Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Levitiku 7:1-38

Levitiku 7:1-38 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

«Ky është udhëzimi për flinë e fajit: është një gjë shumë e shenjtë. Flija për fajin të theret në të njëjtin vend ku theret flija e shkrumbimit dhe gjaku i saj të spërkatet përreth altarit. Të kushtohet gjithë dhjami i saj, bishti, dhjami që mbulon zorrët, të dyja veshkat bashkë me dhjamin që i mbulon dhe me dhjamin e ijëve. Bula mbi mëlçi të hiqet bashkë me veshkat. Prifti t'i shkrumbojë mbi altar si fli zjarri për ZOTIN. Kjo është flija për fajin. Çdo mashkull nga familjet priftërore mund të hajë prej saj. Të hajë në vend të shenjtë, sepse është shumë e shenjtë. Flija për fajin është si flija për mëkatin dhe për të vlen i njëjti udhëzim: flija i përket priftit që kryen shlyerjen. Lëkura e flisë së shkrumbimit i takon priftit që kryen kushtimin e flisë së shkrumbimit. Priftit që kryen kushtimin i takon edhe çdo fli drithi e pjekur në furrë, e skuqur në tigan apo e pjekur në saç. Çdo fli drithi përzier me vaj apo e thatë u takon të gjithë pasardhësve të Aronit, në masë të barabartë për secilin. Ky është udhëzimi për flinë e paqtimit që i kushtohet ZOTIT: nëse ndokush dëshiron të kushtojë fli falënderimi, të paraqesë si fli falënderimi kuleç të ndormë përzier me vaj, pite të ndorme lyer me vaj dhe kuleç prej maje mielli përzier me vaj. Të paraqesë edhe disa kuleç me tharm bashkë me këtë fli, për të shoqëruar flinë e paqtimit për falënderim. Prej secilës fli merrni nga një kulaç e kushtojani ZOTIT si dhuratë. Ajo i takon priftit që kreu spërkatjen e gjakut të flisë së paqtimit. Mishi i flisë së paqtimit për falënderim, të hahet ditën që kushtohet dhe të mos lihet asgjë për të nesërmen. Nëse flija që paraqitet është fli kushti apo fli vullnetare, të hahet po atë ditë që kushtohet. Nëse tepron ndonjë gjë, të hahet të nesërmen. Nëse mishi i flisë tepron për ditën e tretë, të digjet në zjarr. Nëse ndokush ha prej mishit të flisë së paqtimit ditën e tretë, ai që kushtoi flinë nuk do të pranohet dhe flija nuk do t'i merret parasysh. Ky mish është i papastër dhe kush ha prej tij do të jetë fajtor. Mishi, që mund të ketë prekur ndonjë gjë të papastër, të mos hahet, por të digjet në zjarr. Nga mishi i flisë mund të hanë të gjithë ata që janë të pastër. Kush është i papastër dhe ha mishin e flisë së paqtimit, që i është kushtuar ZOTIT, të zhbihet prej popullit. Kush prek ndonjë gjë të papastër njeriu, kafshe apo të çfarëdolloj fëlliqësie të pështirë, dhe ha mishin e flisë së paqtimit, që i është kushtuar ZOTIT, ai njeri të zhbihet prej popullit». ZOTI i tha Moisiut: «Thuaju izraelitëve: dhjamin e kaut, të deles apo të dhisë mos e hani. Dhjamin e një kafshe të ngordhur apo të një kafshe që e ka shqyer bisha, mund ta përdorni për punë të ndryshme, por mos e hani assesi. Kush ha dhjamin e një kafshe që kushtohet si fli zjarri për ZOTIN, të zhbihet prej popullit. Po ashtu, mos përdorni për ushqim asnjë lloj gjaku, as shpendi, as bagëtie. Kush ha gjak të çdo lloji, të zhbihet prej popullit». ZOTI i tha Moisiut: «Thuaju izraelitëve: kush i kushton fli paqtimi ZOTIT, t'i