Mateu 12:1-8
Mateu 12:1-8 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Një të shtunë Jezui po ecte përmes një fushe me grurë. Dishepujt e tij ishin të uritur e filluan të këpusnin kallinj gruri e të hanin. Por, kur farisenjtë e panë këtë gjë, i thanë Jezuit: «Ja, dishepujt e tu po bëjnë çka nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën». Jezui u tha: «A nuk e keni lexuar çfarë bëri Davidi kur e mori uria, atë dhe ata që ishin me të? Sesi hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e kushtimit që nuk lejohej t'i hante as ai e as ata që ishin me të, por vetëm priftërinjtë? Apo, nuk e keni lexuar në ligj sesi priftërinjtë ditën e shtunë e thyejnë ligjin e së shtunës në tempull dhe janë të pafajshëm? Por unë po ju them se këtu është dikush më i madh se tempulli. Dhe po ta kishit ditur se çfarë do të thotë: dëshiroj mëshirën e jo flijimin, nuk do të kishit dënuar të pafajshmit. Biri i njeriut është Zot i të shtunës».
Mateu 12:1-8 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Në atë kohë Jezusi po ecte një të shtunë nëpër arat me grurë; dhe dishepujt e vet, të uritur, filluan të këpusin kallinj dhe t'i hanë. Por farisenjtë, kur panë këtë, i thanë: ''Ja, dishepujt e tu po bëjnë atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën''. Dhe ai u tha atyre: ''A nuk keni lexuar vallë se ç'bëri Davidi kur pati uri, ai dhe ata që qenë me të? Si ai hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e paraqitjes, të cilat nuk lejohej t'i hante as ai e as ata që ishin me të, por vetëm priftërinjtë? Apo nuk keni lexuar në ligj që në tempull, të shtunave, priftërinjtë e shkelin të shtunën dhe megjithatë nuk mëkatojnë? Dhe unë po ju them se këtu është një më i madh se tempulli. Dhe, po të dinit se çfarë do të thotë: "Unë dua mëshirë dhe jo flijime", nuk do të kishit dënuar të pafajshmit. Sepse Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës''.