Levitiku 26:14-21
Levitiku 26:14-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
«Por, nëse nuk më dëgjoni e nuk i zbatoni këto urdhërime, nëse i hidhni poshtë rregullat e mia, nëse i përbuzni vendimet e mia dhe nuk i zbatoni urdhërimet e mia, por e thyeni besëlidhjen time, atëherë edhe unë do t'ju ndëshkoj. Do t'ju shtie tmerrin, do t'ju rraskapit e do t'ju fus ethet. Sytë do t'ju mpaken e jeta do t'ju venitet. Do të mbillni, por më kot, sepse armiqtë do t'jua hanë të korrat. Do të kthehem kundër jush e do të mposhteni prej armiqve. Ata që ju urrejnë do të sundojnë mbi ju e do të merrni arratinë pa ju ndjekur kush. Nëse nuk do të më dëgjoni edhe pas kësaj, do t'jua shtatëfishoj ndëshkimet për shkak të mëkateve tuaja. Do ta poshtëroj krenarinë e madhështisë tuaj dhe qiellin do t'jua bëj si hekur e tokën si bronz. Mundi do t'u shkojë kot, se toka s'do të japë prodhim e pemët s'do të japin fruta. Nëse veproni kundër meje dhe nëse nuk më dëgjoni, do t'jua shtatëfishoj plagët tuaja sipas mëkateve tuaja.
Levitiku 26:14-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por në rast se nuk më dëgjoni dhe nuk zbatoni në praktikë të gjitha urdhërimet e mia, në rast se përçmoni statutet e mia dhe shpirti juaj hedh poshtë dekretet e mia, duke mos zbatuar në praktikë të gjithë urdhërimet e mia, duke shkelur besëlidhjen time, edhe unë do ta bëj këtë për ju: do të çoj kundër jush tmerrin, ligështimin dhe ethet, të cilët do të konsumojnë sytë tuaj dhe do ta bëj jetën tuaj të meket; dhe do ta mbillni kot farën tuaj, sepse do ta hanë armiqtë tuaj. Do ta kthej fytyrën time kundër jush dhe armiqtë tuaj do t'ju mundin; do të sundoheni prej atyre që ju urrejnë dhe do t'ua mbathni këmbëve pa qenë të ndjekur nga askush. Dhe në qoftë se edhe mbas kësaj nuk më dëgjoni, unë do t'ju dënoj shtatë herë më tepër për mëkatet tuaja. Do ta thyej kryelartësinë e forcës suaj, do ta bëj qiellin tuaj si hekur dhe tokën tuaj si bakër. Forca juaj do të konsumohet më kot, sepse toka juaj nuk do të japë më prodhimet e saj, dhe drurët e fushës nuk do të japin më frutat e tyre. Dhe në rast se silleni si armiq të mi dhe nuk doni të më dëgjoni, unë do t'ju godas shtatë herë më tepër me plagë, sipas mëkateve tuaja.