Luka 4:14-30
Luka 4:14-30 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jezui u kthye në Galile me fuqinë e Shpirtit dhe për të u hap fjala në mbarë rrethinat e atij vendi. Ai i mësonte njerëzit nëpër sinagogat e tyre dhe të gjithë e përlëvdonin. Jezui shkoi në Nazaret, atje ku ishte rritur. Ditën e shtunë, sipas zakonit, shkoi në sinagogë. U ngrit për të lexuar dhe i dhanë librin e profetit Isai. Ai e hapi librin dhe gjeti vendin ku ishte shkruar: « Shpirti i Zotit është mbi mua, sepse ai më ka vajosur për t'u shpallur ungjillin të varfërve . Më ka dërguar për t'u shpallur robërve lirinë e për t'u kthyer të verbërve shikimin, për të çliruar të shtypurit e për të shpallur vitin e hirit të Zotit ». E mbylli librin, ia dha shërbestarit dhe u ul. Sytë e të gjithëve në sinagogë ishin drejtuar tek ai. Jezui filloi t'u thoshte: «Sot u përmbush ky Shkrim që e dëgjuat me veshët tuaj». Të gjithë flisnin mirë për të e mrekulloheshin nga fjalët plot hir që dilnin nga goja e tij e thoshin: «A nuk është ky i biri i Jozefit?». Jezui u tha: «Ju do të më përmendni pa dyshim këtë thënie: mjek, shëro veten. Bëj edhe këtu në vendin tënd çfarë kemi dëgjuar se ke bërë në Kafarnaum». Dhe vazhdoi: «Me të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk pranohet në vendlindjen e tij. Por, me të vërtetë po ju them: në kohën e Elisë kishte shumë vejusha në Izrael kur qielli ishte i mbyllur për tre vjet e gjashtë muaj, kur në mbarë tokën ra zia e bukës. Megjithatë, Elia nuk qe dërguar tek asnjëra prej tyre, por vetëm në Sarepta, në tokën e Sidonit, te një grua e ve. Në kohën e profetit Elise kishte shumë të lebrosur në Izrael e, megjithatë, asnjëri prej tyre nuk u pastrua, por vetëm Namani nga Siria». Të gjithë ata që ishin në sinagogë u mbushën me zemërim kur e dëgjuan këtë. U ngritën, e nxorën jashtë qytetit dhe e çuan në majë të kodrës, ku ishte ndërtuar qyteti i tyre, që ta hidhnin në humnerë. Por Jezui kaloi përmes tyre dhe u largua.
Luka 4:14-30 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe Jezusi, në fuqinë e Frymës, u kthye në Galile dhe fama e tij u përhap në mbarë krahinën përreth. Dhe ai mësonte në sinagogat e tyre, i nderuar nga të gjithë. Pastaj erdhi në Nazaret, ku ishte rritur, dhe si e kishte zakon ditën e shtunë, hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar. I dhanë në dorë librin e profetit Isaia; e hapi dhe gjeti vendin ku ishte shkruar: ''Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillëzuar të varfrit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit, dhe për të predikuar vitin e pranueshëm të Zotit''. Pastaj, si e mbylli librin dhe ia dha shërbyesit, u ul; dhe sytë e të gjithëve në sinagogë u drejtuan mbi të. Atëherë ai nisi të thotë: ''Sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaja''. Dhe të gjithë jepnin dëshmi dhe mrekulloheshin për fjalët e hirit që dilnin nga goja e tij, dhe thoshin: ''Po ky, a nuk është biri i Jozefit?''. Dhe ai u tha atyre: ''Me siguri ju do të më përmendni fjalën e urtë: "Mjek, shëro veten tënde"; të gjitha ato që dëgjuam se u bënë në Kapernaum, bëji edhe këtu në atdheun tënd''. Por ai tha: ''Në të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk mirëpritet në atdheun e vet. Në të vërtetë po ju them se në kohën e Elias, kur qielli u mbyll për tre vjet e gjashtë muaj dhe u bë një uri e madhe në gjithë vendin, ishin shumë të veja në Izrael; e megjithatë tek asnjëra nga ato nuk u dërgua Elia, përveçse te një grua e ve në Sareptë të Sidonit. Dhe në kohën e profetit Elise kishte shumë lebrosë në Izrael; megjithatë asnjë prej tyre nuk u pastrua, përveç Naamanit Sirian''. Kur i dëgjuan këto fjalë, të gjithë ata që ishin në sinagogë u zemëruan shumë. Dhe u ngritën, e dëbuan nga qyteti dhe e çuan deri në buzë të majës së malit, mbi të cilin ishte ndërtuar qyteti i tyre, për ta hedhur poshtë. Por ai, duke kaluar përmes tyre, u largua.