Jozueu 22:10-34
Jozueu 22:10-34 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pasardhësit e Rubenit e të Gadit, si dhe gjysma e fisit të Manaseut, mbërritën në Gelilot të Jordanit, në vendin e Kanaanit dhe ndërtuan një altar me pamje madhështore në brigjet e Jordanit. Izraelitët dëgjuan se pasardhësit e Rubenit e të Gadit, si edhe gjysma e fisit të Manaseut, kishin ndërtuar një altar në kufijtë e vendit të Kanaanit, në Gelilot të Jordanit, në anën e izraelitëve. Kur e dëgjuan këtë izraelitët, mbarë bashkësia e Izraelit u mblodh në Shiloh për të luftuar kundër tyre. Izraelitët dërguan Finehasin, birin e priftit Eleazar, te pasardhësit e Rubenit, Gadit dhe gjysmës së fisit të Manaseut në vendin e Gileadit. Bashkë me të dërguan edhe dhjetë prijës, nga një prijës për çdo fis të Izraelit. Secili prej tyre ishte kreu i njësive të ndara sipas familjeve të Izraelit. Kur mbërritën te pasardhësit e Rubenit, Gadit dhe të gjysmës së fisit të Manaseut në vendin e Gileadit, ata u thanë: «Ja ç'ju thotë tërë bashkësia e ZOTIT: “Ç'është kjo pabesi që keni bërë kundër Perëndisë së Izraelit? Përse e braktisët ZOTIN dhe ndërtuat një altar, duke ngritur krye kundër ZOTIT? Nuk na mjafton paudhësia që bëmë në Peor? Edhe sot e kësaj dite nuk jemi liruar nga plaga që i ra bashkësisë së ZOTIT. Sot ju jeni kthyer kundër ZOTIT. Nëse ngrini sot krye kundër ZOTIT, nesër zemërimi e tij do të bjerë mbi tërë Izraelin. Nëse mendoni se toka që keni marrë për pronë është e papastër, atëherë kaloni në tokën që është pronë e ZOTIT, atje ku është tenda e ZOTIT, dhe merrni tokë mes tokave tona. Por mos ngrini krye kundër ZOTIT, duke ndërtuar një altar tjetër, veç altarit të ZOTIT, Perëndisë tonë. A nuk veproi me pabesi Akani, biri i Zerahut, kur mori sendet e mallkuara dhe pastaj zemërimi i ZOTIT ra mbi tërë Izraelin? Akani nuk ishte i vetmi që vdiq për shkak të paudhësisë së tij”». Pasardhësit e Rubenit, Gadit dhe të gjysmës së fisit të Manaseut u thanë prijësve të familjeve të Izraelit: «ZOTI, Perëndia i perëndive, vetë ZOTI, Perëndia i perëndive, e di mirë, por le ta marrë vesh edhe Izraeli se, nëse ne vepruam kështu për të ngritur krye apo për të mos i qëndruar besnik ZOTIT, ai le të na ndëshkojë që tani. Nëse e ndërtuam altarin për t'u larguar nga ZOTI apo për të kushtuar mbi të fli shkrumbimi, drithi apo paqtimi, të na gjykojë vetë ZOTI. Ne e ndërtuam nga frika se mos nesër pasardhësit tuaj u thonë pasardhësve tanë: “Çfarë lidhje keni ju me ZOTIN, Perëndinë e Izraelit? Vetë ZOTI e ka vënë Jordanin si kufi mes nesh e jush, o pasardhës të Rubenit e të Gadit. Ju s'keni pjesë me Zotin”. Kështu, pasardhësit tuaj mund t'i bëjnë pasardhësit tanë të mos e druajnë më ZOTIN. Prandaj edhe thamë të ndërtojmë një altar për veten tonë, jo për të kushtuar fli apo fli shkrumbimi, por që të jetë dëshmi për ne, për ju dhe për breznitë që do të vijnë pas nesh, se do t'i shërbejmë ZOTIT dhe se para tij do t'i kushtojmë flitë tona, flitë e shkrumbimit e të paqtimit. Kështu, pasardhësit tuaj nuk do t'u thonë nesër pasardhësve tanë se nuk kanë pjesë me ZOTIN. Nëse do të na thonë gjë neve apo breznive pas nesh, ne