Mateu 12:22-28
Mateu 12:22-28 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pastaj i sollën një shurdhmemec të verbër, të pushtuar nga djalli. Jezui e shëroi dhe ai filloi të fliste e të shikonte. Të gjithë njerëzit u mahnitën e thanë: «A mos është ky Biri i Davidit?». Por kur e dëgjuan këtë gjë, farisenjtë thanë: «Ky i dëbon djajtë vetëm me fuqinë e Beelzebulit, kryetarit të djajve». Jezui, që i njihte mendimet e tyre, u tha: «Çdo mbretëri e përçarë shkretohet dhe asnjë qytet a shtëpi që është e përçarë nuk mund të qëndrojë në këmbë. Nëse Satani dëbon Satanin, do të thotë se është i përçarë. E si mund të qëndrojë, atëherë, mbretëria e tij? Nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Beelzebulit, me ndihmën e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Prandaj këta do të jenë gjykatësit tuaj. Por, nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Shpirtit të Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur te ju.
Mateu 12:22-28 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atëherë i paraqitën një të demonizuar, që ishte i verbër dhe memec; dhe ai e shëroi, kështu që i verbëri e memeci fliste dhe shikonte. Dhe mbarë turmat çuditeshin dhe thoshin: ''A mos është ky i Biri i Davidit?''. Por farisenjtë, kur e dëgjuan këtë, thanë: ''Ky i dëbon demonët vetëm me fuqinë e Beelzebubit, princit të demonëve''. Dhe Jezusi, duke njohur mendimet e tyre, u tha: ''Çdo mbretëri, që përçahet në vetvete, shkon drejt shkatërrimit; dhe çdo qytet ose shtëpi, që përçahet në vetvete, nuk shkon gjatë. Atëherë, në qoftë se Satani dëbon Satanin, ai është përçarë në vetvete, dhe si mund të qëndrojë mbretëria e tij? Dhe në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Beelzebubit, me ndihmën e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuaj. Por, në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Frymës së Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur në mes tuaj.