Jozueu 7:1-26
Jozueu 7:1-26 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Izraelitët nuk e mbajtën besën për sendet e mallkuara. Akani, biri i Harmiut, të birit të Zabdiut, të birit të Zerahut, nga fisi i Judës, mori disa nga sendet e mallkuara dhe zemërimi i ZOTIT u ndez kundër izraelitëve. Jozuehu dërgoi disa burra nga Jerikoja për në Aj, që është afër Betavenit, në lindje të Betelit, e u tha: «Shkoni e përgjoni vendin». Ata shkuan dhe e përgjuan. Pastaj u kthyen e i thanë Jozuehut: «Nuk është nevoja të shkojë i gjithë populli. Le të shkojnë vetëm dy mijë a tre mijë burra për të sulmuar Ajin. Mos e mundo gjithë popullin, se banorët e Ajit janë të paktë në numër». Kështu, u nisën rreth tre mijë burra nga radhët e popullit, por morën arratinë para burrave të Ajit. Burrat e Ajit vranë tridhjetë e gjashtë prej tyre. I ndoqën nga porta e qytetit deri në Shebarim e i goditën përgjatë tatëpjetës. Popullin e lëshoi zemra nga frika e iu bë gjaku ujë. Atëherë Jozuehu shqeu rrobat e ra me fytyrë përdhe para arkës së ZOTIT deri në mbrëmje, bashkë me pleqtë e Izraelit. Të gjithë hodhën pluhur mbi kokë. Dhe Jozuehu tha: «Mjerë ne, o ZOT, Zoti im! Përse e bëre këtë popull të kalojë Jordanin? Për të na lënë në duart e amoritëve, që të na shfarosin? Ah, sikur të kishim zënë vend e të kishim qëndruar përtej Jordanit! Të lutem, o Zot, por çfarë të them tani që Izraeli ka thyer qafën para armiqve të tij? Kananitët do të dëgjojnë për ne dhe mbarë banorët e këtij vendi do të na rrethojnë e do ta zhbijnë emrin tonë nga faqja e dheut. Çfarë do të bësh ti atëherë për nder të emrin tënd të madh?». ZOTI i tha Jozuehut: «Ngrihu! Përse ke rënë me fytyrë përdhe? Izraeli ka mëkatuar e ka shkelur besëlidhjen që i kisha urdhëruar. Kanë marrë nga sendet e mallkuara, kanë vjedhur, kanë mashtruar e i kanë fshehur mes plaçkave të tyre. Izraelitët nuk do të mund t'u bëjnë ballë armiqve dhe kanë për të marrë arratinë para tyre, sepse ata vetë u bënë mallkim. Unë nuk do të jem më me ju, derisa të shfarosni mallkimin që është mes jush. E tani, ngrihu, shenjtëro popullin e thuaji: “Shenjtërohuni për nesër, se kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit: mallkimi është në gjirin tënd, o Izrael. Nuk do t'i bësh dot ballë armikut, derisa të shfarosësh mallkimin që është në gjirin tënd. Nesër në mëngjes do të paraqiteni sipas fiseve. Fisi, që do të caktojë ZOTI, të paraqitet sipas klaneve dhe klani, që do të caktojë ZOTI, të paraqitet sipas shtëpive. Meshkujt e shtëpisë, që do të caktojë ZOTI, të paraqiten një nga një. Ai që ka marrë nga sendet e mallkuara, do të digjet në zjarr, bashkë me gjithçka i përket, se ka shkelur besëlidhjen e ZOTIT dhe ka bërë një gjë të turpshme në Izrael”». Jozuehu u zgjua herët në mëngjes dhe i paraqiti izraelitët sipas fiseve. U përzgjodh fisi i Judës. Pastaj paraqiti fisin e Judës dhe u përzgjodh klani i zerahitëve. Nga klani i zerahitëve u përzgjodh shtëpia e Zabdiut. Kur u paraqitën burrat e shtëpisë së tij, u përzgjodh Akani, biri i Harmiut, të