Jozueu 13:1-32
Jozueu 13:1-32 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jozuehu ishte plak e i thyer në moshë tashmë. Atëherë ZOTI i tha: «Ti je plakur e je në moshë të thyer, por mbetet ende një pjesë e madhe e vendit për t'u pushtuar. Toka që mbetet për t'u pushtuar përfshin krahinat e filistinëve e të geshuritëve, nga Shihori, përballë Egjiptit, e deri në kufijtë e Ekronit në veri. Kjo është tokë kananite e ndahet në pesë principata filistinësh, principata e Gazës, e Ashdodit, e Ashkelonit, e Gatit dhe e Ekronit, si dhe trojet e avitëve në jug. Mbetet tërë toka e kananitëve, nga Arahu, që i përket sidonasve, deri në Afek e deri në kufijtë e amoritëve. Mbetet edhe toka e gibelitëve dhe tërë krahina e Libanit lindor, nga Gad Baali, në rrëzë të malit Hermon, deri në Lebo Hamat, tërë banorët e malësisë, nga Libani e deri tek ujërat e Misrepotit, ku banojnë sidonasit. Do të jem unë ai që do t'i dëboj para syve të izraelitëve. Ti do t'ua japësh tokën për pronë izraelitëve, siç të kam urdhëruar. Ndajua, pra, këtë vend me short nëntë fiseve të mbetura e gjysmës së fisit të Manaseut». Moisiu i dha për pronë fisit të Rubenit e të Gadit, si dhe gjysmës së fisit të Manaseut, tokën përtej Jordanit, në bregun lindor të tij, nga Aroeri, në breg të përroit të Arnonit, dhe nga qyteti në mes të luginës, mbarë rrafshnaltën e Medebës, deri në Dibon. U dha edhe të gjitha qytetet e Sihonit, mbretit të amoritëve, që sundonte në Heshbon, në kufi me amonitët, Gileadin, trojet e geshuritëve dhe të makatitëve, tërë malin e Hermonit e gjithë Bashanin, deri në Salkah. Edhe tërë mbretërinë e Ogut të Bashanit, që sundonte në Ashtarot e në Edrej. Ogu ishte njëri prej refaitëve të fundit. Ata i kishte mposhtur Moisiu e i kishte dëbuar nga tokat e tyre. Por izraelitët nuk i dëbuan geshuritët e makatitët, që banojnë edhe sot e kësaj dite në Geshur e në Makat. Vetëm fisit të Levit nuk i kishte dhënë trashëgimi, sepse trashëgimia e tyre janë flijimet për ZOTIN, Perëndinë e Izraelit, siç i kishte thënë Zoti. Toka që Moisiu i dha fisit të Rubenit e pasardhësve të tij, sipas klaneve fillonte në Aroer, në bregun e përroit të Arnonit, përfshinte qytetin që ndodhet në mes të luginës, mbarë rrafshnaltën e Medebës, Heshbonin e të gjitha qytetet që ndodheshin në rrafshnaltë, Dibonin, Bamot Baalin, Bet Baal Meonin, Jahacin, Kedmotin, Mefatin, Kirjataimin, Sibmahun, Ceret Shaharin, që ndodhet në kodrat përmbi luginë, Betpeorin, shpatet e Pisgahut, Bet Jeshimotin e të gjitha qytetet e mbretërisë së Sihonit, mbretit të amoritëve, që kishte mbretëruar në Heshbon, e që Moisiu e kishte mposhtur, bashkë me princat e Midianit, Eviut, Rekemit, Curit, Hurit e Rebës, princa vasalë të Sihonit, që banonin në atë tokë. Izraelitët kishin vrarë me shpatë edhe Balaamin, birin e Beorit, shortarin. Kufiri i pasardhësve të Rubenit ishte lumi i Jordanit. Kjo është prona që morën si trashëgimi pasardhësit e Rubenit, sipas klaneve. Këto janë qytetet e fshatrat e tyre. Toka që Moisiu i dha fisit të Gadit e pasardhësve të tij, sipas klaneve, fillonte në Jazer, përfshinte të gjitha qytetet e Gileadit, gjysmën e tokës së amonitëve deri në Aroer, përballë Rabahut, shtrihej nga Heshboni në Ramah Micpah, në Betonim e nga Mahanaimi deri në kufijtë e Lo Debarit. Përfshinte edhe luginën ku gjenden Bet Harami, Bet Nimrahu, Sukoti, Cafoni dhe pjesa e mbetur të mbretërisë së Sihonit, mbretit të Heshbonit. Toka e tyre ka për kufi Jordanin e shkon deri në bregun e detit të Kineretit, përtej Jordanit, në bregun lindor. Kjo është trashëgimia e pasardhësve të Gadit, sipas klaneve. Këto janë qytetet e fshatrat e tyre. Toka që Moisiu i dha gjysmës së fisit të Manaseut, pra, gjysmës së pasardhësve të Manaseut, sipas klaneve përfshinte Mahanaimin, tërë Bashanin, tërë mbretërinë e Ogut, mbretit të Bashanit dhe të gjitha fshatrat e Jairit. Gjithsej gjashtëdhjetë qytete të Bashanit. Trojet përfshinin edhe gjysmën e Gileadit, Ashtarotin, Edrejin, qytetet e mbretërisë së Ogut në Bashan, që iu dhanë njërës pjesë të pasardhësve të Makirit, birit të Manaseut, sipas klaneve. Këto janë pronat që ndau Moisiu në stepat e Moabit, në bregun lindor të Jordanit, kundruall Jerikosë.
