Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 6:1-11

Luka 6:1-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ndodhi që një të shtunë, pas së shtunës së madhe, ai po ecte nëpër arat me grurë, dhe dishepujt e vet këputnin kallinj, i shkoqnin me dorë dhe i hanin. Dhe disa nga farisenjtë u thanë atyre: ''Përse bëni atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën?''. Por Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''A nuk keni lexuar çfarë bëri Davidi dhe ata që ishin bashkë me të kur i mori uria? Si hyri në shtëpinë e Perëndisë, ai mori bukët e paraqitjes, hëngri vetë dhe u dha të hanë edhe atyre që ishin bashkë me të, ndonëse nuk ishte e lejueshme për asnjërin t'i hante, përveç priftërinjve?''. Pastaj u tha atyre: ''Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës". Një të shtunë tjetër ndodhi që ai hyri në sinagogë dhe po mësonte; atje ishte një njeri që e kishte dorën e djathtë të tharë. Dhe farisenjtë dhe skribët rrinin dhe e ruanin nëse ai do ta shëronte të shtunën, që pastaj ta paditnin. Por ai ua njihte mendimet e tyre dhe i tha njeriut me dorë të tharë: ''Çohu dhe dil këtu në mes''. Dhe ai u ngrit në këmbë. Pastaj Jezusi u tha atyre: ''Unë po ju pyes: A është e lejueshme, të shtunave, të bësh mirë apo keq, të shpëtosh një njeri apo ta vrasësh?''. Dhe si i vështroi të gjithë rreth e rrotull, i tha atij njeriu: ''Shtrije dorën tënde!''. Dhe ai veproi kështu dhe dora e tij iu shëndosh si tjetra. Ata u tërbuan dhe diskutonin me njëri-tjetrin se ç'mund t'i bënin Jezusit.