Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jozueu 8:1-26

Jozueu 8:1-26 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

ZOTI i tha Jozuehut: «Mos ki frikë e mos u tremb. Merr me vete të gjithë luftëtarët e shko të sulmosh Ajin. Ja, mbretin e Ajit po ta dorëzoj ty, me gjithë popullin, qytetin e tokën e tij. Vepro me Ajin e me mbretin e tij, siç veprove edhe me Jerikonë e me mbretin e saj, por prenë e luftës e bagëtitë merrini për vete. Ngrini pusi në anën e pasme qytetit». Atëherë Jozuehu e gjithë luftëtarët u bënë gati për të sulmuar Ajin. Jozuehu zgjodhi tridhjetë mijë burra të fortë dhe i nisi natën. U dha këtë urdhër: «Bëni kujdes e rrini në pusi në anën e pasme të qytetit, por mos u largoni shumë prej tij. Të jeni të gjithë gati. Ndërsa unë do t'i afrohem qytetit me të gjithë ata që do të jenë me mua. Kur të dalin banorët për të na sulmuar si herën e parë, ne do të marrim arratinë para tyre. Ata do të na ndjekin pas e kështu do të largohen nga qyteti, sepse do të mendojnë se po ia mbathim para tyre, ashtu si herën e parë. Atëherë ju do të dilni nga pusia e do të pushtoni qytetin. Qytetin do t'jua dorëzojë ZOTI, Perëndia juaj. Kur ta pushtoni qytetin, do t'i vini flakën. Do të veproni sipas fjalës së ZOTIT. Ky është urdhri im». Jozuehu i nisi dhe ata shkuan e zunë pusi midis Betelit e Ajit, në krahun perëndimor të Ajit. Jozuehu e kaloi atë natë me popullin. Jozuehu u ngrit herët në mëngjes dhe rreshtoi popullin. Ai dhe pleqtë e popullit dolën në krye. Të gjithë luftëtarët që ishin me Jozuehun iu afruan qytetit nga përpara dhe e ngritën fushimin në krahun verior të Ajit. Midis tyre e Ajit shtrihej një luginë. Pastaj Jozuehu zgjodhi rreth pesë mijë burra e i vuri në pusi midis Betelit e Ajit, në krahun perëndimor të qytetit. Populli e ngriti fushimin në veri të qytetit dhe prapavija shkonte deri në perëndim të tij. Jozuehu e kaloi natën në mes të luginës. Kur mbreti i Ajit pa izraelitët, u ngrit herët në mëngjes e doli me nxitim nga qyteti, bashkë me të gjithë burrat e qytetit, për të sulmuar Izraelin. Ata u vendosën përballë Arabahut, se mbreti nuk e dinte që i kishin ngritur pusi në anën e pasme të qytetit. Jozuehu dhe i gjithë Izraeli bënë sikur ishin mposhtur dhe morën arratinë në drejtim të shkretëtirës. Ishin thirrur të gjithë banorët e Ajit për t'i ndjekur nga pas. Kështu, ata ndoqën Jozuehun e u larguan nga qyteti. Në Aj e në Betel nuk mbeti njeri pa shkuar në ndjekje të izraelitëve. Teksa ndiqnin izraelitët, i lanë hapur portat e qytetit. Atëherë ZOTI i tha Jozuehut: «Shtrije në drejtim të Ajit shtizën që ke në dorë, sepse po ta dorëzoj ty qytetin». Jozuehu e shtriu shtizën që kishte në dorë në drejtim të qytetit. Me të shtrirë krahun Jozuehu, ata që kishin ngritur pusinë dolën shpejt nga vendi ku ishin, hynë në qytet, e pushtuan dhe i vunë flakën menjëherë. Kur burrat e qytetit të Ajit, që po ndiqnin izraelitët, kthyen kokën pas dhe panë tymin e qytetit të ngjitej në qiell, mbetën pa fuqi e nuk iknin dot as këtej, as andej. Atëherë izraelitët, që kishin marrë arratinë në drejtim të shkretëtirës, u kthyen për të sulmuar ata që po i ndiqnin. Kur Jozuehu e mbarë Izraeli panë se luftëtarët që kishin ngritur pusi e kishin marrë qytetin dhe se nga qyteti po dilte tym, u kthyen e sulmuan burrat e Ajit. Dolën edhe luftëtarët e tjerë nga qyteti për t'i sulmuar dhe banorët e Ajit u gjendën të rrethuar nga të dyja anët. Izraelitët i goditën derisa nuk mbeti më njeri gjallë. Nuk shpëtoi askush. Mbretin e Ajit e zunë të gjallë dhe ia sollën Jozuehut. Pasi izraelitët vranë e shfarosën me shpata të gjithë banorët e Ajit, që kishin dalë në shkretëtirë për t'i ndjekur nga pas, iu vërsulën qytetit dhe e sulmuan me shpata. Atë ditë u vranë të gjithë banorët e Ajit, dymbëdhjetë mijë burra e gra. Jozuehu nuk e uli krahun, që mbante shtizën, derisa u vranë të gjithë banorët e Ajit.

