Luka 13:10-17
Luka 13:10-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Një të shtunë Jezui po mësonte njerëzit në një sinagogë. Aty gjendej edhe një grua e pushtuar nga një shpirt që e kishte mbajtur të kërrusur për tetëmbëdhjetë vjet. Ajo nuk mund të rrinte drejt. Jezui e pa, e thirri e i tha: «Grua, je e çliruar nga sëmundja jote». Kur e preku gruan me dorën e tij, ajo u drejtua e filloi të përlëvdonte Perëndinë. Por, kryetari i sinagogës u zemërua që Jezui shëroi ditën e shtunë, prandaj i tha turmës: «Ka gjashtë ditë në të cilat mund të punohet. Gjatë këtyre ditëve ejani për t'u shëruar e jo ditën e shtunë». Atëherë Zoti iu përgjigj: «Hipokritë! A nuk e zgjidh secili nga ju kaun apo gomarin nga grazhdi ditën e shtunë dhe e çon për t'i dhënë ujë? Atëherë kjo grua, që është bijë e Abrahamit e që Satani e ka lidhur për tetëmbëdhjetë vjet, nuk u dashka çliruar nga këto pranga ditën e shtunë?». Pasi i tha Jezui këto, të gjithë kundërshtarët e tij u turpëruan dhe mbarë turma gëzohej për gjërat e mrekullueshme që bënte ai.
Luka 13:10-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Një të shtunë Jezusi po mësonte në një sinagogë. Dhe ja, ishte një grua, e cila prej tetëmbëdhjetë vjetësh kishte një frymë lëngate, dhe ajo ishte krejt e kërrusur dhe në asnjë mënyrë nuk drejtohej dot. Dhe kur Jezusi e pa, e thirri pranë vetes dhe i tha: ''O grua, ti je e liruar nga lëngata jote''. Dhe i vuri duart mbi të dhe ajo u drejtua menjëherë, dhe përlëvdonte Perëndinë. Por kryetari i sinagogës, i indinjuar sepse Jezusi kishte shëruar ditën e shtunë, iu drejtua turmës dhe i tha: ''Gjashtë janë ditët kur duhet të punohet; ejani, pra, të shëroheni në ato ditë dhe jo ditën e shtunë''. Atëherë Zoti u përgjigj dhe tha: ''Hipokritë! A nuk e zgjidh secili nga ju të shtunave nga grazhdi kaun e vet, ose gomarin e ta çojë për të pirë? A nuk duhej, pra, të zgjidhej nga këto pranga, ditën e shtunë, kjo që është bijë e Abrahamit dhe që Satani e mbajti lidhur prej tetëmbëdhjetë vjetësh?''. Dhe, kur ai thoshte këto gjëra, të gjithë kundërshtarët e tij mbetën të turpëruar, ndërsa mbarë turma gëzohej për të gjitha veprat madhështore që ai kishte kryer.