Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 1:1-25

Mateu 1:1-25 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Libri i breznive të Jezu Krishtit, birit të Davidit, birit të Abrahamit. Abrahamit i lindi Isaku, Isakut i lindi Jakobi, Jakobit i lindi Juda dhe vëllezërit e tij. Judës i lindën prej Tamarës Faresi e Zara, Faresit i lindi Hesromi, Hesromit i lindi Arami, Aramit i lindi Aminadabi, Aminadabit i lindi Naasoni, Naasonit i lindi Salmoni, Salmonit i lindi Boezi prej Rahabës, Boezit i lindi Jobedi prej Rutës, Jobedit i lindi Jeseu, Jeseut i lindi Davidi, mbreti. Davidit i lindi Solomoni nga gruaja e Uriahut, Solomonit i lindi Roboami, Roboamit i lindi Abiu, Abiut i lindi Asafi, Asafit i lindi Josafati, Josafatit i lindi Jorami, Joramit i lindi Ozia, Ozisë i lindi Joatami, Joatamit i lindi Akazi, Akazit i lindi Ezekia, Ezekisë i lindi Manaseu, Manaseut i lindi Amosi, Amosit i lindi Josia, Josisë i lindi Jehonia dhe vëllezërit e tij, në kohën e shpërnguljes në Babiloni. Pas shpërnguljes në Babiloni, Jehonisë i lindi Salatieli, Salatielit i lindi Zorobabeli, Zorobabelit i lindi Abiudi, Abiudit i lindi Eliakimi, Eliakimit i lindi Azori, Azorit i lindi Sadoku, Sadokut i lindi Akimi, Akimit i lindi Eliudi, Eliudit i lindi Eleazari, Eleazarit i lindi Matani, të cilit i lindi Jakobi. Jakobit i lindi Jozefi, burri i Marisë, prej së cilës lindi Jezui, i quajtur Krisht. Breznitë nga Abrahami deri te Davidi janë gjithsej katërmbëdhjetë, nga Davidi deri te shpërngulja në Babiloni katërmbëdhjetë dhe nga shpërngulja në Babiloni deri te Krishti, katërmbëdhjetë brezni. Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu: Maria, nëna e tij, ishte e fejuar me Jozefin, por përpara se të bashkoheshin, ajo mbeti shtatzënë nga Shpirti i shenjtë. Meqenëse Jozefi, burri i saj, ishte njeri i drejtë e nuk donte ta turpëronte, vendosi ta ndante fshehurazi. Ndërsa po mendonte këto gjëra, një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr e i tha: «Jozef, bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh për grua Marinë. Fëmija që është ngjizur në të është nga Shpirti i shenjtë. Ajo do të lindë një djalë dhe ti do t'ia vësh emrin Jezu, sepse ai do ta shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre». E gjithë kjo ndodhi që të përmbushej çfarë kishte thënë Zoti nëpërmjet profetit: virgjëresha do të ngjizet e do të lindë një djalë që do të quhet Emanuel, që e përkthyer do të thotë: Perëndia është me ne. Kur u zgjua nga gjumi, Jozefi bëri siç e kishte urdhëruar engjëlli i Zotit dhe e mori Marinë për grua, por nuk pati marrëdhënie me të, derisa ajo lindi të birin, të cilit Jozefi ia vuri emrin Jezu.

Mateu 1:1-25 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Libri i gjenealogjisë së Jezu Krishtit, birit të Davidit, birit të Abrahamit. Abrahamit i lindi Isaku; Isakut i lindi Jakobi; Jakobit i lindi Juda dhe vëllezërit e tij. Judës i lindi nga Tamara Faresi dhe Zara; Faresit i lindi Esromi; Esromit i lindi Arami; Aramit i lindi Aminadabi; Aminadabit i lindi Naasoni; Naasonit i lindi Salmoni. Salmonit i lindi Boozi nga Rahabi; Boozit i lindi Obedi nga Ruthi; Obedit i lindi Jeseu. Jeseut i lindi Davidi mbret; mbretit David i lindi Salomoni nga ajo që kishte qenë bashkëshortja e Urias. Salomonit i lindi Roboami; Roboamit i lindi Abia; Abias i lindi Asai. Asait i lindi Jozafati; Jozafatit i lindi Jorami; Joramit i lindi Ozia. Ozias i lindi Joatami; Joatamit i lindi Akazi; Akazit i lindi Ezekia. Ezekias i lindi Manaseu; Manaseut i lindi Amoni; Amonit i lindi Josia. Josias i lindi Jekonia dhe vëllezërit e tij në kohën e internimit në Babiloni. Pas internimit në Babiloni Jekonias i lindi Salatieli; Salatielit i lindi Zorobabeli. Zorobabelit i lindi Abiudi; Abiudit i lindi Eliakimi; Eliakimit i lindi Azori. Azorit i lindi Sadoku; Sadokut i lindi Akimi; Akimit i lindi Eliudi. Eliudit i lindi Eleazari, Eleazarit i lindi Matthani, Matthanit i lindi Jakobi. Jakobit i lindi Jozefi, bashkëshorti i Marisë, nga e cila lindi Jezusi, që quhet Krisht. Kështu të gjithë brezat nga Abrahami deri te Davidi bëhen katërmbëdhjetë breza; dhe, nga Davidi deri te internimi në Babiloni, katërmbëdhjetë breza; dhe, nga internimi në Babiloni deri te Krishti, katërmbëdhjetë breza. Tani lindja e Jezu Krishtit ndodhi në këtë mënyrë: Maria, nëna e tij, i ishte premtuar Jozefit, por para se të fillonin të rrinin bashkë, mbeti shtatzënë nga Fryma e Shenjtë. Atëherë Jozefi, i fejuari i saj, i cili ishte njeri i drejtë dhe nuk donte ta poshtëronte botërisht, vendosi ta linte fshehtas. Por, ndërsa bluante me vete këto çështje, ja që iu shfaq në ëndërr një engjëll i Zotit dhe i tha: ''Jozef, bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh me vete Marinë si gruan tënde, sepse ç'është ngjizur në të është vepër e Frymës së Shenjtë. Dhe ajo do të lindë një djalë dhe ti do t'i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre''. E gjithë kjo ndodhi që të përmbushej fjala e Zotit, e thënë me anë të profetit që thotë: ''Ja, virgjëresha do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë, të cilit do t'i venë emrin Emanuel, që do të thotë: "Perëndia me ne"''. Dhe Jozefi, si u zgjua nga gjumi, veproi ashtu siç e kishte urdhëruar engjëlli i Zotit dhe e mori pranë vetes gruan e tij; por ai nuk e njohu, derisa ajo lindi djalin e saj të parëlindur, të cilit ia vuri emrin Jezus.