do të përgjigjemi: “Shihni trajtën e altarit të ZOTIT. Paraardhësit tanë nuk e ndërtuan për të kushtuar fli apo fli shkrumbimi, por që të jetë dëshmi për ne e për ju”. Larg qoftë të ngremë krye kundër ZOTIT e të largohemi prej tij duke ndërtuar një altar për të kushtuar fli shkrumbimi, drithi, apo ndonjë fli tjetër, përveçse në altarin e ZOTIT, Perëndisë tonë, që ndodhet përpara tendës së tij». Prifti Finehas, prijësit e bashkësisë dhe krerët e familjeve të Izraelit, që ishin me të, dëgjuan çfarë u thanë pasardhësit e Rubenit, Gadit e të gjysmës së fisit të Manaseut dhe mbetën të kënaqur. Atëherë prifti Finehas, biri i Eleazarit, u tha pasardhësve të Rubenit, të Gadit e të gjysmës së fisit të Manaseut: «Tani e dimë mirë se ZOTI është mes nesh, sepse nuk keni vepruar me pabesi kundër ZOTIT dhe i shpëtuat bijtë e Izraelit nga dora e ZOTIT». Prifti Finehas, biri i Eleazarit, bashkë me prijësit, u larguan nga pasardhësit e Rubenit e të Gadit në tokën e Gileadit, u kthyen tek izraelitët në tokën e Kanaanit dhe u treguan gjithçka. Përgjigja u pëlqeu izraelitëve. Ata bekuan Perëndinë e bijve të Izraelit dhe nuk folën më për luftë kundër pasardhësve të Rubenit e të Gadit dhe për ta shkatërruar vendin ku jetonin. Pasardhësit e Rubenit e të Gadit e quajtën altarin «Dëshmitar», sepse ai altar ishte dëshmi për ta që ZOTI ishte Perëndia i tyre.
Jozueu 22:10-34 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pasi arritën në brigjet e Jordanit që ndodhet në vendin e Kanaanit, bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manasit ndërtuan një altar, pranë Jordanit, një altar me pamje të madhërishme. Bijtë e Izraelit dëgjuan se thuhej: "Ja, bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manasit kanë ndërtuar një altar në kufijtë e vendit të Kanaanit, në brigjet e Jordanit, në anën e pushtuar nga bijtë e Izraelit". Kur bijtë e Izraelit e mësuan këtë gjë, tërë asambleja e bijve të Izraelit u mblodh në Shilon për të bërë luftë kundër tyre. Atëherë bijtë e Izraelit u dërguan bijve të Rubenit, bijve të Gadit dhe gjysmës së fisit të Manasit, në vendin e Galaadit, Finehasin, birin e priftit Eleazar, dhe bashkë me të dhjetë princa, një princ për çdo shtëpi atërore të fiseve të ndryshme të Izraelit; secili prej tyre ishte kreu i një shtëpie atërore midis ndarjeve të Izraelit. Ata shkuan te bijtë e Rubenit, te bijtë e Gadit dhe te gjysma e fisit të Manasit në vendin e Galaadit dhe folën me ta, duke thënë: "Kështu thotë tërë asambleja e Zotit: "Ç'është kjo shkelje që keni kryer kundër Perëndisë së Izraelit, duke mos e ndjekur më sot Zotin, duke ndërtuar një altar për të ngritur krye sot kundër Zotit? Mos qe vallë gjë e vogël paudhësia e Peorit, nga e cila nuk jemi larë ende deri më sot dhe që solli një fatkeqësi mbi asamblenë e Zotit, që ju shtyn sot të mos e ndiqni Zotin? Sepse, po të jetë se sot ngrini krye kundër Zotit, nesër ai do të zemërohet kundër tërë asamblesë së Izraelit. Në qoftë se e konsideroni të papastër vendin që zotëroni, mund të kaloni në vendin që është pronë e Zotit, ku ndodhet tabernakulli i Zotit, dhe të banoni midis nesh; por mos ngrini krye kundër