Levitiku 23:1-8
Levitiku 23:1-8 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
ZOTI i tha Moisiut: «Fol me izraelitët e thuaju: këto janë të kremtet e ZOTIT, të cilat do t'i shpallni si mbledhje të shenjta. Ja cilat janë këto të kremte: do të punoni gjashtë ditë, ndërsa dita e shtatë do të jetë e shtunë, ditë pushimi e plotë dhe mbledhje e shenjtë. Mos bëni asnjë punë, sepse e shtuna është në nder të ZOTIT në të gjitha vendbanimet tuaja. Këto janë të kremtet e ZOTIT, mbledhjet e shenjta që do të kremtoni në kohën e caktuar për to. Në ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë, në mbrëmje, kremtohet Pashka në nder të ZOTIT. Ditën e pesëmbëdhjetë të po këtij muaji festohet e kremtja e Bukëve të ndorme në nder të ZOTIT. Për shtatë ditë hani bukë të ndorme. Ditën e parë bëni një mbledhje të shenjtë e mos punoni. Për shtatë ditë t'i kushtoni ZOTIT fli zjarri. Edhe ditën e shtatë bëni një takim të shenjtë e mos punoni».
Levitiku 23:1-8 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Ja festat e Zotit, që ju do t'i shpallni si mbledhje të shenjta. Festat e mia janë këto: Do të punohet gjashtë ditë, por dita e shtatë është një e shtunë pushimi dhe mbledhjeje të shenjtë. Atë ditë nuk do të bëni asnjë punë; është e shtuna e shenjtëruar Zotit në të tëra vendet ku do të banoni. Këto janë festat e Zotit, mbledhjet e shenjta që ju do t'i shpallni në kohën e tyre. Muajin e parë, ditën e katërmbëdhjetë të muajit, midis dy mbrëmjeve, bien Pashkët e Zotit; dhe ditën e pesëmbëdhjetë të po atij muaji bie festa e bukës së ndorme për nder të Zotit; për shtatë ditë do të hani bukë të ndorme. Ditën e parë do të bëni një mbledhje të shenjtë; nuk do të bëni atë ditë asnjë punë të rëndë; dhe për shtatë ditë do t'i ofroni Zotit flijime të bëra me zjarr. Ditën e shtatë do të bëhet një mbledhje e shenjtë; gjatë asaj dite nuk do të bëni asnjë punë të rëndë".