Mateu 16:1-12
Mateu 16:1-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Atëherë erdhën farisenjtë e saducenjtë dhe, për ta vënë në provë Jezuin, i kërkuan një shenjë nga qielli. Por ai iu përgjigj: «Kur bie mbrëmja, ju thoni se do të bëjë mot i mirë, sepse qielli është i kuq. Ndërsa në agim thoni: “Sot kemi stuhi, se qielli është i kuq e i vranët”. Ju që dini të shpjegoni dukuritë e qiellit, nuk mundkeni të shpjegoni shenjat e kohës? Kjo brezni e ligë dhe e pafe kërkon shenjë, por asaj nuk do t'i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së Jonait». Pastaj u largua prej tyre. Kur arritën në bregun tjetër, dishepujt panë se kishin harruar të merrnin bukë. Atëherë Jezui u tha: «Kini kujdes e ruhuni nga tharmi i farisenjve e saducenjve». Ndërsa ata i thanë njëri-tjetrit: «Nuk kemi marrë bukë me vete». Por Jezui e dinte këtë gjë e u tha: «Çfarë po i thoni njëri-tjetrit, o besimpakë? Se nuk keni bukë? Nuk kuptoni? A nuk ju kujtohen pesë bukët që iu ndamë pesë mijë vetave e sesa shporta mblodhët? Po shtatë bukët që iu ndamë katër mijë vetave? Sa shporta mblodhët? Si nuk e kuptoni që nuk ju fola për bukën? Ruhuni, pra, prej tharmit të farisenjve e saducenjve». Atëherë e kuptuan se nuk u kishte thënë të ruheshin nga tharmi i bukës, por nga mësimi i farisenjve e saducenjve.
Mateu 16:1-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pastaj iu afruan farisenjtë dhe saducenjtë dhe, për ta tunduar, i kërkuan që t'u tregojë një shenjë nga qielli. Por ai iu përgjigj atyre dhe tha: ''Në mbrëmje ju thoni: "Do të jetë mot i mirë, sepse qielli është i kuq". Dhe në mëngjes thoni: "Sot do të jetë stuhi, sepse qielli është i kuq dhe i vranët". Hipokritë, pra, ju dini të dalloni dukuritë e qiellit, por nuk arrini të kuptoni shenjat e kohës? Një brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës kërkon një shenjë, por nuk do t'i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së profetit Jona''. Dhe i la ata dhe shkoi. Kur dishepujt e vet arritën në bregun tjetër, ja që kishin harruar të marrin bukë me vete. Dhe Jezusi u tha atyre: ''Kini kujdes dhe ruhuni nga majaja e farisenjve dhe e saducenjve!''. Dhe ata arsyetuan ndërmjet tyre duke thënë: ''Se nuk kemi marrë bukë''. Por Jezusi i vuri re e iu tha atyre: ''O njerëz besimpakë, përse diskutoni ndërmjet jush që nuk keni marrë bukë? Nuk e keni kuptuar akoma dhe nuk kujtoni të pesë bukët për pesë mijë burrat dhe sa kosha keni mbledhur? Dhe të shtatë bukët për katër mijë burra dhe sa kosha keni mbushur? Si nuk kuptoni që nuk e kisha fjalën për bukën kur ju thashë të ruheni nga majaja e farisenjve dhe saducenjve?''. Atëherë ata e kuptuan se ai nuk u kishte thënë të ruheshin nga majaja e bukës, por nga doktrina e farisenjve dhe të saducenjve.