Mateu 13:24-30
Mateu 13:24-30 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pastaj u tregoi një shëmbëlltyrë tjetër: «Mbretëria e qiejve i ngjan një njeriu që mbolli farën e mirë në fushën e vet, por ndërsa njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër në mes të grurit e u largua. Kështu, kur bimët u rritën e dhanë fryt, atëherë u duk edhe egjra. Shërbëtorët e të zotit të shtëpisë erdhën e i thanë: “Zotëri, a nuk mbolle farë të mirë në fushën tënde? Nga na doli egjra?”. Ai u tha: “Këtë e ka bërë armiku”. Shërbëtorët i thanë: “A do që të shkojmë e ta mbledhim?”. Por ai u tha: “Jo, sepse duke mbledhur egjrën, bashkë me të mund të shkulni edhe grurin. Le të rriten të dyja bashkë deri në të korra dhe kur të vijë koha e të korrave, do t'u them korrësve: korrni më parë egjrën, lidheni në tufëza për t'i djegur, ndërsa grurin mblidheni në grunar”».
Mateu 13:24-30 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ai u propozoi atyre një shëmbëlltyrë tjetër: ''Mbretëria e qiejve i ngjan një njeriu që mbolli farë të mirë në arën e vet. Por, ndërsa njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër nëpër grurë dhe iku. Kur më pas gruri u rrit dhe jepte fryt u duk edhe egjra. Dhe shërbëtorët e padronit të shtëpisë iu afruan atij dhe i thanë: "Zot, a nuk ke mbjellë farë të mirë në arën tënde? Vallë nga doli egjra? Dhe ai u tha atyre: "Këtë e ka bërë armiku". Atëherë shërbëtorët i thanë: "A do ti të shkojmë e ta shkulim?". Por ai tha: "Jo, kam frikë se, duke shkulur egjrën, bashkë me të, do të shkulni edhe grurin. I lini të rriten bashkë deri në të korra. Në kohën e korrjes unë do t'u them korrësve: Mblidhni më parë egjrën, lidheni në duaj për ta djegur; por grurin futeni në hambarin tim"''.