Jozueu 7:2-5
Jozueu 7:2-5 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jozuehu dërgoi disa burra nga Jerikoja për në Aj, që është afër Betavenit, në lindje të Betelit, e u tha: «Shkoni e përgjoni vendin». Ata shkuan dhe e përgjuan. Pastaj u kthyen e i thanë Jozuehut: «Nuk është nevoja të shkojë i gjithë populli. Le të shkojnë vetëm dy mijë a tre mijë burra për të sulmuar Ajin. Mos e mundo gjithë popullin, se banorët e Ajit janë të paktë në numër». Kështu, u nisën rreth tre mijë burra nga radhët e popullit, por morën arratinë para burrave të Ajit. Burrat e Ajit vranë tridhjetë e gjashtë prej tyre. I ndoqën nga porta e qytetit deri në Shebarim e i goditën përgjatë tatëpjetës. Popullin e lëshoi zemra nga frika e iu bë gjaku ujë.
Jozueu 7:2-5 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ndërkaq Jozueu dërgoi njerëz nga Jeriko në Ai, që është afër Beth-Avenit, i cili ndodhet në lindje të Bethelit, dhe u tha atyre: "Ngjituni për të vëzhguar vendin". Kështu njerëzit u ngjitën për të vëzhguar Ain. Pastaj u kthyen tek Jozueu dhe i thanë: "Nuk është e nevojshme të ngjitet tërë populli; por le të ngjiten dy mijë a tre mijë burra për të sulmuar Ain; mos e lodh tërë popullin, sepse ata të Ait janë të paktë në numër". Kështu u ngjitën rreth tre mijë burra të zgjedhur nga radhët e popullit, por para burrave të Ait, ua mbathën këmbëve. Dhe burrat e Ait vranë rreth tridhjetë e gjashtë prej tyre; i ndoqën nga porta e qytetit deri në Shebarim, duke i goditur në tatëpjetë. Dhe zemra e popullit u ligështua, u bë si uji.