Jozueu 13:1-6
Jozueu 13:1-6 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jozuehu ishte plak e i thyer në moshë tashmë. Atëherë ZOTI i tha: «Ti je plakur e je në moshë të thyer, por mbetet ende një pjesë e madhe e vendit për t'u pushtuar. Toka që mbetet për t'u pushtuar përfshin krahinat e filistinëve e të geshuritëve, nga Shihori, përballë Egjiptit, e deri në kufijtë e Ekronit në veri. Kjo është tokë kananite e ndahet në pesë principata filistinësh, principata e Gazës, e Ashdodit, e Ashkelonit, e Gatit dhe e Ekronit, si dhe trojet e avitëve në jug. Mbetet tërë toka e kananitëve, nga Arahu, që i përket sidonasve, deri në Afek e deri në kufijtë e amoritëve. Mbetet edhe toka e gibelitëve dhe tërë krahina e Libanit lindor, nga Gad Baali, në rrëzë të malit Hermon, deri në Lebo Hamat, tërë banorët e malësisë, nga Libani e deri tek ujërat e Misrepotit, ku banojnë sidonasit. Do të jem unë ai që do t'i dëboj para syve të izraelitëve. Ti do t'ua japësh tokën për pronë izraelitëve, siç të kam urdhëruar.
Jozueu 13:1-6 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por Jozueu ishte plak dhe në moshë të shtyrë; dhe Zoti i tha: "Ti je plak dhe i shtyrë në moshë, dhe të mbetet një pjesë shumë e madhe e vendit për të pushtuar. Ky është vendi që mbetet akoma: tërë territori i filistenjve dhe gjithë ai i geshuritëve, nga Shikori që rrjedh në lindje të Egjiptit, deri në kufirin e Ekronit nga veriu (krahinë që konsiderohet kanaanease), tokat e pesë princave të filistenjve, domethënë të Gazës, të Ashdodit, të Ashkalonit, të Gathit, të Ekronit dhe të avenjve gjithashtu, në jug, tërë vendi i kanaanenjve, dhe Mearahu që u përket sidonëve deri në Afek, deri në kufirin e amorenjve; vendi i giblitëve dhe tërë Libani në drejtim të lindjes, nga Baal-Gadi në këmbët e malit Hermon deri në hyrje të Hamathit; tërë banorët e krahinës malore të Libanit deri në ujërat e Misrefothit, dhe gjithë sidonët. Unë do t'i dëboj para bijve të Izraelit; ti ndërkaq ndaje me short vendin midis izraelitëve si trashëgimi, ashtu si të kam urdhëruar.