Jozueu 3:3-17
Jozueu 3:3-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
e i dhanë urdhër popullit: «Kur të shihni priftërinjtë e levitët të mbartin arkën e besëlidhjes së ZOTIT, Perëndisë suaj, ngrihuni e shkoni pas saj. Rrini një kilometër larg arkës. Mos u afroni më shumë. Udhën nga duhet të shkoni do ta kuptoni prej arkës, pasi asaj udhe nuk keni kaluar më parë». Jozuehu i tha popullit: «Shenjtërohuni, sepse nesër ZOTI do të bëjë mrekulli mes jush». Priftërinjve Jozuehu u tha: «Ngrijeni arkën e besëlidhjes dhe kaloni para popullit». Ata e ngritën arkën e besëlidhjes dhe ecën përpara popullit. ZOTI i tha Jozuehut: «Sot po filloj të të lartoj para syve të mbarë Izraelit, që ta dinë se unë jam me ty, ashtu siç isha edhe me Moisiun. Urdhëroi priftërinjtë, që mbartin arkën e besëlidhjes, që, kur të mbërrijnë tek ujërat e Jordanit, të hyjnë e të qëndrojnë brenda në lumë». Jozuehu u tha izraelitëve: «Afrohuni këtu e dëgjoni fjalët e ZOTIT, Perëndisë suaj». Dhe u tha: «Ja si do ta dini se Perëndia i gjallë është mes jush dhe se do të dëbojë para syve tuaj kananitët, hititët, hivitët, perizitët, girgashitët, amoritët dhe jebusitët: arka e besëlidhjes së Zotit të mbarë tokës do t'ju prijë përmes Jordanit. Zgjidhni, pra, dymbëdhjetë burra nga fiset e Izraelit, nga një për fis. Kur këmbët e priftërinjve, që mbartin arkën e ZOTIT, Zotit të mbarë tokës, të prekin ujërat e Jordanit, uji i lumit do të ndalet dhe rrjedha e ujit që zbret do të ngrihet lart si mur». Populli e la fushimin për të kaluar Jordanin. Përpara i prinin priftërinjtë që mbartnin arkën e besëlidhjes. Ishte koha e të korrave dhe Jordani ishte plot e përplot. Kur u afruan bartësit e arkës dhe priftërinjtë që mbartnin arkën hynë në breg të lumit, ujërat u ndalën dhe rrjedha e sipërme e ujit u ngrit si mur, që prej qytetit të Adamit, pranë Cartanit, ndërsa rrjedha e poshtme u derdh në detin e Kripur. Kështu, populli e kaloi Jordanin përballë Jerikosë. Priftërinjtë, që mbartnin arkën e besëlidhjes së ZOTIT, qëndruan në tokë të thatë në mes të Jordanit, derisa i gjithë populli i Izraelit kaloi në bregun tjetër të lumit, nëpër shtratin e thatë.
Jozueu 3:3-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
dhe i dhanë popullit këtë urdhër, duke i thënë: "Kur të shihni arkën e besëlidhjes të Zotit, Perëndisë tuaj, të mbajtur nga priftërinjtë levitë, do të niseni nga vendi juaj dhe do ta ndiqni. Midis jush dhe arkës do të ketë një largësi prej rreth dy mijë kubitësh. Mos iu afroni asaj, me qëllim që të njihni rrugën nëpër të cilën duhet të shkoni, sepse deri tani nuk keni kaluar kurrë nëpër këtë rrugë". Dhe Jozueu i tha popullit: "Shenjtërohuni, sepse nesër Zoti ka për të bërë mrekulli midis jush". Pastaj Jozueu u foli priftërinjve, duke u thënë: "Merrni arkën e besëlidhjes dhe kaloni përpara popullit". Kështu ata morën arkën e besëlidhjes dhe ecën para popullit. Atëherë Zoti i tha Jozueut: "Sot do të filloj të të bëj të madh në sytë e të gjithë Izraelit, me qëllim që të kuptojnë se ashtu siç kam qenë me Moisiun, kështu do të jem edhe me ty. Prandaj ti jepu këtë urdhër priftërinjve që mbajnë arkën e besëlidhjes, duke u thënë: "Kur të arrini në breg të Jordanit, do të ndaleni në Jordan"". Jozueu u tha atëherë bijve të Izraelit: "Afrohuni dhe dëgjoni fjalët e Zotit, Perëndisë tuaj". Pastaj Jozueu tha: "Nga kjo do të njihni që Zoti i gjallë është midis jush dhe që me siguri ka për të dëbuar para jush kanaanenjtë, hitenjtë, hivenjtë, perezenjtë, girgasenjtë, amorenjtë dhe jebusenjtë; ja, arka e besëlidhjes së Zotit të të gjithë dheut po bëhet gati të kalojë para jush në lumin Jordan. Merrni, pra, dymbëdhjetë burra nga fiset e Izraelit, një për çdo fis. Dhe ka për të ndodhur që, porsa tabanët e këmbëve të priftërinjve që mbajnë arkën e Zotit, Zot i gjithë tokës, do të takojnë në ujërat e Jordanit, ujërat e Jordanit do të ndahen, dhe ujërat që zbresin nga lart do të ndalen tok". Kështu, kur populli ngriti çadrat për të kaluar Jordanin, priftërinjtë që mbanin arkën e besëlidhjes ecnin përpara popullit. Sapo ata që mbanin arkën arritën në Jordan dhe këmbët e priftërinjve që transportonin arkën u zhytën në ujërat e bregut të tij (Jordani është i mbushur plot deri në brigjet e tij gjatë tërë kohës së korrjes), ujërat që zbrisnin nga sipër u ndalën dhe u ngritën tok shumë më lart se Adami, qyteti që ndodhet pranë Tsartanit; kështu që ujërat që zbrisnin në drejtim të detit të Arabahut, Detit të Kripur, u ndanë tërësisht prej tyre; dhe populli i kaloi përballë Jerikos. Priftërinjtë që mbanin arkën e besëlidhjes të Zotit u ndalën në vend të thatë në mes të Jordanit, ndërsa tërë Izraeli po kalonte në të thatë, derisa tërë populli mbaroi së kapërcyeri Jordanin.