Zotit dhe kundër nesh, duke ndërtuar një altar përveç atij të Zotit, Perëndisë tonë. Kur Akani, bir i Zerahut, kreu një shkelje në gjërat e caktuara të shfarosen, a nuk tërhoqi vallë zemërimin e Zotit mbi gjithë asamblenë e Izraelit? Dhe ai njeri nuk qe i vetmi që gjeti vdekjen në paudhësinë e tij"". Atëherë bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manasit u përgjigjën dhe u thanë krerëve të ndarjeve të Izraelit: "Zoti Perëndia i perëndive, Zoti Perëndia i perëndive! Ai e di, bile edhe Izraeli do ta mësojë. Në qoftë se e bëmë për rebelim ose për mosbesnikëri ndaj Zotit, mos na kurseni në këtë ditë. Në rast se kemi ndërtuar një altar për të mos e ndjekur më Zotin ose për të ofruar mbi të holokaustet apo blatime ushqimore, ose për të bërë mbi të flijime falënderimi, le të na kërkojë llogari vetë Zoti! Por në të vërtetë ne e bëmë këtë me frikë, për një arsye, duke menduar që në të ardhmen pasardhësit tuaj mund t'u thoshin pasardhësve tanë: "Çfarë ju lidh me Zotin, Perëndinë e Izraelit? Zoti e ka vënë Jordanin si kufi midis jush dhe nesh, o bij të Rubenit, o bij të Gadit; ju nuk keni asnjë pjesë te Zoti". Kështu pasardhësit tuaj mund t'i largojnë pasardhësit tanë nga frika e Zotit. Prandaj thamë: "Le të ndërtojmë një altar, jo për holokauste as për flijime, por që të shërbejë si dëshmi midis jush dhe nesh dhe midis pasardhësve tanë pas nesh, në mënyrë që të mund të kryejmë shërbimin e Zotit përpara tij, me holokaustet tona, flijimet tona dhe ofertat tona të falënderimit, me qëllim që pasardhësit tuaj të mos u thonë një ditë pasardhësve tanë: Ju nuk keni asnjë pjesë tek Zoti". Prandaj thamë: Në rast se ndodh që një ditë të na thonë këtë neve ose pasardhësve tanë, atëherë do të përgjigjemi: Shikoni formën e altarit të Zotit që ndërtuan etërit tanë, jo për holokauste as për flijime, por që të shërbejë si dëshmitar midis nesh dhe jush. Nuk na ka shkuar mendja të ngremë krye kundër Zotit dhe as të heqim dorë nga bindja ndaj Zotit, duke ndërtuar një altar për holokaustet, për blatimet e ushqimit ose për flijimet, përveç altarit të Zotit, Perëndisë tonë, që ndodhet përpara tabernakullit të tij!". Kur prifti Finehas dhe princat e asamblesë, krerët e ndarjeve të Izraelit që ishin me të, dëgjuan fjalët që thanë bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe bijtë e Manasit, mbetën të kënaqur. Atëherë Finehasi, bir i priftit Eleazar, u tha bijve të Rubenit, të Gadit dhe të Manasit: "Sot pranojmë që Zoti është midis nesh, sepse ju nuk keni kryer këtë shkelje ndaj Zotit; kështu i keni shpëtuar bijtë e Izraelit nga dora e Zotit". Pastaj Finehasi, bir i priftit Eleazar dhe princat i lanë bijtë e Rubenit dhe të Gadit, dhe vendin e Galaadit, dhe u kthyen në vendin e Kanaanit pranë bijve të Izraelit, të cilëve u treguan ngjarjen. Kjo gjë u pëlqeu bijve të Izraelit, dhe bijtë e Izraelit bekuan Perëndinë, dhe nuk folën më të shkojnë për të luftuar kundër bijve të Rubenit dhe të Gadit dhe të shkatërronin vendin në të cilin ata banonin. Dhe bijtë e Rubenit dhe të Gadit e quajtën "Dëshmitar" këtë altar, sepse thanë: "Ai është dëshmitar midis nesh që Zoti është Perëndia".