birit të Zabdiut, të birit të Zerahut, nga fisi i Judës. Atëherë Jozuehu i tha Akanit: «Biri im, jepi lavdi ZOTIT, Perëndisë së Izraelit, e rrëfehu para tij. Tregomë çfarë ke bërë e mos më fshih gjë». Akani iu përgjigj Jozuehut: «Është e vërtetë se jam unë që kam mëkatuar kundër ZOTIT, Perëndisë së Izraelit. Ja çfarë kam bërë: mes presë së luftës pashë një gunë shumë të bukur Shinari, dy kilogramë argjend dhe një shufër ari që peshon gjysmë kilogram. Më pëlqyen shumë, prandaj i mora e i fsheha nën dhe, në mes të tendës. Argjendin e kam fshehur poshtë tyre». Jozuehu dërgoi disa njerëz të shkonin me nxitim te tenda e Akanit. Atje gjetën sendet e fshehura dhe argjendin, fshehur poshtë tyre. I nxorën nga tenda, për t'ia sjellë Jozuehut e gjithë popullit të Izraelit e i vunë para ZOTIT. Atëherë Jozuehu dhe i gjithë populli morën Akanin, birin e Zerahut, argjendin, gunën dhe shufrën e arit, bashkë me bijtë e bijat e tij, me qetë, gomarët e delet e tij, tendën e gjithçka i përkiste, e i çuan në luginën e Akorit. Jozuehu u tha: «Përse na e solle këtë fatkeqësi? E pra, sot, ZOTI po ta sjell ty fatkeqësinë». Pastaj i gjithë Izraeli e vrau Akanin me gurë. Si i vranë të gjithë me gurë, i dogjën në zjarr. Mbi të hodhën një grumbull të madh gurësh, që është aty edhe sot e kësaj dite. Atëherë zemërimi i zjarrtë i ZOTIT u fashit, prandaj dhe ai vend quhet deri më sot lugina e Akorit.
Jozueu 7:1-26 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por bijtë e Izraelit kryen një shkelje rreth gjërave të caktuara për shfarosje, sepse Akani, djalë i Karmit, i Zabdiut, birit të Zerahut, nga fisi i Judës, mori disa sende të caktuara për shfarosje, Ndërkaq Jozueu dërgoi njerëz nga Jeriko në Ai, që është afër Beth-Avenit, i cili ndodhet në lindje të Bethelit, dhe u tha atyre: "Ngjituni për të vëzhguar vendin". Kështu njerëzit u ngjitën për të vëzhguar Ain. Pastaj u kthyen tek Jozueu dhe i thanë: "Nuk është e nevojshme të ngjitet tërë populli; por le të ngjiten dy mijë a tre mijë burra për të sulmuar Ain; mos e lodh tërë popullin, sepse ata të Ait janë të paktë në numër". Kështu u ngjitën rreth tre mijë burra të zgjedhur nga radhët e popullit, por para burrave të Ait, ua mbathën këmbëve. Dhe burrat e Ait vranë rreth tridhjetë e gjashtë prej tyre; i ndoqën nga porta e qytetit deri në Shebarim, duke i goditur në tatëpjetë. Dhe zemra e popullit u ligështua, u bë si uji. Jozueu i grisi atëherë rrobat e tij dhe ra përmbys me fytyrë për tokë, përpara arkës së Zotit deri në mbrëmje, ai dhe pleqtë e Izraelit, dhe hodhën pluhur mbi kokën e tyre. Pastaj Jozueu tha: "O Zot, o Zot, pse bëre që ky popull të kalojë Jordanin dhe të bjerë në duart e amorenjve për t'u vrarë? Ah, sikur të ishim kënaqur duke qëndruar këtej Jordanit! O Zot, ç'mund të them pasi Izraeli i ktheu kurrizin armikut të tij? kanaanenjtë dhe tërë banorët e vendit do ta marrin vesh, do të na rrethojnë dhe do të zhdukin emrin tonë nga faqja e dheut; çfarë do të bësh ti atëherë për emrin tënd të madh?". Por Zoti i tha