paraqesë ZOTIT pjesën e caktuar prej flisë së paqtimit. T'ia paraqesë me duart e veta ZOTIT flinë që duhet të digjet në zjarr. Dhjamin ta sjellë bashkë me gjoksin. Gjoksi të ngrihet si fli lartësimi për ZOTIN. Dhjamin prifti ta shkrumbojë në altar, ndërsa gjoksi i takon Aronit e bijve të tij. Edhe kofsha e djathtë e flisë së paqtimit t'i jepet si dhuratë priftit. Kofsha e djathtë u takon për pjesë bijve të Aronit që kushtojnë gjakun e dhjamin e flisë së paqtimit, sepse gjoksin e flisë së lartësimit dhe kofshën e dhuratës e mora prej flive të paqtimit të bijve të Izraelit e ia dhashë priftit Aron e bijve të tij si rregull të përhershëm nga ana e bijve të Izraelit». Kjo është pjesa që i takon Aronit e bijve të tij prej flive të zjarrit për ZOTIN. Ajo u jepet ditën që kryejnë shërbesën e tyre priftërore për ZOTIN. Këto urdhëroi ZOTI t'u jepen atyre, prej bijve të Izraelit, ditën që i vajosi. Ky është rregull i përhershëm për të gjitha breznitë. Këto janë udhëzimet për flitë e shkrumbimit, flitë e drithit, flitë për mëkatin, flitë për fajin, flitë e shugurimit dhe për flitë e paqtimit, që ZOTI i urdhëroi Moisiut në malin e Sinait, ditën kur ZOTI u urdhëroi bijve të Izraelit t'i kushtojnë fli ZOTIT në shkretëtirën e Sinait.

Levitiku 7:1-38 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

"Ky është ligji i ofertës për shkeljen, (është gjë shumë e shenjtë). Në vendim ku theret holokausti, do të theret flia për shkeljen; dhe gjaku i saj do të spërkatet rreth e qark altarit. Prej saj do të paraqitet tërë dhjami: do të hiqet bishti i majmë, dhjami që mbulon zorrët, të dy veshkat, dhjami që është mbi to rreth ijëve dhe bula e dhjamur e mëlçisë së zezë mbi veshkat. Pastaj prifti do t'i tymosë mbi altar, si një flijim i bërë me zjarr për Zotin. Ky është një flijim për shkeljen. Çdo mashkull midis priftërinjve do të mund të hajë nga ajo; do të hahet në vend të shenjtë; është gjë shumë e shenjtë. Flijimi për shkeljen është si flijimi i mëkatit; i njëjti ligj vlen për të dy rastet; flia me të cilën prifti bën shlyerjen i takon atij. Dhe prifti, që ofron holokaustin e dikujt, do të marrë për vete lëkurën e holokaustit që ka ofruar. Kështu çdo blatim i ushqimit i pjekur në furrë, apo i përgatitur në tigan ose mbi skarë, do të jetë i priftit që e ka ofruar. Dhe çdo blatim i ushqimit i përzier me vaj ose i thatë i përket tërë bijve të Aaronit, si për njërin si për tjetrin. Ky është ligji i flijimit të falënderimit, që do t'i çohet Zotit. Në qoftë se dikush e ofron për dhënie hiri, do të ofrojë me flijimin e dhënies së hirit kulaç pa maja të përzier me vaj, revani pa maja të përzier me vaj dhe kulaç me majë mielli të përzier me vaj. Bashkë me kuleçtë e bukës pa maja, si ofertë të tij do të paraqesë, me flijimin e dhënies së hirit, flijimin e tij të falënderimit. Nga çdo ofertë ai do të ofrojë një kulaç si një blatim të lartë për Zotin; ai do të jetë i priftit që ka spërkatur gjakun e flijimit të falënderimit. Mishi i flijimit të dhënies së hirit i paraqitur si falënderim do të hahet po atë ditë gjatë së cilës ofrohet; nuk do të lihet asgjë prej tij deri në mëngjes. Por në qoftë se flijimi që dikush