Jozueu 13:1-32 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por Jozueu ishte plak dhe në moshë të shtyrë; dhe Zoti i tha: "Ti je plak dhe i shtyrë në moshë, dhe të mbetet një pjesë shumë e madhe e vendit për të pushtuar. Ky është vendi që mbetet akoma: tërë territori i filistenjve dhe gjithë ai i geshuritëve, nga Shikori që rrjedh në lindje të Egjiptit, deri në kufirin e Ekronit nga veriu (krahinë që konsiderohet kanaanease), tokat e pesë princave të filistenjve, domethënë të Gazës, të Ashdodit, të Ashkalonit, të Gathit, të Ekronit dhe të avenjve gjithashtu, në jug, tërë vendi i kanaanenjve, dhe Mearahu që u përket sidonëve deri në Afek, deri në kufirin e amorenjve; vendi i giblitëve dhe tërë Libani në drejtim të lindjes, nga Baal-Gadi në këmbët e malit Hermon deri në hyrje të Hamathit; tërë banorët e krahinës malore të Libanit deri në ujërat e Misrefothit, dhe gjithë sidonët. Unë do t'i dëboj para bijve të Izraelit; ti ndërkaq ndaje me short vendin midis izraelitëve si trashëgimi, ashtu si të kam urdhëruar. Ndaje, pra, këtë vend si trashëgimi midis nëntë fiseve dhe gjysmës së fisit të Manasit, bashkë me të cilët rubenitët dhe gaditët kanë marrë trashëgiminë e tyre, që Moisiu u dha atyre matanë Jordanit, në lindje, ashtu siç ua kishte dhënë Moisiu, shërbëtor i Zotit; nga Aroeri që ndodhet në brigjet e përroit Arnon dhe nga qyteti që është në mes të luginës, tërë rrafshnaltën e Medebas deri në Dibon; tërë qytetet e Sihonit, mbretit të amorenjve, që mbretëronte në Heshbon, deri në kufirin e bijve të Amonit; Galaadin, territorin e geshuritëve dhe të maakathitëve, tërë malin Hermon dhe tërë Bashanin deri në Salkah; tërë mbretërinë e Ogut, në Bashan, që mbretëronte në Ashtaroth dhe në Edrei dhe ishte i vetmi gjigant i mbetur gjallë. Në fakt Moisiu i kishte mundur dhe dëbuar. Por bijtë e Izraelit nuk i përzunë geshuritët dhe maakathitët; kjo është arsyeja pse geshuritët dhe maakathitët banojnë në mes të Izraelit deri në ditët e sotme. Vetëm fisit të Levit, Moisiu nuk i kishte dhënë asnjë trashëgimi; flijimet e bëra me zjarr për nder të Zotit, Perëndisë së Izraelit, përfaqësonin trashëgiminë e tij, ashtu si u kishte thënë ai. Kështu Moisiu i kishte dhënë fisit të bijve të Rubenit pjesën që u përkiste, sipas familjeve të tyre; territori i tyre niste nga Aroeri që ndodhet mbi brigjet e përroit Arnon dhe nga qyteti që gjendet në mes të luginës, tërë rrafshnalta pranë Medebës, Heshboni dhe tërë qytetet e tij që ndodhen në rrafshnaltën: Diboni, Bamoth-Baali, Beth-Baal-Meoni, Jahtsahu, Kedemothi, Mefaathi, Kirjathaimi, Sibmahu, Tsereth-Hashahari mbi malin e luginës, Beth-Peori, shpatet e Pisgahut dhe Beth-Jeshimothi; të gjitha qytetet e rrafshnaltës dhe tërë mbretëria e Sihonit, mbretit të amorenjve që mbretëronte në Heshbon, të cilin Moisiu e mundi me princat e Midianit: Evi, Rekem, Tsur, Hur dhe Reba, princa vasalë të Sihonit, që banonin në atë vend. Bijtë e Izraelit vranë gjithashtu me shpatë Balaamin, birin e Beorit, shortarin, bashkë me të tjerët që u vranë në radhët e midianitëve. Territori i bijve të Rubenit kufizohej me Jordanin. Kjo ishte trashëgimia e bijve të Rubenit në bazë të familjeve të tyre, së bashku me qytetet dhe fshatrat e tyre. Moisiu i kishte dhënë gjithashtu fisit të Gadit, bijve të Gadit, pjesën e tyre, sipas familjeve të tyre. Territori i tyre përfshinte Jazerin, të gjitha qytetet e Galaadit, gjysmën e vendit të bijve të Amonit deri në Aroer, që ngrihet përballë Rabahut, dhe nga Heshboni deri në Ramath-Mitspah dhe Betonim, dhe nga Mahanaimi deri në kufirin e Debirit, dhe në luginë, Beth-Harami, Beth-Nimrahi, Sukothi dhe Tsafoni, pjesa që mbeti nga mbretëria e Sihonit, mbretit të Heshbonit, që ka Jordanin për kufi, deri në skajin e Detit të Kinerethit, matanë Jordanit, në drejtim të lindjes. Kjo qe trashëgimia e bijve të Gadit, sipas familjeve të tyre, me qytetet dhe fshatrat e tyre. Moisiu i kishte dhënë gjithashtu gjysmës së fisit të Manasit, bijve të Manasit, pjesën e tyre, sipas familjeve të tyre. Territori i tyre përfshinte Mahanaimin, tërë Bashanin, tërë mbretërinë e Ogut, mbretit të Bashanit, tërë fshatrat e Jairit që ndodhen në Bashan, gjithsej shtatëdhjetë qytete. Gjysma e Galaadit, Ashtarothit dhe Edreit, qytete të mbretërisë së Ogut në Bashan, kaluan në dorë të bijve të Makirit, birit të Manasit, sipas familjeve të tyre. Këto janë pjesët që Moisiu u kishte ndarë si trashëgimi në fushat e Moabit, matanë Jordanit, në bregun përballë Jerikos, në lindje.