Jozueu 24:1-15
Jozueu 24:1-15 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jozuehu i mblodhi të gjitha fiset e Izraelit në Shekem dhe i thirri pleqtë e Izraelit, prijësit, gjykatësit dhe krerët të paraqiteshin para Perëndisë. Atëherë Jozuehu i tha mbarë popullit: «Kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit: “Në kohët e shkuara paraardhësit tuaj, si Terahu, ati i Abrahamit dhe i Nahorit, jetonin përtej lumit të Eufratit dhe u shërbenin perëndive të tjerë. Por unë e mora Abrahamin nga përtej lumit dhe i priva nëpër tërë vendin e Kanaanit. Ia shtova pasardhësit dhe i dhashë Isakun. Isakut i dhashë Esaun. Esaut i dhashë për pronë malin e Seirit, ndërsa Jakobi dhe bijtë e tij shkuan në Egjipt. Pastaj dërgova Moisiun e Aronin, godita Egjiptin me mrekullitë që bëra atje dhe ju nxora prej andej. Kur dolën nga Egjipti, etërit tuaj mbërritën te deti i Kuq, por egjiptianët i ndoqën deri atje me karroca dhe me kuaj. Ata i thirrën për ndihmë ZOTIT dhe ai vuri terrin midis tyre dhe egjiptianëve. Pastaj hodhi mbi egjiptianët detin dhe deti i mbuloi. Ju e patë me sytë tuaj çfarë bëra në Egjipt. Mandej jetuat për një kohë të gjatë në shkretëtirë. Pastaj ju solla në tokën e amoritëve, që banonin përtej Jordanit. Ata luftuan kundër jush, por unë jua dorëzova juve dhe i shfarosa para jush. Tokën e tyre e morët ju. Edhe Balaku, biri i Ciporit dhe mbreti i Moabit, doli të luftojë kundër Izraelit. Ai thirri Balaamin, birin e Beorit, që t'ju mallkonte. Por unë nuk desha ta dëgjoja Balaamin, prandaj ai ju bekoi dhe unë ju shpëtova prej dorës së tij. Si e kaluat Jordanin, mbërritët në Jeriko. Banorët e Jerikosë, amoritët, perizitët, kananitët, hititët, girgashitët, hivitët dhe jebusitët, luftuan kundër jush, por unë jua dorëzova juve. Lëshova grerëzat para jush dhe me to dëbova nga ju dy mbretërit e amoritëve pa shpatën apo harkun tuaj. Ju dhashë një tokë që nuk e kishit punuar ju dhe qytete që nuk i kishit ndërtuar ju, por ju banoni në to. Vreshtat dhe ullinjtë nuk i mbollët ju, por po hani prej tyre”. Tani, pra, druajeni ZOTIN dhe shërbejini atij me përsosmëri dhe me besnikëri. Hidhni tej perënditë që kanë adhuruar paraardhësit tuaj, kur ishin përtej lumit të Eufratit e në Egjipt, dhe shërbejini ZOTIT. Nëse nuk ju duket gjë e mirë t'i shërbeni ZOTIT, atëherë vendosni sot se kujt doni t'i shërbeni, perëndive që u shërbyen paraardhësit tuaj, kur ishin përtej lumit Eufrat, apo perëndive të amoritëve, në tokën e të cilëve banoni? Sa për mua dhe shtëpinë time, ne do t'i shërbejmë ZOTIT».
Jozueu 24:1-15 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pastaj Jozueu mblodhi të gjitha fiset e Izraelit në Sikem, dhe thirri pleqtë e Izraelit, krerët, gjykatësit dhe oficerët e tij, që u paraqitën përpara Perëndisë. Dhe Jozueu i tha tërë popullit: "Kështu flet Zoti, Perëndia i Izraelit: "Në kohërat e kaluara, etërit tuaj, si Terahu, ati i Abrahamit dhe i Nahorit, banonin matanë lumit dhe u shërbenin perëndive të tjera. Unë mora atin tuaj Abrahamin nga ana tjetër e lumit, e bëra të kalojë nëpër gjithë vendin e Kanaanit, shumëzova pasardhësit e tij dhe i dhashë Isakun. Isakut i dhashë Jakobin dhe Esaun; Esaut i dhashë si trashëgimi malin e Seirit; por Jakobi dhe bijtë e tij zbritën në Egjipt. Pastaj dërgova Moisiun dhe Aaronin dhe godita Egjiptin me atë që bëra në mes të tij; pastaj ju nxora jashtë. Kështu nxora nga Egjipti etërit tuaj, dhe ju arritët në det. Egjiptasit i ndoqën etërit tuaj me qerre dhe me kalorës deri në Detin e Kuq. Por ata i klithën Zotit, dhe ai vendosi një errësirë të dendur midis jush dhe egjiptasve; pastaj hodha mbi ta detin, që i mbuloi; dhe sytë tuaj panë atë që u bëra egjiptasve. Pastaj qëndruat për një kohë të gjatë në shkretëtirë. Unë ju çova në vendin e amorenjve, që banonin matanë Jordanit; ata luftuan kundër jush dhe unë jua dhashë në dorë; ju pushtuat vendin e tyre dhe unë i shpartallova para jush. Pastaj Balaku, bir i Tsiporit, mbret i Moabit, u ngrit për të luftuar Izraelin; dhe dërgoi të thërrasë Balaamin, djalin e Beorit, që t'ju mallkonte; por unë nuk desha të dëgjoj Balaamin; prandaj ai ju bekoi me të madhe, dhe ju çlirova nga duart e Balakut. Kaluat pastaj Jordanin dhe arritët në Jeriko; banorët e Jerikos luftuan kundër jush; kështu bënë amorenjtë, perezenjtë, kanaanenjtë, hitenjtë, girgasenjtë, hivenjtë dhe jebusenjtë; por unë jua dorëzova në dorë. Dhe çova para jush grerëzat, që i bënë të ikin para jush, ashtu si kishte ndodhur me dy mbretërit e amorenjve; por kjo nuk ishte meritë e shpatës ose e harkut tënd. Dhe ju dhashë një tokë për të cilën nuk kishit punuar dhe qytete që nuk i kishit ndërtuar, dhe ju banuat në to; dhe tani hani frytin e vreshtave dhe të ullishteve që nuk keni mbjellë". Prandaj tani t'ia kini frikën Zotit dhe shërbejeni me ndershmëri dhe besnikëri; hiqni perënditë të cilëve u shërbyen etërit tuaj matanë lumit dhe në Egjipt, dhe vihuni në shërbim të Zotit. Dhe në rast se ju duket një gjë e keqe t’i shërbeni Zotit, zgjidhni sot kujt doni t’i shërbeni, o perënditë të cilëve u shërbyen etërit tuaj matanë lumit, o perënditë e amorenjve, në vendin e të cilëve ju banoni sot; sa për mua dhe për shtëpinë time do t’i shërbejmë Zotit".