Luka 7:36-50 - Compare All Versions
Luka 7:36-50 ALBB (Bibla Shqip 1994)
Një nga farisenjtë e ftoi atë të hajë bashkë me të; dhe ai hyri në shtëpinë e fariseut dhe u ul në tryezë. Dhe ja, një grua nga ai qytet, që ishte një mëkatare, kur mori vesh se ai ishte në tryezën e shtëpisë së një fariseu, solli një enë alabastri plot me vaj erëkëndshëm. Dhe, duke qëndruar prapa te këmbët e tij dhe duke qarë, filloi t'ia lajë me lot këmbët dhe t'ia fshijë me flokët e kokës së saj; dhe t'ia puthte e t'ia vajoste me vaj erëkëndshëm. Kur e pa këtë gjë, fariseu që e kishte ftuar, tha me vete: ''Nëse ky do të ishte një profet, do ta dinte çfarë lloj njeriu është gruaja që po e prek, sepse ajo është një mëkatare. Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: ''Simon, kam diçka për të të thënë''. Dhe ai tha: ''Fol, Mësues''. Dhe Jezusi i tha: ''Një huadhënës kishte dy huamarrës; njëri i kishte borxh pesëqind denarë dhe tjetri pesëdhjetë. Meqë ata nuk kishin të paguanin, ai ua fali borxhin të dyve. Sipas teje, cili nga ata do ta dojë më shumë?''. Dhe Simoni, duke u përgjigjur, tha: ''Ma do mendja, ai, të cilit i fali më shumë''. Dhe Jezusi i tha: ''Gjykove drejt''. Pastaj, si u soll nga gruaja, i tha Simonit: ''A e sheh këtë grua? Unë hyra në shtëpinë tënde dhe ti nuk më dhe ujë për të larë këmbët; ajo, përkundrazi, m'i lau këmbët me lot dhe m'i fshiu me flokët e kresë. Ti nuk më dhe as edhe një puthje; por ajo, qysh se hyra, nuk pushoi së puthuri këmbët e mia. Ti nuk ma vajose kokën me vaj; kurse ajo m'i vajosi këmbët me vaj erëkëndshëm. Prandaj unë po të them se mëkatet e saj të shumta i janë falur, sepse ka dashur shumë; por kujt i falen pak, do pak''. Pastaj i tha asaj: ''Mëkatet e tua të janë falur''. Atëherë ata që ishin në tryezë bashkë me të filluan të thoshin me vete: ''Po kush qenka ky që po falka edhe mëkatet?''. Por Jezusi i tha asaj gruaje: ''Besimi yt të shpëtoi; shko në paqe!''.
Luka 7:36-50 AL1 (Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK))
Një farise e ftoi Jezuin për të ngrënë me të. Jezui shkoi në shtëpinë e fariseut dhe u ul në tryezë. Një grua nga ai qytet, që ishte mëkatare, kur mori vesh se Jezui ishte në shtëpinë e fariseut, solli një enë alabastri me mirrë. Ajo rrinte prapa Jezuit te këmbët e tij duke qarë e filloi t'ia lagte këmbët me lot e t'ia thante me flokët e saj. Pastaj vazhdoi t'ia puthte këmbët e t'ia lyente me mirrë. Kur fariseu që e kishte ftuar Jezuin e pa këtë gjë, tha me vete: «Po të ishte profet ky njeri, do ta dinte kush është e çfarë është kjo grua që po e prek: ajo është mëkatare». Jezui i tha fariseut: «Simon, kam diçka për të të thënë». Simoni iu përgjigj: «Fol, mësues». I tha: «Dy njerëz kishin detyrime ndaj një huadhënësi. Njëri detyrohej pesëqind denarë e tjetri pesëdhjetë. Meqë as njëri e as tjetri nuk mund ta shlyenin detyrimin, ai ua fali atë të dyve. Cili prej të dyve do ta dojë më shumë?». Simoni iu përgjigj: «Ma do mendja se ai të cilit i fali detyrimin më të madh». E Jezui i tha: «Ke gjykuar drejt». Pastaj u kthye nga gruaja e i tha Simonit: «A e sheh këtë grua? Erdha në shtëpinë tënde e ti nuk më dhe as ujë për këmbët, ndërsa ajo m'i lau me lotët e saj e m'i thau me flokët e saj. Ti nuk më përshëndete me puthje, ndërsa ajo nuk ka pushuar së puthuri këmbët e mia sapo hyra brenda. Ti nuk ma leve kokën me mirrë, ndërsa ajo m'i leu këmbët me mirrë. Po të them se dashuria e madhe që ajo shfaqi tregon se mëkatet e saj të shumta janë falur. Por ai të cilit i është falur pak, tregon pak dashuri». Pastaj i tha asaj: «Të janë falur mëkatet». Por ata që ishin me të në tryezë filluan të thoshin me njëri-tjetrin: «Kush është ky që falka edhe mëkatet?». Ndërsa Jezui i tha gruas: «Besimi yt të shpëtoi, shko në paqe».