ofron është një kushtim ose një ofertë spontane, do të hahet ditën në të cilën paraqitet flijimi; ajo që tepron duhet të hahet të nesërmen. Por ajo që mbetet nga mishi i flijimit do të digjet me zjarr ditën e tretë. Në qoftë se në ditën e tretë hahet nga mishi i flijimit të falënderimit, ai nuk do të pranohet dhe nuk do t'i llogaritet; do të jetë një veprim i neveritshëm; dhe ai që ha, do të mbajë fajin e mëkatit të tij. Mishi, që prek çfarëdo gjë të papastër nuk do të hahet; do të digjet me zjarr. Sa për mishin tjetër, kushdo që është i pastër do të mund të hajë nga ai. Por personi, që duke qenë i papastër, ha mish nga flijimi i falënderimit që i përket Zotit, do të shfaroset nga populli i tij. Përveç kësaj në se dikush prek çfarëdo gjë të papastër (një papastërti njerëzore, një kafshë të papastër ose çfarëdo gjë të neveritshme dhe të ndyrë) dhe ha mish nga flijimi i falënderimit që i përket Zotit, ai do të shfaroset nga populli i tij". Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë: "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Nuk do të hani asnjë yndyrë të lopës apo të deles apo të dhisë. Dhjami i një kafshe që ka ngordhur në mënyrë të natyrshme dhe dhjami i një kafshe të shqyer mund të shërbejë për çdo përdorim tjetër, por nuk do të hani aspak; sepse kushdo që në fakt ha dhjamin e një kafshe që ofrohet si flijim i bërë me zjarr për Zotin, ai që ha nga ky mish do të shfaroset nga populli i tij. Përveç kësaj nuk do të hani asnjë gjak, as të zogjve, as të katërkëmbëshve, në asnjë nga banesat tuaja. Kushdo që ha çfarëdo lloj gjaku, do të shfaroset nga populli i tij". Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë: "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kush i ofron Zotit flijimin e tij të falënderimit do t'ia çojë ofertën e tij Zotit, duke e hequr nga flijimi i tij i falënderimit. Do t'i çojë me duart e tij ofertat e bëra me zjarr për Zotin; do të çojë dhjamin bashkë me gjoksin, për të tundur gjoksin si ofertë e tundur përpara Zotit. Prifti do ta tymosë dhjamin mbi altar, ndërsa gjoksi do të jetë i Aaronit dhe i bijve të tij. Do t'i jepni priftit gjithashtu, si një ofertë të lartë, kofshën e djathtë të flijimeve tuaja të falënderimit. Ai nga bijtë e Aaronit që ofron gjakun dhe dhjamin e flijimeve të falënderimit do të ketë, si pjesë të tij, kofshën e djathtë. Sepse nga flitë e falënderimit të ofruara nga bijtë e Izraelit unë marr gjoksin e ofertës së tundur dhe kofshën e ofertës së lartë, dhe ua jap priftit Aaron dhe bijve të tij, si një detyrim i përjetshëm nga ana e bijve të Izraelit". Kjo është pjesa e caktuar e Aaronit dhe bijve të tij nga flijimet e bëra me zjarr për Zotin, ditën që do të paraqiten për t'i shërbyer Zotit si priftërinj. Këtë ka urdhëruar Zoti për bijtë e Izraelit t'u jepnin atyre ditën që i vajosi, si një ligj i përjetshëm brez pas brezi. Ky është ligji i holokaustit, i blatimit të ushqimit, i flijimit për mëkatin, i flijimit për shkeljen, i shenjtërimit dhe i flijimit të falënderimit, ligji që Zoti i dha Moisiut mbi malin Sinai, ditën që i urdhëroi bijtë e Izraelit t'i paraqisnin ofertat e tyre Zotit në shkretëtirën e Sinait.