Juda 1:1-8
Juda 1:1-8 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Unë Juda, shërbëtor i Jezu Krishtit e vëlla i Jakobit, po ju shkruaj juve, të thirrurve në besim, të dashur nga Perëndia Atë e të mbrojtur nga Jezu Krishti: mëshira, paqja e dashuria u shtofshin ndër ju! Fort të dashurit e mi, kisha një dëshirë të madhe t'ju shkruaj për shpëtimin tonë të përbashkët. Tani është e nevojshme t'ju shkruaj e t'ju nxis të luftoni për besimin që Perëndia ua dha të shenjtëve një herë e përgjithmonë. Mes jush kanë hyrë fshehurazi disa njerëz që janë caktuar qëmoti për këtë dënim. Ata janë të pafe që e kthejnë hirin e Perëndisë në fëlligështi dhe mohojnë Jezu Krishtin, të vetmin sundues e Zot tonin. Ndonëse i dini të gjitha, dua t'ju kujtoj se Zoti, si e shpëtoi popullin e tij një herë e përgjithmonë nga toka e Egjiptit, më pas shkatërroi ata që nuk besonin. Engjëjt që nuk e ruajtën gjendjen e parë dhe lanë banesën e tyre i ka ruajtur në errësirë me pranga të përjetshme për gjykimin e ditës së madhe. Kujtoni Sodomën e Gomorrën dhe qytetet përreth që u dhanë pas kurvërisë dhe epsheve të tjera. Ato mbeten shembull i atyre që gjykohen në zjarr të amshuar. Po ashtu edhe këta ëndërrues ndotin trupin, përbuzin pushtetin e Perëndisë dhe fyejnë qeniet e lavdishme qiellore.
Juda 1:1-8 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Juda, shërbëtor i Jezu Krishtit dhe vëllai i Jakobit, të thirrurve që u shenjtëruan në Perëndinë Atë dhe të ruajtur në Jezu Krisht: mëshira, paqja dhe dashuria u shumoftë në ju. Shumë të dashur, ndërsa isha ngulmues që t'ju shkruaja për shpëtimin e përbashkët, ndjeva nevojën t'ju shkruaj juve, dhe t'ju bëj thirrje të luftoni për besimin, që u qe transmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë. Sepse depërtuan ndërmjet jush disa njerëz, që qenë shënuar që moti për këtë dënim, të pabesë që e kthejnë hirin e Perëndisë tonë në imoralitet dhe mohojnë të vetmin Zotëri Perëndi, dhe Zotin tonë Jezu Krisht. Dhe dua t'ju kujtoj, ndonëse tashmë i dini gjithë këto, se Zoti, pasi e shpëtoi popullin e tij nga vendi i Egjiptit, pastaj i shkatërroi ata që nuk besuan. Ai i ruajti me pranga të përjetshme në errësirë për gjyqin e ditës së madhe, edhe engjëjt që nuk e ruajtën gjendjen e tyre të parë, po e lanë banimin e tyre, posi Sodoma dhe Gomora edhe qytetet përreth, që u dhanë pas kurvërimit dhe u dhanë pas çoroditjesh seksuale, janë vënë përpara si shembull, duke pësuar ndëshkimin e një zjarri të përjetshëm; në të njëjtën mënyrë ndotin edhe këta ëndërrues mishin, përbuzin pushtetin dhe blasfemojnë kundër dinjiteteve.