Levitiku 9:1-7
Levitiku 9:1-7 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ditën e tetë Moisiu thirri Aronin, bijtë e tij dhe pleqtë e Izraelit. Atëherë i tha Aronit: «Merr një viç për fli mëkati dhe një dash për fli shkrumbimi dhe paraqiti para ZOTIT. Të dy të jenë të patëmetë. Izraelitëve thuaju kështu: merrni një cjap për fli mëkati, një viç e një qengj motak të patëmetë për fli shkrumbimi, një dem e një dash për fli paqtimi, që t'i kushtoni para ZOTIT. Merrni edhe fli drithi përzier me vaj, sepse sot do t'ju dëftohet ZOTI». Ata morën çka u kishte urdhëruar Moisiu e i sollën para tendës së takimit. U afrua edhe gjithë bashkësia dhe qëndronte para ZOTIT. Moisiu u tha: «Ky është urdhri që dha ZOTI. Zbatojeni dhe do t'ju dëftohet lavdia e tij». Aronit i tha: «Afrohu tek altari, kushto flinë tënde të mëkatit dhe flinë tënde të shkrumbimit dhe bëj shlyerjen për vete e për popullin. Kushto flinë e popullit dhe bëj për ta shlyerjen, siç ka urdhëruar ZOTI».
Levitiku 9:1-7 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ndodhi në ditën e tetë që Moisiu thirri Aaronin, bijtë e tij dhe pleqtë e Izraelit, dhe i tha Aaronit: "Merr një viç për flijimin për mëkatin dhe një dash për një holokaust, që të dy pa të meta, dhe ofroji para Zotit. Pastaj do t'u flasësh bijve të Izraelit, duke u thënë: Merrni një cjap për flijimin për mëkatin, një viç dhe një qengj, që të dy motakë, pa të meta, për një holokaust, një dem të vogël dhe një dash për flijimin e falënderimit, për t'i flijuar përpara Zotit, dhe një ofertë ushqimesh, të përziera me vaj, sepse sot Zoti do t'ju shfaqet". Dhe kështu ata sollën përpara çadrës së mbledhjes atë që Moisiu kishte urdhëruar; dhe tërë asambleja u afrua dhe qëndroi në këmbë përpara Zotit. Atëherë Moisiu tha: "Kjo është ajo që Zoti ju ka urdhëruar; bëjeni dhe lavdia e Zotit do t'ju shfaqet". Pastaj Moisiu i tha Aaronit: "Afroju altarit; paraqit flijimin tënd për mëkatin dhe holokaustin tënd, dhe bëj shlyerjen për vete dhe për popullin; paraqit gjithashtu ofertën e popullit dhe bëj shlyerjen për ata, siç ka urdhëruar Zoti".