Mateu 17:1-20
Mateu 17:1-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pas gjashtë ditësh Jezui mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe vëllanë e tij, Gjonin, e i çoi në një mal të lartë, në një vend të vetmuar. Atëherë ai u shndërrua para tyre. Fytyra i shkëlqeu si dielli dhe rrobat iu bënë të bardha si drita. Pastaj atyre iu shfaqën Moisiu dhe Elia duke folur me Jezuin. Pjetri i tha Jezuit: «Zot, sa mirë që jemi këtu! Nëse dëshiron, do të ngre këtu tri tenda, një për ty, një për Moisiun e një për Elinë». Ndërsa ishte ende duke folur, një re e shndritshme i mbuloi me hijen e saj dhe një zë nga reja tha: «Ky është Biri im i dashur, me të cilin jam i kënaqur. Dëgjojeni!». Kur e dëgjuan këtë, dishepujt ranë me fytyrë përdhe dhe i zuri një frikë e madhe. Por Jezui u afrua, i preku e u tha: «Ngrihuni e mos kini frikë!». Kur ngritën sytë, nuk panë askënd përveç Jezuit. Kur po zbrisnin nga mali, Jezui i urdhëroi: «Mos i thoni askujt çfarë keni parë, derisa Biri i njeriut të ngjallet prej të vdekurve». Atëherë dishepujt e pyetën: «Përse thonë shkruesit se duhet të vijë më parë Elia?». Jezui u përgjigj: «Po, Elia po vjen dhe ai do të vërë gjithçka në vendin e vet. Madje po ju them se Elia ka ardhur, por ata nuk e njohën e bënë me të çfarë deshën. Kështu do të vuajë edhe Biri i njeriut prej tyre». Atëherë dishepujt e kuptuan se po u fliste për Gjon Pagëzorin. Kur arritën te turma, Jezuit iu afrua një njeri, i ra në gjunjë e i tha: «Zot, ki mëshirë për tim bir, se ka sëmundjen e tokës dhe vuan shumë. Shpeshherë bie në zjarr e në ujë. Ua solla dishepujve të tu, por ata nuk mundën ta shëronin». Jezui tha: «O brezni e pafe dhe e mbrapshtë! Edhe sa kohë do të jem me ju? Deri kur do t'ju duroj? Sillmani këtu!». Jezui e qortoi djallin. Atëherë djalli doli prej djaloshit dhe ai u shërua në çast. Pastaj dishepujt erdhën te Jezui dhe, kur ishin vetëm, i thanë: «Pse ne nuk mundëm ta dëbonim?». Ai u tha: «Për shkak të besimit tuaj të pakët. Me të vërtetë po ju them se po të kishit besim sa një farë sinapi, do t'i thoshit këtij mali “lëviz që këtej” dhe ai do të lëvizte. Asgjë nuk do të ishte e pamundur për ju».
Mateu 17:1-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Mbas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllanë e tij, dhe i çoi mbi një mal të lartë, në vetmi; dhe u shpërfytyrua përpara tyre: fytyra e tij shkëlqeu si dielli dhe rrobat e tij u bënë të bardha si drita. Dhe ja, iu shfaqën atyre Moisiu dhe Elia, të cilët bisedonin me të. Atëherë Pjetri, duke marrë fjalën, i tha Jezusit: ''Zot, është mirë që ne jemi këtu; po të duash, do të ngremë këtu tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian''. Ndërsa ai fliste akoma, ja një re plot dritë i mbuloi; dhe nga reja u dëgjua një zë që thoshte: ''Ky është Biri im i dashur, në të jam kënaqur: dëgjojeni!''. Dhe dishepujt, sapo e dëgjuan këtë, ranë me fytyrë për tokë dhe i zuri një frikë e madhe. Por Jezusi u afrua, i preku dhe tha: ''Çohuni dhe mos kini frikë!''. Dhe ata, kur i çuan sytë, nuk panë njeri, përveç Jezusit vetëm. Pastaj, kur po zbrisnin nga mali, Jezusi u dha atyre këtë urdhër duke thënë: ''Mos i flisni askujt për këtë vegim, derisa i Biri i njeriut të jetë ringjallur prej së vdekuri''. Atëherë dishepujt e tij e pyetën duke thënë: ''Vallë pse skribët thonë se duhet të vijë më parë Elia?''. Dhe Jezusi u përgjigj: ''Vërtetë Elia duhet të vijë më parë dhe të rivendosë çdo gjë. Por unë ju them se Elia ka ardhur dhe ata nuk e kanë njohur, madje u sollën me të si deshën; kështu edhe Birit të njeriut do t'i duhet të vuajë prej tyre''. Atëherë dishepujt e kuptuan se u kishte folur për Gjon Pagëzorin. Kur arritën afër turmës, një burrë iu afrua dhe, duke u gjunjëzuar para tij, tha: ''Zot, ki mëshirë për birin tim, sepse është epileptik dhe vuan shumë; shpesh ai bie në zjarr dhe shpesh në ujë. Tani unë e solla te dishepujt e tu, por ata nuk mundën ta shërojnë''. Dhe Jezusi duke u përgjigjur tha: ''O brez që nuk beson dhe i çoroditur! Deri kur do të qëndroj midis jush? Deri kur do t'ju duroj? E sillni këtu tek unë''. Atëherë Jezusi e qortoi demonin dhe ky doli nga djali; dhe që nga ai çast djali u shërua. Atëherë dishepujt iu afruan Jezusit mënjanë dhe i thanë: ''Përse ne nuk ishim në gjendje ta dëbonim?''. Dhe Jezusi u tha atyre: ''Prej mosbesimit tuaj; sepse në të vërtetë, unë po ju them, se po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t'i thoni këtij mali: "Zhvendosu nga këtu atje", dhe ai do të zhvendoset; dhe asgjë nuk do të jetë e pamundshme për ju.