesa t'i kesh të dyja duart dhe këmbët e të të hedhin në zjarrin e amshuar. Dhe nëse syri yt të bëhet pengesë, nxirre e hidhe tej. Është më mirë të hysh me një sy në jetën e vërtetë, sesa t'i kesh të dy sytë e të të hedhin në Gehenën e zjarrit».
Mateu 18:1-9 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Në atë orë dishepujt iu afruan Jezusit dhe e pyetën: ''Kush është, pra, më i madhi në mbretërinë e qiejve?''. Dhe Jezusi, pasi thirri një fëmijë të vogël pranë vetes, e vuri në mes tyre dhe tha: ''Në të vërtetë po ju them: në qoftë se nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve. Kush, pra, do të përulet si ky fëmijë i vogël, do të jetë më i madhi në mbretërinë e qiejve. Dhe kushdo që e pranon një fëmijë të vogël si ky në emrin tim, më pranon mua. Por ai që do të skandalizojë një prej këtyre të vegjëlve që besojnë tek unë, do të jetë më mirë për atë t'i varet në qafë një gur mulliri (që e sjell rrotull gomari) dhe të zhytet në thellësi të detit. Mjerë bota për skandalet! Sepse është nevojshëm të vijnë skandalet, por mjerë ai njeri për faj të të cilit do të vijë skandali! Tani në qoftë se dora jote ose këmba jote të skandalizohet për mëkat, preje dhe flake nga vetja; është më mirë për ty të hysh në jetë dorëcung ose i çalë, se sa të kesh dy duar dhe dy këmbë dhe të hidhesh në zjarr të përjetshëm. Po ashtu, në qoftë se syri yt të skandalizohet për mëkat, nxirre dhe hidhe larg teje; është më mirë për ty të hysh në jetë vetëm me një sy se sa t'i kesh të dy dhe të të hedhin në Gehena të zjarrit.