Luka 13:31-35
Luka 13:31-35 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Në atë çast disa farisenj erdhën e i thanë Jezuit: «Largohu që këtej se Herodi kërkon të të vrasë». Dhe Jezui u tha: «Shkoni e i thoni asaj dhelpre: “Ja, unë po dëboj djajtë e po shëroj sot e nesër. Ditën e tretë e mbaroj veprën time. Megjithatë, sot, nesër e pasnesër unë do të eci udhës sime, sepse nuk është e mundur që një profet të vritet jashtë Jerusalemit”. Jerusalem, Jerusalem, ti që vret profetët e që me gurë vret të dërguarit e Perëndisë! Sa herë kam dashur t'i mbledh bijtë e tu, siç mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët. Ja, shtëpia juaj do të mbetet e shkretë. Unë po ju them se nuk do të më shihni më, derisa të thoni: bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! ».
Luka 13:31-35 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Po në atë ditë disa farisenj erdhën dhe i thanë: ''Nisu dhe largohu prej këtej, sepse Herodi do të të vrasë''. Dhe ai u përgjigj atyre: ''Shkoni e i thoni asaj dhelpre: "Ja, sot dhe nesër po dëboj demonë dhe kryej shërime, dhe të tretën ditë po i jap fund punës sime". Por sot, nesër e pasnesër më duhet të ec, sepse nuk mundet që një profet të vdesë jashtë Jeruzalemit. Jeruzalem, Jeruzalem, që i vret profetët dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë desha t'i mbledh bijtë e tu sikurse klloçka i mbledh nën krahë zogjtë e vet, por ju nuk deshët! Ja, shtëpia juaj ju lihet e shkretë. Dhe unë po ju them se nuk do të më shihni më derisa të vijë koha të thoni: "Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit"''.