Jozueu 8:1-26 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj Zoti i tha Jozueut: "Mos ki frikë dhe mos u tmerro. Merr të gjithë luftëtarët e tu dhe nisu dhe sulmo Ain. Shiko, unë po të jap në dorë mbretin e Ait, popullin e tij, qytetin e tij dhe vendin e tij. Dhe do t'u bësh Ait dhe mbretit të tij ato që u ke bërë Jerikos dhe mbretit të tij; do të merrni për vete vetëm plaçkën dhe bagëtinë e tij. Zëri një pritë qytetit në pjesën e prapme të tij. Kështu Jozueu dhe të gjithë luftëtarët e tij u ngritën më këmbë për të sulmuar Ain. Ai zgjodhi tridhjetë mijë njerëz, luftëtarë trima, dhe i nisi natën, duke u dhënë këtë urdhër: "Ja, ju do të rrini në pritë kundër qytetit, duke qëndruar prapa tij; mos u largoni shumë nga qyteti, por rrini gjithnjë në gatishmëri. Pastaj unë dhe tërë njerëzit që janë me mua do t'i afrohemi qytetit; dhe kur ata do të dalin kundër nesh si herën e parë, ne do të ikim para tyre. Ata do të dalin për të na ndjekur derisa t'i kemi tërhequr larg qytetit, sepse do të thonë: "Ikin me vrap para nesh si herën e parë". Dhe, ndërsa ne do të ikim me vrap para tyre, ju do të dilni nga prita dhe do të pushtoni qytetin, sepse Zoti, Perëndia juaj, do ta japë në duart tuaja. Me ta pushtuar qytetin, do t'i vini flakën; do të bëni atë që ka urdhëruar Zoti. Kini mendjen, ky është urdhri që ju jap". Kështu Jozueu i nisi; ata shkuan në vendin e pritës dhe u ndalën midis Bethelit dhe Ait, në krahun perëndimor të Ait; por Jozueu mbeti atë natë në mes të popullit. Jozueu u ngrit herët në mëngjes, kaloi në paradë popullin dhe u ngjit bashkë me pleqtë e Izraelit në krye të popullit kundër Ait. Tërë luftëtarët që ishin me të u ngjitën dhe u afruan; kështu arritën përballë qytetit dhe fushuan në veri të Ait. Midis tyre dhe Ait kishte një luginë. Atëherë ai mori rreth pesë mijë njerëz dhe i vuri në pritë midis Bethelit dhe Ait, në perëndim të qytetit. Pasi populli zuri pozicion, kampi qendror ishte në pritë në perëndim të qytetit, Jozueu atë natë përparoi në mes të luginës. Kur mbreti i Ait pa këtë gjë, njerëzit e qytetit u ngritën herët me ngut në mëngjes dhe dolën për të luftuar kundër Izraelit: mbreti dhe tërë populli i tij, në pozicionin e caktuar përballë Arabahut; por mbreti nuk e dinte që i kishin zënë pritë në pjesën prapa qytetit. Atëherë Jozueu dhe i tërë Izraeli, duke u shtirur sikur ishin mundur para tyre, ua mbathën këmbëve në drejtim të shkretëtirës. I tërë populli që ndodhej në qytet u thirr të mblidhej për t'i ndjekur; kështu e ndoqën Jozueun dhe shkuan larg qytetit. S'mbeti burrë në Ai dhe në Bethel pa dalë pas Izraelit. E lanë kështu qytetin të hapur dhe iu vunë pas Izraelit. Atëherë Zoti i tha Jozueut: "Shtrije shtizën që ke në dorë në drejtim të Ait, sepse unë do të ta dorëzoj në dorë". Dhe Jozueu e shtriu shtizën që kishte në dorë në drejtim të qytetit. Me të shtrirë dorën, burrat që ishin në pritë u ngritën me të shpejtë nga vendi i tyre, hynë në qytet, e zunë dhe nxituan t'i vënë flakën. Kur njerëzit e Ait shikuan prapa, ja, ata panë tymin e qytetit që ngjitej në qiell; dhe nuk patën asnjë mundësi të iknin as nga një anë, as nga ana tjetër, sepse populli që ikte me vrap në drejtim të shkretëtirës u kthye kundër atyre që e ndiqnin. Kështu, kur Jozueu dhe i tërë Izraeli panë që njerëzit e pritës e kishin pushtuar qytetin dhe që tymi i tij ngrihej lart, u kthyen prapa dhe mundën njerëzit e Ait. Edhe të tjerët dolën nga qyteti kundër tyre; kështu ata të Ait u gjendën të zënë në kurth në mes të forcave të Izraelit, duke pasur nga një anë njërën palë, nga ana tjetër palën tjetër; dhe i mundën derisa nuk mbeti asnjë i gjallë apo ikanak. Por mbretin e Ait e zunë të gjallë dhe e çuan tek Jozueu. Kur Izraeli mbaroi së vrari tërë banorët e Ait në fushë dhe në shkretëtirë ku ata e kishin ndjekur, dhe u therën të gjithë derisa u shfarosën të tërë, gjithë Izraeli u kthye në drejtim të Ait dhe i ra me shpatë. Tërë ata që u vranë atë ditë, burra dhe gra, ishin dymbëdhjetë mijë veta, të gjithë banorë të Ait. Jozueu nuk e uli dorën që mbante shtizën, derisa i shfarosi të gjithë banorët e Ait.