Mateu 14:1-9
Mateu 14:1-9 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Atëherë Herod Tetrarku dëgjoi për Jezuin e u tha shërbëtorëve të vet: «Ky është Gjon Pagëzori. Ai është ngjallur prej të vdekurve, prandaj veprojnë këto fuqi në të». Në të vërtetë Herodi e kishte kapur Gjonin, e kishte lidhur dhe e kishte futur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet, sepse Gjoni i kishte thënë: «Nuk të lejohet ta marrësh për grua». Herodi donte ta vriste, por kishte frikë nga populli që e mbante Gjonin për profet. Por kur festohej ditëlindja e Herodit, vajza e Herodiadës kërceu para të ftuarve dhe i pëlqeu Herodit aq shumë, sa i premtoi me betim t'i jepte çfarëdo që t'i kërkonte. Ajo, e shtyrë nga e ëma, tha: «Më jep këtu në një pjatë kokën e Gjon Pagëzorit». Mbretit i erdhi keq, por, për shkak të betimit dhe të të ftuarve, urdhëroi t'ia jepnin.
Mateu 14:1-9 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Në atë kohë Herodi, tetrarku, mori vesh famën e Jezusit, dhe u tha shërbëtorëve të vet: ''Ky është Gjon Pagëzori; ai u ngjall së vdekuri dhe prandaj fuqitë e mbinatyrshme veprojnë në të''. Herodi, në fakt, e kishte arrestuar Gjonin, i kishte hedhur prangat dhe e kishte futur në burg, për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet. Sepse Gjoni i thoshte: ''Nuk është e lejueshme të bashkëjetosh me të!''. Dhe, ndonëse donte ta vriste, Herodi kishte frikë nga populli që e konsideronte Gjonin profet. Kur po festohej ditëlindja e Herodit, e bija e Herodiadës vallëzoi përpara tij dhe i pëlqeu Herodit aq shumë, sa ai i premtoi asaj me betim se do t'i jepte çfarëdo që t'i kërkonte. Dhe ajo, e shtyrë nga e ëma, tha: ''Ma jep këtu, mbi një pjatë, kokën e Gjon Pagëzorit''. Mbretit i erdhi keq, po për shkak të betimit dhe të ftuarve që ishin me të në tryezë, urdhëroi që t'ia japin.