Mateu 14:13-23
Mateu 14:13-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kur i dëgjoi këto, Jezui u largua që andej me varkë dhe u tërhoq mënjanë në një vend të shkretë. Por turmat, kur e morën vesh, i shkuan pas më këmbë nga qytetet. Si arriti në breg, pa një turmë të madhe. Ndjeu dhembshuri për ta dhe shëroi të sëmurët e tyre. Në mbrëmje erdhën dishepujt e i thanë: «Ky vend është i shkretë e tashmë është bërë vonë. Lëri turmat të shkojnë nëpër fshatra e të blejnë ushqim». Jezui u tha: «Nuk është nevoja të shkojnë, jepuni ju të hanë». Ata i thanë: «Ne kemi vetëm pesë bukë e dy peshq me vete». Jezui tha: «M'i sillni këtu». Pastaj, si i urdhëroi turmat të uleshin në bar, mori pesë bukët e dy peshqit, ngriti sytë drejt qiellit, tha lutjen e bekimit, theu bukën, ua dha dishepujve dhe dishepujt ua dhanë turmave. Të gjithë hëngrën e u ngopën. Me copat e bukës që tepruan u mbushën plot dymbëdhjetë shporta. Ata që hëngrën ishin rreth pesë mijë burra, përveç grave e fëmijëve. Pastaj Jezui u dha urdhër dishepujve të hipnin në varkë e të shkonin përpara tij në bregun tjetër, derisa ai të shpërndante turmat. Pasi shpërndau turmat, u ngjit i vetëm në mal për t'u lutur. Në mbrëmje ai ishte ende aty i vetëm
Mateu 14:13-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kur Jezusi i dëgjoi këto, u nis që andej me një barkë dhe u tërhoq në vetmi, në një vend të shkretë. Dhe turmat, kur e morën vesh, e ndiqnin në këmbë nga qytetet. Dhe Jezusi, kur doli nga barka, pa një turmë të madhe, pati dhembshuri për të dhe shëroi ata që ishin të sëmurë. Pastaj në mbrëmje dishepujt e tij iu afruan dhe i thanë: ''Ky vend është i shkretë dhe u bë vonë; lejo turmat të shkojnë nëpër fshatra për të blerë ushqime''. Por Jezusi u tha atyre: ''Nuk është nevoja të shkojnë; u jepni juve të hanë''. Dhe ata i thanë: ''Ne këtu nuk kemi tjetër përveç pesë bukë dhe dy peshq''. Dhe ai u tha: ''M'i sillni këtu''. Atëherë i urdhëroi që turmat të ulen mbi bar; pastaj i mori pesë bukët dhe dy peshqit dhe, pasi i çoi sytë drejt qiellit, i bekoi; i ndau bukët dhe ua dha dishepujve, dhe dishepujt turmave. Dhe të gjithë hëngrën dhe u ngopën; pastaj dishepujt mblodhën tepricat në dymbëdhjetë kosha plot. Dhe ata që hëngrën ishin rreth pesë mijë burra, pa i numëruar gratë dhe fëmijët. Fill pas kësaj Jezusi i detyroi dishepujt e vet të hyjnë në barkë dhe t'i prijnë në bregun tjetër, derisa ai t'i lëshojë turmat. Mbasi i nisi ato, u ngjit vetëm mbi mal për t'u lutur. Dhe kur u ngrys ai gjendej aty, i vetëm fare.