Jozueu 4:6-15
Jozueu 4:6-15 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Këta gurë do të jenë shenjë për ju. Kur bijtë tuaj t'ju pyesin në të ardhmen: “Për ju, çfarë janë këta gurë?”, ju do t'u thoni se ujërat e Jordanit u ndanë më dysh para arkës së besëlidhjes së ZOTIT. Kur Arka kaloi përmes Jordanit, ujërat e tij u ndanë më dysh. Këta gurë janë përmendore e përjetshme për popullin e Izraelit». Izraelitët bënë siç i kishte urdhëruar Jozuehu e mblodhën dymbëdhjetë gurë nga shtrati i Jordanit, sipas numrit të fiseve të Izraelit, siç i kishte thënë ZOTI Jozuehut. Gurët i morën me vete në vendin e fushimit e atje i lartuan. Jozuehu lartoi edhe dymbëdhjetë gurë në mes të Jordanit, atje ku vunë këmbë priftërinjtë që mbartën arkën e besëlidhjes. Ata gurë janë atje gjer më sot. Priftërinjtë që mbartnin arkën qëndruan në mes të Jordanit derisa u krye gjithçka që ZOTI i kishte urdhëruar Jozuehut t'i thoshte popullit. Jozuehu veproi ashtu siç e kishte urdhëruar Moisiu dhe populli kaloi shpejt Jordanin. Kur kishte kaluar i gjithë populli, kaloi edhe arka e ZOTIT. Priftërinjtë kaluan para popullit. Fisi i Rubenit, fisi i Gadit e gjysma e fisit të Manaseut kaluan të armatosur para izraelitëve, siç u kishte thënë Moisiu. Rreth dyzet mijë luftëtarë të armatosur kaluan para ZOTIT për luftë në fushat e Jerikosë. Atë ditë ZOTI e lartoi Jozuehun në sytë e gjithë Izraelit. Izraelitët e nderuan Jozuehun ashtu siç kishin nderuar edhe Moisiun kur ishte gjallë. Atëherë ZOTI i tha Jozuehut
Jozueu 4:6-15 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
me qëllim që kjo të jetë një shenjë midis jush. Kur në të ardhmen bijtë tuaj do t'ju pyesin, duke thënë: "Ç'janë për ju këta gurë?", ju do t'u përgjigjeni kështu: "Ujërat e Jordanit u ndanë para arkës së besëlidhjes të Zotit; kur ajo kaloi Jordanin, ujërat e tij u ndanë dhe këta gurë do të jenë për bijtë e Izraelit një kujtim për jetë"". Bijtë e Izraelit bënë pikërisht ashtu si i kishte urdhëruar Jozueu: morën dymbëdhjetë gurë në mes të Jordanit, ashtu si e kishte porositur Zoti Jozueun, në bazë të numrit të fiseve të Izraelit, dhe i morën me vete matanë lumit në vendin ku do të kalonin natën, dhe i vendosën aty. Jozueu ngriti gjithashtu dymbëdhjetë gurë në mes të Jordanit, në vendin ku ishin ndalur këmbët e priftërinjve që mbanin arkën e besëlidhjes; dhe aty kanë mbetur deri më sot. Priftërinjtë që mbanin arkën u ndalën në mes të Jordanit derisa u plotësua tërësisht ajo që i kishte urdhëruar Zoti Jozueut t'i thoshte popullit, në bazë të të gjitha atyre që Moisiu i kishte urdhëruar Kur tërë populli mbaroi së kaluari, arka e Zotit dhe priftërinjtë kaluan në prani të popullit. Bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manasit kaluan të armatosur në krye të bijve të Izraelit, ashtu siç u kishte thënë Moisiu. Rreth dyzet mijë njerëz me veshje lufte kaluan para Zotit në fushat e Jerikos, gati për të luftuar. Po atë ditë, Zoti e bëri të madh Jozueun në sytë e tërë Izraelit, dhe banorët e tij patën frikë nga ai ashtu si patën frikë nga Moisiu gjatë gjithë ditëve të jetës së tij. Pastaj Zoti i foli Jozueut dhe i tha