Luka 12:35-59
Luka 12:35-59 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
«Ngjishini ijët për punë e mbajini kandilat ndezur. Jini si ata që presin të zotin e tyre që kthehet nga dasma, për t'i hapur derën sapo të trokasë. Lum ata shërbëtorë që, kur vjen i zoti, i gjen zgjuar. Me të vërtetë po ju them se ai do të ngjeshë ijët e do t'u thotë të ulen për të ngrënë. Pastaj do të vijë e do t'u shërbejë. Nëse vjen nga mesnata apo në mëngjes herët e i gjen zgjuar, lum ata! Por dijeni këtë: po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç'orë do të vinte vjedhësi, nuk do të lejonte t'i vidhej shtëpia. Jini gati, se nuk e dini orën kur do të vijë Biri i njeriut». Pjetri i tha: «Zot, këtë shëmbëlltyrë po e thua për ne apo për të gjithë?». Atëherë Zoti i tha: «Cili është ai shërbëtor besnik e i mençur, të cilin i zoti e ka vënë mbi shërbëtorët e tjerë për t'u dhënë ushqimin në kohën e duhur? Lum ai shërbëtor që, kur të vijë i zoti, do ta gjejë duke vepruar kështu. Me të vërtetë po ju them se këtij shërbëtori do t'ia besojë të gjitha pasuritë e veta. Por nëse ai shërbëtor thotë me vete: “Zotëria im po vonon të vijë” dhe fillon të rrahë shërbëtorët e tjerë, burra e gra, të hajë e të pijë e të dehet, atëherë i zoti i këtij shërbëtori do të vijë ditën që ai nuk e pret dhe në orën që ai nuk e di, do ta dënojë ashpër e do ta hedhë atje ku dënohen të pafetë. Ai shërbëtor që e di se çfarë dëshiron i zoti, por nuk është gati të veprojë sipas dëshirës së të zotit, do të marrë shumë të rrahura. Por ai që nuk e dinte dhe bëri gjëra për të cilat meriton të rrihet, do të rrihet më pak. Kujt i është dhënë shumë, do t'i kërkohet shumë. Kujt i është besuar shumë, do t'i kërkohet edhe më shumë». «Unë erdha të sjell zjarrin mbi tokë e sa shumë dëshiroj të ndizet! Kam një pagëzim me të cilin do të pagëzohem e me sa padurim e pres të përmbushet. Mos vallë mendoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo paqe, po ju them, por përçarje. Që tani e tutje nëse në një shtëpi do të jenë pesë veta, do të ndahen tre kundër dyve e dy kundër treve. Do të ndahen ati nga i biri dhe biri nga i ati, nëna nga e bija dhe bija nga e ëma, vjehrra nga nusja dhe nusja nga e vjehrra». Pastaj u tha turmave: «Kur shihni renë që ngrihet në perëndim, ju menjëherë thoni se do të bjerë shi e kështu ndodh. Kur shihni se po fryn juga, ju thoni se do të bëjë i nxehtë i madh e kështu ndodh. Hipokritë! Dukuritë e tokës e të qiellit dini t'i shpjegoni, po si nuk ditkeni të dalloni kohën e tanishme?». «Pse nuk gjykoni vetë se ç'është e drejtë? Nëse je rrugës për te gjykatësi bashkë me kundërshtarin tënd, përpiqu të merresh vesh me të rrugës, që kur të dalësh para gjykatësit, ai mos të të dorëzojë te roja e pastaj roja të të fusë në burg. Unë po të them se nuk do të dalësh që andej pa paguar deri edhe qindarkën e fundit».
Luka 12:35-59 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Le të jenë ngjeshur ijët tuaja, dhe llambat ndezur. Ngjasojuni atyre që presin zotërinë e tyre, kur kthehet nga dasma, për t'ia hapur derën sapo të vijë dhe të trokasë. Lum ata shërbëtorë, që zotëria, kur të kthehet, do t'i gjejë zgjuar! Në të vërtetë po ju them se ai vetë do të ngjeshet dhe do t'i vendosë ata në tryezë, dhe ai vetë do t'u shërbejë. Dhe, në se do të vijë në të dytën a në të tretën rojë të natës dhe t'i gjejë kështu, lum ata shërbëtorë. Por ta dini këtë: se po ta dinte i zoti i shtëpisë në cilën orë i vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të linte t'i shpërthenin shtëpinë. Edhe ju pra, jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë që nuk e mendoni''. Dhe Pjetri i tha: ''Zot, këtë shëmbëlltyrë po e thua vetëm për ne apo për të gjithë?''. Dhe Zoti tha: ''Kush është, pra, ai administrues besnik dhe i mençur, që do ta verë zotëria përmbi shërbëtorët e vet për t'u dhënë atyre racionin e ushqimeve në kohën e duhur? Lum ai shërbëtor të cilin zotëria e tij, kur kthehet, e gjen se vepron kështu. Në të vërtetë po ju them se ai do ta vërë mbi gjithë pasurinë e vet. Por, nëse ai shërbëtor mendon në zemër të vet: "Zotëria im vonon të kthehet" dhe fillon t'i rrahë shërbëtorët dhe shërbëtoret, të hajë, të pijë dhe të dehet, zotëria e atij shërbëtori do të vijë ditën kur nuk e pret, dhe në orën që ai nuk e di; do ta ndëshkojë rëndë dhe do t'i caktojë fatin me të pabesët. Shërbëtori që e dinte vullnetin e zotërisë së tij dhe nuk u bë gati e nuk e kreu vullnetin e tij, do të rrihet shumë. Por ai që nuk e dinte, po të bëjë gjëra që meritojnë të rrahura, do të rrihet më pak. Kujt iu dha shumë, do t'i kërkohet shumë; dhe kujt iu besua shumë, do t'i kërkohet më shumë''. ''Unë erdha të hedh zjarr mbi tokë dhe sa dëshiroj që ai të ishte tashmë i ndezur. Tani unë kam një pagëzim me të cilën duhet të pagëzohem dhe jam në ankth derisa të kryhet. A kujtoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo, po ju them, por më shumë përçarjen; sepse, tash e tutje, pesë veta në një shtëpi do të jenë të ndarë: tre kundër dyve dhe dy kundër treve. Babai do të ndahet kundër të birit, dhe i biri kundër babait; nëna kundër së bijës dhe e bija kundër nënës; vjehrra kundër nuses së saj dhe nusja kundër vjehrrës së vet''. Atëherë ai u tha akoma turmave: ''Kur ju shihni një re që ngrihet nga perëndimi menjëherë thoni: "Do të vijë shiu", dhe ashtu ndodh; përkundrazi, kur fryn juga, ju thoni: "Do të bëjë vapë", dhe ashtu ndodh. Hipokritë! Ju dini të dalloni dukurinë e qiellit dhe të tokës, por vallë si nuk dini ta dalloni këtë kohë? Dhe përse nuk gjykoni nga vetë ju ç'është e drejtë? Kur ti shkon bashkë me kundërshtarin tënd te gjykatësi, bëj ç'është e mundur gjatë rrugës që të merresh vesh me të, që ai mos të të nxjerrë përpara gjykatësit dhe gjykatësi të të dorëzojë te roja dhe roja të të futë në burg. Unë po të them se ti nuk do të dalësh prej andej, derisa të mos kesh paguar deri në qindarkën e fundit''.