Jozueut: "Çohu! Pse rri përmbys me fytyrë për tokë? Izraeli ka mëkatuar; ata kanë shkelur besëlidhjen që u kisha porositur; kanë marrë madje gjëra të caktuara që të shfarosen, kanë vjedhur dhe kanë gënjyer; dhe pastaj i kanë vënë midis plaçkave të tyre. Prandaj bijtë e Izraelit nuk mund t'iu bëjnë ballë armiqve të tyre, dhe kanë kthyer kurrizin para tyre, sepse janë bërë ata vetë të mallkuar. Unë nuk do të jem më me ju, në rast se nuk shkatërroni gjërat e caktuara që të shfarosen midis jush. Çohu, shenjtëro popullin dhe i thuaj: "Shenjtërohuni për nesër, sepse kështu ka thënë Zoti, Perëndia i Izraelit: "O Izrael, në gjirin tënd ka gjëra të caktuara për t'u shkatërruar. Ti nuk do të mund t'u bësh ballë armiqve të tu, përderisa nuk ke hequr gjërat e caktuara për shkatërrim midis jush. Nesër në mëngjes, pra, do të paraqiteni, fis më fis, dhe fisi, që Zoti do të caktojë do të paraqitet, familje më familje, dhe familja që Zoti do të caktojë do të shkojë shtëpi më shtëpi, dhe shtëpia që Zoti do të caktojë ka për t'u paraqitur me të gjithë njerëzit e saj. Dhe atij që do t'i gjenden gjëra të caktuara të shfarosen do t'i vihet flaka, atij vet dhe gjithçka që i përket, sepse ka shkelur besëlidhjen e Zotit dhe ka kryer një gjë të keqe në Izrael"". Jozueu, pra, u ngrit herët në mëngjes dhe e renditi Izraelin sipas fiseve të tij; dhe u caktua fisi i Judës. Pastaj afroi familjet e Judës, dhe u caktua familja e zarhitëve. Pastaj afroi familjen e zarhitëve, person mbas personi, dhe u caktua Zabdi. Pastaj afroi shtëpinë e Zabdit, person për person, dhe u caktua Akani, bir i Karmit, i Zabdit, birit të Zerahut, nga fisi i Judës. Atëherë Jozueu i tha Akanit: "Biri im, të lutem, mbushe me lavdi Zotin, Perëndinë e Izraelit, rrëfeji atij dhe më thuaj atë që ke bërë; mos ma fshih". Akani iu përgjigj Jozueut dhe i tha: "Në të vërtetë jam unë që kam mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë së Izraelit, dhe ja ç'kam bërë. Kur pashë midis plaçkës një mantel të bukur të Shinarit, dyqind sikla argjendi dhe një shufër ari që peshon pesëdhjetë sikla, pata një dëshirë të madhe për to dhe i mora; dhe ja, i kam fshehur në tokë në mes të çadrës sime; dhe argjendi është poshtë". Atëherë Jozueu dërgoi lajmëtarë që vrapuan në çadër; dhe ja, plaçka ishte fshehur në çadrën e tij, dhe argjendi ndodhej poshtë. Ata e morën nga çadra, ia çuan Jozueut dhe tërë bijve të Izraelit, dhe e vendosën përpara Zotit. Atëherë Jozueu, dhe tërë Izraeli bashkë me të, mori Akanin, birin e Zerahut, argjendin, mantelin, shufrën prej ari, bijtë dhe bijat e tij, qetë e tij, gomarët e tij, delet e tij dhe të gjitha gjërat që i përkisnin, dhe i ngjiti në luginën e Akorit. Dhe Jozueu tha: "Pse na vure në telashe? Zoti do të të vërë në telashe ty sot!". Dhe i tërë Izraeli e vrau me gurë; dhe mbasi e vranë me gurë, e dogjën në zjarr. Pastaj ngritën mbi të një grumbull të madh gurësh, që ekziston edhe sot. Kështu Zoti u qetësua nga rrëmbimi i zemërimit të tij. Prandaj ky vend quhet edhe sot lugina e Akorit.