Mateu 13:37-50
Mateu 13:37-50 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ai u përgjigj: «Ai që mbjell farën e mirë është Biri i njeriut, ara është bota dhe farat e mira janë bijtë e mbretërisë, ndërsa egjra janë bijtë e të ligut. Armiku që i ka mbjellë është djalli. Të korrat janë fundi i botës, ndërsa korrësit janë engjëjt. Ashtu siç mblidhet e digjet me zjarr egjra, kështu do të ndodhë në fundin e botës. Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e tij dhe ata do të mbledhin e do të hedhin jashtë mbretërisë gjithçka që bëhet pengesë e të gjithë ata që bëjnë paudhësi dhe do t'i hedhë në furrën e zjarrit. Atje do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh. Pastaj të drejtët do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre. Kush ka veshë, le të dëgjojë». «Mbretëria e qiejve ngjan me një thesar të fshehur në një arë. Një njeri, pasi e gjeti, e mbuloi dhe plot gëzim shkoi e shiti gjithçka që kishte dhe e bleu atë arë. Mbretëria e qiejve ngjan edhe me një tregtar që kërkon margaritarë të bukur, i cili, me të gjetur një margaritar të shtrenjtë, shkoi, shiti gjithçka pati dhe e bleu. Mbretëria e qiejve ngjan edhe me një rrjetë që është hedhur në liqen dhe ka mbledhur peshq të çdo lloji. Kur u mbush plot, e nxorën në breg, u ulën dhe i mblodhën peshqit e mirë në enë dhe të këqijtë i hodhën përjashta. Kështu do të ndodhë në fundin e botës. Engjëjt do të dalin e do të ndajnë të këqijtë nga të drejtët, e do t'i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh».
Mateu 13:37-50 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe ai duke u përgjigjur u tha atyre: ''Ai që mbjell farën e mirë është Biri i njeriut. Ara është bota, fara e mirë janë bijtë e mbretërisë dhe egjra janë bijtë e të ligut, dhe armiku që e ka mbjellë është djalli, ndërsa korrja është fundi i botës dhe korrësit janë engjëjt. Ashtu si mblidhet egjra dhe digjet në zjarr, kështu, do të ndodhë në mbarimin e botës. Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e vet dhe ata do të mbledhin nga mbretëria e tij gjithë skandalet dhe ata që bëjnë paudhësi, dhe do t'i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh. Atëherë të drejtit do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre. Kush ka veshë për të dëgjuar, të dëgjojë!''. ''Përsëri, mbretëria e qiejve i ngjan një thesari të fshehur në një arë, që një njeri që e ka gjetur e fsheh; dhe, nga gëzimi që ka, shkon, shet gjithçka që ka dhe e blen atë arë. Akoma mbretëria e qiejve i ngjan një tregtari që shkon të kërkojë margaritarë të bukur. Dhe, kur gjen një margaritar me vlerë të madhe, shkon dhe shet gjithçka që ka dhe e blen. Mbretëria e qiejve i ngjan gjithashtu një rrjete të hedhur në det, që mbledh gjithfarë lloje gjërash. Kur ajo është mbushur, peshkatarët e nxjerrin atë në breg, ulen dhe mbledhin në kosha ç'është e mirë, por i hedhin ata që nuk janë të mirë. Kështu do të ndodhë në mbarimin e botës; do të vijnë engjëjt dhe do t'i ndajnë të mbrapshtit nga të drejtët; dhe do t'i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh''.