Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jozueu 14:6-15

Jozueu 14:6-15 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Pasardhësit e Judës shkuan te Jozuehu në Gilgal. Kalebi, biri i Jefuneh Kenizitit, i tha Jozuehut: «Ti e di çfarë i tha ZOTI Moisiut, njeriut të Perëndisë, për mua e për ty në Kadesh Barne. Isha dyzet vjeç kur Moisiu, shërbëtori i ZOTIT më dërgoi nga Kadesh Barnea për të përgjuar vendin. Kur u ktheva, e njoftova me hollësi e me zemër të pastër. E ndërsa vëllezërit e mi që kishin qenë me mua i futën frikën popullit, unë i mbeta besnik ZOTIT, Perëndisë tim. Atë ditë Moisiu u betua e tha: “Toka që shkeli këmba jote do të bëhet pronë e jotja dhe e fëmijëve të tu përjetë, sepse i ke qëndruar besnik ZOTIT, Perëndisë tim”. Dhe ja, ZOTI më ka mbajtur në jetë, ashtu siç tha. Kanë kaluar dyzet vjet nga dita kur ZOTI foli me Moisiun, në kohën kur Izraeli endej nëpër shkretëtirë, dhe ja ku jam sot, tetëdhjetë e pesë vjeç. Jam ende i fortë si ditën kur më dërgoi Moisiu. Kam po aq fuqi tani sa ç'kisha edhe atëherë, për të shkuar në luftë e për t'u kthyer nga lufta. Prandaj, ma jep mua këtë mal, siç tha ZOTI atë ditë, sepse atë ditë ti vetë e dëgjove se aty banonin anakitët, në qytete të mëdha e të fortifikuara. Dashtë ZOTI t'i shpartalloj me ndihmën e tij, siç ka thënë vetë ZOTI». Jozuehu e bekoi Kalebin, birin e Jefunehut, e i dha për pronë Hebronin. Kështu, Hebroni është pronë e Kalebit, birit të Jefuneh Kenizitit, edhe sot e kësaj dite, sepse ai i qëndroi besnik ZOTIT, Perëndisë së Izraelit. Hebroni quhej më parë Kirjat Arba, sepse Arbai kishte qenë njeri i madh ndër anakitët. Në atë vend nuk pati më luftë.

Jozueu 14:6-15 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atëherë bijtë e Judës u paraqitën para Jozueut në Gilgal; dhe Kalebi, bir i Jefunehut, Kenizeu, i tha: "Ti e di atë që Zoti i tha Moisiut, njeriut të Perëndisë, lidhur me mua dhe me ty në Kadesh-Barnea. Unë isha dyzet vjeç kur Moisiu, shërbëtori i Zotit, më dërgoi në Kadesh-Barnea për të vëzhguar vendin; unë i paraqita një raport ashtu si ma thoshte zemra. Ndërsa vëllezërit e mi që kishin ardhur me mua e shkurajuan popullin, unë ndoqa plotësisht Zotin, Perëndinë tim. Atë ditë Moisiu bëri këtë betim: "Toka që ke shkelur me këmbë do të jetë trashëgimia jote dhe e bijve të tu përgjithnjë, sepse ke ndjekur plotësisht Zotin, Perëndinë tim". Dhe ja, tani Zoti më ka ruajtur të gjallë, siç e kishte thënë, këto dyzet e pesë vjet që kur Zoti i tha këto fjalë Moisiut, ndërsa Izraeli endej nëpër shkretëtirë; dhe ja, sot u bëra tetëdhjetë e pesë vjeç. Por sot jam akoma i fortë si ditën që Moisiu më nisi; po atë fuqi që kisha atëherë e kam edhe tani, qoftë për të luftuar, qoftë për të shkuar dhe për të ardhur. Prandaj ma jep këtë mal për të cilin foli Zoti atë ditë; sepse ti vetë e dëgjove atë ditë që aty ishin anakimët dhe kishte qytete të mëdha dhe të fortifikuara. Në rast se Zoti do të jetë me mua, unë do t'i dëboj, ashtu si ka thënë Zoti". Atëherë Jozueu e bekoi dhe i dha si trashëgimi Hebronin Kalebit, djalit të Jefunehut. Për këtë arsye Hebroni ka mbetur pronë e Kalebit, birit të Jefunehut, Kenizeu, deri në ditën e sotme, sepse ai ka ndjekur plotësisht Zotin, Perëndinë e Izraelit. Më parë Hebroni quhej Kirjath-Arba, Arba pati qenë njeriu më i madh në radhët e anakimëve. Dhe vendi nuk pati më luftë.