Mateu 17:1-9
Mateu 17:1-9 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pas gjashtë ditësh Jezui mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe vëllanë e tij, Gjonin, e i çoi në një mal të lartë, në një vend të vetmuar. Atëherë ai u shndërrua para tyre. Fytyra i shkëlqeu si dielli dhe rrobat iu bënë të bardha si drita. Pastaj atyre iu shfaqën Moisiu dhe Elia duke folur me Jezuin. Pjetri i tha Jezuit: «Zot, sa mirë që jemi këtu! Nëse dëshiron, do të ngre këtu tri tenda, një për ty, një për Moisiun e një për Elinë». Ndërsa ishte ende duke folur, një re e shndritshme i mbuloi me hijen e saj dhe një zë nga reja tha: «Ky është Biri im i dashur, me të cilin jam i kënaqur. Dëgjojeni!». Kur e dëgjuan këtë, dishepujt ranë me fytyrë përdhe dhe i zuri një frikë e madhe. Por Jezui u afrua, i preku e u tha: «Ngrihuni e mos kini frikë!». Kur ngritën sytë, nuk panë askënd përveç Jezuit. Kur po zbrisnin nga mali, Jezui i urdhëroi: «Mos i thoni askujt çfarë keni parë, derisa Biri i njeriut të ngjallet prej të vdekurve».
Mateu 17:1-9 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Mbas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllanë e tij, dhe i çoi mbi një mal të lartë, në vetmi; dhe u shpërfytyrua përpara tyre: fytyra e tij shkëlqeu si dielli dhe rrobat e tij u bënë të bardha si drita. Dhe ja, iu shfaqën atyre Moisiu dhe Elia, të cilët bisedonin me të. Atëherë Pjetri, duke marrë fjalën, i tha Jezusit: ''Zot, është mirë që ne jemi këtu; po të duash, do të ngremë këtu tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian''. Ndërsa ai fliste akoma, ja një re plot dritë i mbuloi; dhe nga reja u dëgjua një zë që thoshte: ''Ky është Biri im i dashur, në të jam kënaqur: dëgjojeni!''. Dhe dishepujt, sapo e dëgjuan këtë, ranë me fytyrë për tokë dhe i zuri një frikë e madhe. Por Jezusi u afrua, i preku dhe tha: ''Çohuni dhe mos kini frikë!''. Dhe ata, kur i çuan sytë, nuk panë njeri, përveç Jezusit vetëm. Pastaj, kur po zbrisnin nga mali, Jezusi u dha atyre këtë urdhër duke thënë: ''Mos i flisni askujt për këtë vegim, derisa i Biri i njeriut të jetë ringjallur prej së vdekuri''.